Home KRYESORE Coronavirus: kushtëzim i lirive, apo humbje e privatësisë?

Coronavirus: kushtëzim i lirive, apo humbje e privatësisë?

Nga Dorela Beqaj

Përgjatë historisë së funksionimit të sistemeve të ndryshme qeverisëse, konceptet e lirisë, sigurisë dhe privatësisë kanë ekzistuar dhe vepruar së bashku, edhe pse me shkallë të ndryshme të prevalencës së njërës kundrejt të tjerave. Këto koncepte kanë ekzistuar që në antikitet si për shembull në kodin e Hammurabit, në legjislacionin e Romës së lashtë, e duke vazhduar më tej në sistemet ligjore moderne (Solove, 2011). Në sistemet demokratike moderne legjislacionet e vendeve parashikojnë ruajtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe në të njejtën kohë ruajtjen e sigurisë së jetës. Sikurse përmendet në librin e (Donnelly, 2013), në shoqëritë moderne të drejtat e njeriut nuk konsistojnë vetëm në parimet e lirisë, barazisë dhe sigurisë, por edhe në praktikat sociale të ushtrimit të këtyre të drejtave. Në kushte normale ku çdo individ jeton sipas ligjeve dhe përdor liritë e tij pa cënuar individët e tjerë në shoqëri, ai gëzon të drejtën e ushtrimit të lirisë së tij duke pasur ndër të tjera të drejtën e fjalës së lirë, si dhe të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në organet qeverisëse.  Pra, kuadri ligjor dhe mekanizmat zbatues të ligjeve duket se kanë arritur të krijojnë një balancë të kënaqshme midis këtyre tre elementëve lirisë, sigurisë dhe privatësisë. Megjithatë, me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së informacionit, dhe ekspozimit në rritje të informacionit privat të individit në mënyrë të vullnetshme (p.sh. nga përdorimi i rrjeteve sociale ku individët zgjedhin vullnetarisht të ndajnë me të tjerët informacione nga jeta private) ose në mënyrë të pavullnetshme (p.sh. nga përgjimet, ose nga aksesi i padëshiruar i personave të tretë në informacionet e tyre private), kjo balancë e krijuar nga ligjet dhe mekanizmat ligjzbatues komplikohet.

I gjithë mekanizmi i mësipërm, i cili synon të japë zgjidhjen më të drejtë dhe të pranueshme për të gjitha palët (individët dhe qeverinë), nuk mund të funksionojë në të njejtën mënyrë në raste kur shoqëria përballet me kërcënimin e sigurisë së jetës (Jenkins & Joel, 2010). Këto raste përfshijnë luftërat, terrorizmin dhe epidemitë. Epidemitë janë konsideruar si kërcënim për sigurinë pasi mund të çojnë në lindjen e konflikteve, të destabilizojnë balancat e një vendi, ose në rastin më të keq të përdoren si armë biologjike (Peterson, 2002). Në raste të tilla qëllimi primar i çdo qeverie është mbarëvajtja e sigurisë (Ran, 2016), dhe për arritjen e këtij qëllimi nëse lind nevoja, mund të cënohen edhe të drejtat dhe liritë e individëve të cilat ata gëzojnë në normalitet.

Në kushtet e sotme, në pothuajse të gjitha vendet e prekura nga pandemia, është kufizuar liria e njerëzve për të lëvizur (sistemi i karantinës), me qëllim që të arrihet mbarëvajtja e sigurisë së secilit vend. Kjo është një zgjidhje e përkohshme deri në gjetjen e një vaksine apo kure efektive. Përveç faktit që kjo zgjidhje cënon liritë dhe të drejtat e njerëzve, ajo po shoqërohet edhe me pasoja negative ekonomike, sociale dhe psikologjike. Megjithatë, duket se deri tani kjo ka rezultuar si metoda me e sigurt për mbajtjen nën kontroll të pandemisë dhe moslejimit të kolapsit të sistemeve shëndetësore. Por, sa më gjatë të vazhdojë karantina e cila shoqërohet me pezullimin e shumë aktiviteteve ekonomike, aq më e vështirë do të jetë dhe rimëkëmbja ekonomike si dhe rikuperimi i pasojave negative sociale dhe psikologjike te individët. Madje, edhe pasi të gjendet një zgjidhje (vaksinë) për Covid-19, kërcënimi se ky virus mund të pësojë mutacion, apo që viruse të reja po kaq të rrezikshëm ndaj të cilëve njerëzit nuk janë imunë mund të shfaqen në të ardhmen, do të vazhdojë të jetë prezent. Duke marrë parasysh këtë fakt, të gjitha shtetet duhet të mundohen që të hartojnë strategji efektive për parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të viruseve, në mënyrë që të evitohet një krizë shëndetësore dhe humanitare si kjo e sotmja, por edhe duke mundësuar vazhdimin normal të aktiviteteve ekonomike, pasi në të kundërt pasojat do të ishin fatale. Nëse ekonomia globale do të jetë për një kohë të gjatë dhe të pacaktuar nën kushte paqartësie dhe pasigurie, atëherë të gjithë agjentët ekonomikë do ta kenë të pamundur të marrin vendime racionale si në terma të konsumit ashtu edhe në terma të investimeve. Për shembull, nëse në kushte normale një investitor është i gatshëm të kryejë një investim në fushën e turizmit (duke llogaritur kostot dhe kohën brenda së cilës do të merrte kthimin nga investimi), në kushte të paqartësisë ai nuk do të merrte të njejtin vendim. Kjo, pasi nuk do ta kishte të sigurt kthimin e investimit dhe suksesin e aktivitetit të tij.

Nevoja për të gjetur një zgjidhje alternative për të përballuar situata të tilla si pandemia, pa ndalur aktivitetin ekonomik, ka bërë që në disa vende të botës të zhvillohen aplikacione që tregojnë vendndodhjen dhe personat e tjerë pranë çdo individi. Kjo është një mënyrë alternative dhe eksperimentale për të lejuar mundësimin e kontrollit të përhapjes së një virusi: për shembull, nëse të gjithë do të përdornin këto lloj aplikacionesh, atëhere me identifikimin e pacientit zero, do të mund të identifikoheshin edhe të gjithë të prekurit e tjerë potencialë. Aktualisht njerëzit i përdorin këto aplikacione në mënyrë vullnetare, pasi detyrimi për t’i përdorur këto aplikacione do të ishte dhunim i privatësisë së individëve. Këto aplikacione janë vetëm në hapat e parë të zhvillimit të tyre, dhe mund të pësojnë vazhdimisht përmirësime. Një shembull suksesi i përdorimit të këtij aplikacioni është në shtetin e Koresë së Jugut, ku falë gjurmimit të kontakteve është arritur një nivel i kënaqshëm i kontrollit të virusit.

Megjithatë, problemi aktual është perceptimi publik dhe zgjedhja individuale lidhur me masat ndaj të cilave individët janë të gatshëm që të nënshtrohen, me qëllim që të ruajnë sigurinë e tyre. Në kushtet e sotme ose në të ardhmen e afërt, ku epidemia është ende prezente, individët ndodhen përballë dy zgjedhjeve: të aplikojnë strategjinë e karantinës, sikurse po ndodh sot, ose të kërkojnë aplikimin e zgjidhjes alternative e cila shmang karantinën, por cënon privatësinë. Pra, individët do të mund të tregojnë nëse preferojnë të sakrifikojnë lirinë e lëvizjes apo privatësinë për hir të sigurisë.

Duke marrë parasysh se në realitetin që po jetojmë sot, si dhe faktin që në një të ardhme të afërt njerëzit mund të gjenden përballë një zgjedhjeje të tillë, kam vendosur që të studioj nëse individët do të preferojnë të sakrifikojnë lirinë e lëvizjes apo privatësisë, në rrethanat kur janë të kushtëzuar të bëjnë një zgjedhje të tillë për të ruajtur sigurinë e tyre dhe të të tjerëve. Më tej në këtë artikull do të paraqes rezultatet statistikore të një pyetësori të hartuar për të parë kushtet në të cilat shqiptarët ndodhen, si dhe perceptimin e tyre për situatën e coronavirusit. Gjithashtu, do të paraqes edhe një model ekonometrik për të shpjeguar zgjedhjen individuale midis karantinimit dhe aksesit mbi të dhënat personale, me anë të disa prej variablave demografikë dhe ekonomikë të individëve.

Të dhënat Për grumbullimin e të dhënave dhe ndërtimin e variablave të interesit, kam hartuar një pyetësor prej 17 pyetjesh lidhur me informacionin demografik, ekonomik, të punësimit, si dhe perceptimin që njerëzit kanë për situatën aktuale dhe pritshmëritë që individët kanë për të ardhmen pas coronavirusit. Pyetësori është shpërndarë me anë të rrjeteve sociale dhe është plotësuar vullnetarisht nga shqiptarë të moshave të ndryshme që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Numri i të intervistuarve është 315. Më poshtë paraqiten

variablat dhe vlerat e tyre mesatare si dhe vlerat e tyre ekstreme.                               

Për variablin gjinia gjithsej janë 315 vëzghime nga ku 164 janë femra dhe 151 meshkuj, sikurse tregohet në Grafikun 1.

gjinia.png

Grafiku 1. Paraqitje e variablit të gjinisë

Variabli i dytë i interesit është mosha, i cili është një variabël diskret numerik. Nga 315 të intervistuar mosha mesatare e të intervistuarve është 35 vjeç, si dhe mosha minimale është 14 vjeç, ndërsa maksimalja 78 vjeç.

Variabli i tretë është statusi martesor, i cili është ndarë në 4 kategori: beqar/e, i/e martuar, i/e divorcuar, dhe i/e ve.  Sikurse tregohet edhe në Grafikun 2., numri më i madh i të intervistuarve i korrespondon statusit i/e martuar me 162 vëzhgime, ndjekur nga statusi beqar/e me 139 vëzhgime, ndërsa statusi i/e divorcuar dhe i/e ve kanë vetëm 8 dhe 6 vëzhgime respektivisht.

statusi%20martesor.png

Grafiku 2. Statusi martesor

Variabli i rradhës është variabli i punësimit, i cili është një variabël binar, ku të intervistuarit ijanë përgjigjur me po ose jo pyetjes nëse janë të punësuar. Nga përgjigjet e marra rezulton se 216 individë (68,6%) janë të punësuar, ndërsa 99 persona (31,4%) nuk janë të punësuar. Numri relativisht i lartë i të papunëve shpjegohet dhe me faktin se një pjesë e të intervistuarve janë në moshë të re, gjë që mund të lidhet edhe me statusin e tyre të studentit.

Variabli i rradhës janë të ardhurat mujore të individëve të shprehura në lekë të reja. Vlerat ekstreme të këtyre të ardhurave janë 0 minimumi dhe 500000 lekë maksimumi, ndërsa mesatarja është 71047 lekë. Ky variabël mund të rezultojë pak problematik për modelin empirik, pasi një pjesë e të intervistuarve, 12 prej tyre nuk i kanë deklaruar të ardhurat, ndërsa një pjesë mund t’i nënraportojnë. Megjithatë, vlerat e këtij variabli përbëjnë një tregues për të ardhurat mujore individuale të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Edhe vetë vlera mesatare e këtij variabli është realiste, duke marrë parasysh se në databazë ka edhe vëzhgime të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Gjithsej janë 60 persona të intervistuar që jetojnë jashtë vendit, që përbën 19% të vëzhgimeve. Variabli tjetër ka të bëjë me burimin e të ardhurave të të intervistuarve. Burimi i të ardhurave është ndarë në 4 kategori: të ardhura nga puna: rroga ose fitimi i biznesit, të ardhura nga lëshimi i ambjenteve me qera, të ardhura nga remitancat (nga familjarë ose të afërm jashtë vendit), si dhe të ardhura të tjera. Në Grafikun 3., paraqiten të ardhurat sipas kategorive dhe përqindjeve përkatëse për secilën kategori. Sikurse mund të vërehet edhe nga grafiku, pjesa më e madhe e të intervistuarve 229 persona (72,6%), kanë si burim të ardhurash të ardhurat nga puna. Përsa i përket burimeve të tjera të të ardhurave, ato zënë një përqindje më të vogël 16,5% (52 persona) me të ardhura nga burime të tjera ku përfshihen edhe të ardhurat nga pensioni

10,2% (32 persona) me të ardhura nga remitancat, dhe pjesa tjetër prej vetëm 2 personash kanë të ardhura nga ambjentet e lëshuara me qera.

Grafiku 3. Burimi i të ardhurave

burimi%20i%20te%20ardhurave.png

Një tjetër tregues i situatës së situatës ekonomike të individëve të intervistuar janë edhe kursimet. Vlera mesatare e kursimeve është 584113,5 lek të reja, ndërsa vlerat ekstreme janë 0 minimumi dhe 10000000 lekë maksimumi. Nga personat e intervistuar 7 prej tyre nuk i kanë raportuar kursimet.

Lidhur me treguesit ekonomikë, të intervistuarit janë pyetur gjithashtu nëse kanë përftuar të ardhura muajin e fundit, muaj i cili përkon me fillimin e pandemisë në vendin tonë, pra muaji Mars 2020. Pyetjes nëse kanë përftuar të ardhura nga puna (rrogë ose fitim nga aktiviteti i biznesit) gjatë muajit të fundit, 153 persona i janë përgjigjur me “po” (48,6%) dhe 162 persona me “jo” (51,4%). Pra, këto rezultate tregojnë se gjatë muajit të shpërthimit të pandemisë në vendin tonë (që korrespondon edhe me përhapjen e virusit në vendet e tjera ku banojnë të intervistuarit si: Itali, Maqedoni e Veriut, Kosovë, SHBA), një pjesë e të punësuarve nuk kanë marrë të ardhura nga puna ose aktiviteti i tyre i biznesit.

Nga ana tjetër, 30 persona kanë deklaruar se kanë përftuar të ardhura nga remitancat, gjë e cila tregon se pavarësisht situatës së pandemisë, një pjesë e mirë e familjeve që varen nga remitancat, vazhdojnë t’i përftojnë këto të ardhura. Megjithatë, vlen për t’u theksuar se këto rezultate korrespondojnë me fillimin e gjendjes së pandemisë, dhe në varësi të ecurisë së situatës mund të pësojnë ndryshime.

Tabela 1.

Burimi i të ardhurave Normalisht Gjatë muajit Mars 2020
Të ardhura nga puna 229 persona 153 persona
Remitanca 32 persona 30 persona

Pyetjet e tjera konsistojnë në perceptimin e të intervistuarve lidhur me masat e marra për përballimin e pandemisë, protokollet mjekësore, dhe pritshmëritë apo pranimin ose mospranimin e marrjes së masave të caktuara parandaluese në të ardhmen.

Pyetjes “A jeni dakord me masat e karantinimit për parandalimin e përhapjes së coronavirus?” 87,6% (276 persona) i janë përgjigjur me “po”, dhe 12,4% (39 persona) i janë përgjigjur me “jo”.

Pyetjes “A mendoni se po ndiqet strategjia e duhur lidhur me protokollet mjekësore” i janë përgjigjur me “po” 74,3% (234 persona), dhe me “jo” 25,7% (81 persona). Sipas përgjigjeve të marra rezulton se një pjesë e personave që janë dakord me masat e karantinimit nuk janë dakord me protokollet mjekësore. Kjo mund të lidhet me faktin se një pjesë e publikut kërkon kryerjen e një numri më të madh testimesh gjatë kësaj periudhe.

Pyetja e rradhës lidhet me zgjedhjen midis karantinës dhe aksesin mbi të dhënat personale si masë parandaluese për virusin. Konkretisht pyetja në pyetësor ka qenë “Nëse për të parandaluar përhapjen e virusit do të mund të zgjidhnit midis karantinimit dhe lejimit të qeverisë për të pasur akses në të dhënat tuaja personale (vendndodhjen dhe kontaktet tuaja në kohë reale) cila do të ishte zgjedhja juaj?” Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur 315 të intervistuarit dhe 237(24,8%) prej tyre kanë zgjedhur karantinim ndërsa 78 (75,2%) prej tyre kanë zgjedhur akses mbi të dhënat personale. Ky është një tregues se pavarësisht vështirësive ekonomike dhe psikologjike që shoqërohen me karantinimin, pjesa më e madhe e të intervistuarit zgjedhin karantinimin përballë aksesit mbi të dhënat personale. E thënë me fjalë të tjera, për pjesën më të madhe të individëve është më e lehtë të “sakrifikojnë” lirinë e lëvizjes përballë “sakrifikimit” të privatësisë me qëllim që të garantohet siguria. Pra, bazuar në këtë rezultat nëse në vendin tonë do të ofrohej alternativa e aksesit mbi të dhënat personale për të parandaluar coronavirusin apo epidemi të tjera me të cilat rrezikojmë të përballemi në të ardhmen, pjesa më e madhe e qytetarëve nuk do ta pranonin këtë opsion.

Një arsye e mundshme e këtij rezultati është fakti se karantina perceptohet si një zgjidhje e përkohshme nga njerëzit. Pra, sakrifica e lirisë për hir të sigurisë bëhet vetëm në mënyrë të përkohshme deri në mbarimin e epidemisë, dhe kostot e saj janë kosto fikse masive afatshkurtra. Këtu përfshihen rënia e aktivitetit prodhues dhe tregtar e shoqëruar me humbje të vendeve të punës. Por, duke qenë se këto kosto, edhe pse të konsiderueshme, janë për një periudhë afatshkurtër, individët mund të presin që pas kësaj goditjeje në ekonomi të vijë rimëkëmbja, ashtu sikurse ka ndodhur edhe pas krizave të mëparshme. Nga ana tjetër, sakrifikimi i privatësisë për hir të sigurisë është diçka afatgjatë dhe e shtrirë në kohë. Për më tepër, kjo shoqërohet me frikën e keqadministrimit ose keqpërdorimit të këtyre të dhënave. Kjo mund të jetë arsyeja pse pjesa më e madhe e të intervistuarve nuk kanë pranuar të zgjedhin këtë opsion.

Të intervistuarit janë pyetur gjithashtu nëse ndihen të rrezikuar nga përsëritja e kësaj situate në të ardhmen. Pjesa më e madhe e të intervistuarve 84,8% janë përgjigjur me “po”, dhe vetëm 15,2% janë përgjigjur me “jo”.

Në vazhdim, të intervistuarit janë pyetur nëse janë dakord që qeveria (dhe qeveritë e vendeve të tjera) të marrin masa shtrënguese për qytetarët me qëllim që të mos përsëritet një situatë e tillë në të ardhmen. Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur me “po” 81,6% e të intervistuarve dhe me “jo” 18,4% e tyre. Ky rezultat është në përputhje me rezultatet e pyetjes së mëparshme. Pra, fakti që shumica e qytetarëve ndihen të kërcënuar nga përsëritja e kësaj situate i bën ata që të bien dakord me ndërmarrjen e masave shtrënguese për parandalimin e një situate të tillë në të ardhmen. Ky është një tregues se pjesa më e madhe e individëve janë të vetëdijshëm dhe bien dakord që tu nënshtrohen masave më të rrepta me qëllim që të garantojnë sigurinë e jetës së tyre.

Më tej të intervistuarit i janë përgjigjur një pyetjeje më konkrete lidhur me masat e sigurisë që lidhen me udhëtimet “A mendoni se në të ardhmen duhet të ketë kontrolle më të rrepta të udhëtarëve që hyjnë dhe dalin nga vendi?” Shumica e të intervistuarve 81,9% i janë përgjigjur kësaj pyetjeje me “po”, ndërsa pjesa tjetër 18,1% me “jo”.

Pyetja e rradhës që lidhet me një masë akoma më ekstreme mbi udhëtimet ka qenë: “A do të ishit dakord që në të ardhmen të minimizohet numri i udhëtimeve të pasagjerëve midis shteteve me qëllim parandalimin e epidemive?” Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur me “po” 40% e të intervistuarve, dhe me “jo” 60% e tyre. Pra, nëse bëjmë krahasimin me përgjigjet në pyetjen e mëparshme, rezulton se qytetarët pavarësisht se ndihen të kërcënuar nga përhapja e epidemive me anë të udhëtimeve dhe bien dakord që të merren masa më të rrepta të kontrollit të udhëtarëve, në shumicën e rasteve nuk janë dakord që të ketë një ulje të numrit të lejuar të udhëtimeve. Kjo tregon se edhe pse qytetarët janë dakord të pranojnë masa të reja shtrenguese në përditshmërinë e tyre me qëllim që të garantojnë sigurinë e shëndetit, në shumicën e rasteve ata nuk janë të gatshëm që të pranojnë masa ekstreme si për shembull minimizimi i numrit të udhëtimeve.

Modeli empirik

Me qëllim që të vlerësoj faktorët që mund të ndikojnë në përzgjedhjen e karantinimit apo aksesit mbi të dhënat personale, kam ndëruar një model empirik Probit, me anë të së cilit do të vlerësoj ndikimin që këta faktorë kanë në probabilitetin për të berë njerën nga zgjedhjet. Kam zgjedhur modelin Probit për arsye se variabli i varur është një variabël binar dhe merr vlerat 0 ose 1. Si variabël të varur kam zgjedhur të përdor variablin “akses mbi të dhënat personale”, i cili merr vlerën 1 nëse individët zgjedhin aksesin mbi të dhënat personale, dhe vlerën 0 nëse individët zgjedhin karantinën. Variabli kryesor shpjegues është “jo dakordësia me masat shtrënguese në të ardhmen”. Kam zgjedhur këtë variabël si variablin kryesor shpjegues, pasi është më gjithëpërfshirës dhe përgjithësues sesa variablat e tjerë si: minimizimi i udhëtimeve në të ardhmen. Duke u përgjigjur lidhur me masat shtrënguese në të ardhmen, të intervistuarit mund të kenë marrë parasysh disa lloje masash, dhe për pasojë ata që janë përgjigjur se “nuk janë dakord me marrjen e masave shtrënguese në të ardhmen”, kanë marrë parasysh shumë lloje masash duke filluar nga ato më të lehtat si psh. kontroll më i rreptë i udhëtarëve, e deri te ato më ekstremet (minimizimi i numrit të udhëtimeve). Variablat e tjerë shpjegues që kam përfshirë në regresion janë: gjinia, mosha dhe statusi i papunësisë. Për arsye të mungesës së raportimeve (në disa raste) apo nënraportimeve të mundshme të të ardhurave mujore ose kursimeve, kam zgjedhur që këto variabla të mos i përfshij në regresion, pasi mund të jenë problematike për vlerësimet.

Formalisht modeli ka paraqitjen:

  • = +   +  +

Në anën e majtë të ekuacionit paraqitet variabli i varur për numrin e vëzhgimeve, ndërsa në anën e djathtë  përfaqëson konstanten,  është koeficienti i variablit kryesor shpjegues jo dakord me masat shtrënguese në të ardhmen,  përfaqëson koeficientët e variablave të tjerë shpjegues, dhe  është termi i gabimit. Në Tabelën 2., paraqiten rezultatet e vlerësimit empririk të regresionit.

Tabela 2: Rezultatet e vlerësimit empirik, variabli i varur “aksesi mbi të dhënat personale”

  (1) (2)
Jo masa shtrënguese në të ardhmen 0.35* (0.19) 0.32* (0.19)
Gjinia   0.28* (0.16)
Mosha     -0.001 (0.005)
papunë   0.41** (0.16)
konstantja -0.75*** (0.08) -0.99*** (0.23)
Numri i vëzhgimeve 315 315
Prob>chi2 Pseudo R2 0.06 0.009 0.02 0.03

Shënim: * tregon rëndësinë statistikore të parametrit në nivelin 10%, ndërsa ** tregon rëndësinë statistikore të parametrit në nivelin 5%, *** në nivelin 1%.

Në kolonën (1) të Tabelës 2., është paraqitur regresioni i thjeshtë, i vlerësuar sipas modelit Probit, ku variabli i varur është “aksesi mbi të dhënat personale” ndërsa variabli i pavarur është “jo masa shtrënguese në të ardhmen”. Rezultatet e regresionit të thjeshtë tregojnë se ekziston një lidhje pozitive dhe statistikisht e rëndësishme në nivelin 10% midis të dy variablave. Pra, preferenca për të mos pasur masa shtrënguese në të ardhmen shoqërohet me një rritje të probabilitetit për të zgjedhur aksesin mbi të dhënat personale kundrejt karantinimit. Ky rezultat është në përputhje me pritshmëritë paraprake, pasi zgjedhja e aksesit mbi të dhënat personale kundrejt karantinimit është një mënyrë për të shmangur sistemin e karantinës si dhe masa të tjera shtrënguese që mund të merren për të parandaluar ose mbajtur nën kontroll këte epidemi apo epidemi të tjera në të ardhmen.

Në kolonën (2) të Tabelës 2., është paraqitur regresioni i shumëfishtë Probit, ku variabli i varur është sërisht “aksesi mbi të dhënat personale”, ndërsa variablat e pavarur janë “jo masa shtrënguese në të ardhmen”, “gjinia”, “mosha” dhe “papunë” që tregon se personi i intervistuar nuk është i punësuar. Fillimisht, nga ndryshimet e pësuara në treguesin “prob>chi2” vërehet se modeli është statistikisht i rëndësishëm në nivelin 5%, kundrejt nivelit 10% që ishte në regresionin e thjeshtë. Pra, rëndësia statistikore e modelit është përmirësuar. Gjithashtu, vërehet një rritje e konsiderueshme “Pseudo R2”, që tregon rritjen e shpjegueshmërisë së variablit të varur nga variablat e kontrollit. Përsa i përket koeficientëve të variablave, koeficienti i variablit kryesor shpjegues vazhdon të jetë statistikisht i rëndësishëm në nivelin 10% dhe magnituda e tij është pothuajse e njejtë me regresionin e thjeshtë. Koeficienti i “gjinisë” tregon se ekziston një lidhje pozitive dhe statistikisht e rëndësishme midis gjinisë (në këtë rast gjinisë mashkull e cila merr vlerën 1 kundrejt gjinisë femër që merr vlerën 0), dhe zgjedhjes së aksesit mbi të dhënat personale. Sipas këtij rezultati të intervistuarit meshkuj kanë probabilitet më të lartë që të zgjedhin aksesin mbi të dhënat personale kundrejt karantinimit. Variabli “mosha” nuk rezulton të ketë një efekt statistikisht të rëndësishëm në probabilitetin për të zgjedhur aksesin mbi të dhënat personale. Variabli i fundit i kontrollit i përfshirë në këtë regresion është “papunë”. Koeficienti i këtij variabli tregon se ekziston një lidhje pozitive dhe statistikisht e rëndësishme në nivelin 5% midis të qenit jo i punësuar dhe zgjedhjes së aksesit mbi të dhënat personale. Ky është një rezultat interesant dhe disi i papritur duke marrë parasysh faktin se rëndësia statistikore dhe magnituda e këtij koeficienti është e konsiderueshme. Pra, ky sipas këtij vlerësimi të qenurit i papunë shoqërohet me një rritje të probabilitetit për të zgjedhur aksesin mbi të dhënat personale kundrejt karantinimit.

Duke qenë se variablat e të ardhurave dhe kursimeve nuk i kam përfshirë në regresion për arsye të vlerave që nuk janë raportuar ose që mund të jenë nënraportuar, kam paraqitur grafikisht lidhjen midis variablave të të ardhurave me zgjedhjen e aksesit mbi të dhënat personale, dhe kursimeve me aksesin mbi të dhënat personale. Më poshtë paraqiten grafikët të cilët paraqesin këto lidhje.

Grafiku 4. Lidhja midis kursimeve dhe aksesit mbi të dhënat personale, metoda Local polynomial smooth

Në Grafikun 4., vërehet se probabiliteti për të zgjedhur aksesin mbi të dhënat personale është më i lartë në vëzhgimet me nivele më të ulëta kursimesh. Në shumicën e rasteve kjo korrespondon me kursimet nën 1000000 lekë. Kjo tregon se individët që kanë më pak kursime kanë tendencën që të zgjedhin aksesin mbi të dhënat personale kundrejt karantinës. Ky është një rezultat i pritshëm pasi karantina shoqërohet me pezullim të aktiviteteve ekonomike, e për pasojë lind nevoja e përdorimit të kursimeve nga shumë prej individëve. Për këtë arsye për individët me kursime më të ulëta karantina ndikon më negativisht në uljen e mirëqenies së tyre krahasuar me të tjerët.

Grafiku 5. Lidhja midis të ardhurave dhe aksesit mbi të dhënat personale, metoda Local Polynomial Smoothing

Në Grafikun 5., paraqitet lidhja midis të ardhurave dhe zgjedhjes së aksesit mbi të dhënat personale. Ndryshe nga rasti i mëparshëm i kursimeve, këtu vërehet se probabiliteti për të zgjedhur aksesin mbi të dhënat personale pëson ndryshime përgjatë rritjes së nivelit të të ardhurave mujore. Vlera më e lartë e kësaj lidhjeje arrihet në nivelin e të ardhurave midis 150000 dhe 190000 lekë. Kjo shtrirje e lidhjes në nivele të ndryshme të të ardhurave mujore mund të ketë të bëjë me faktin se të ardhurat mujore janë një tregues më dinamik sesa kursimet. Megjithatë, fakti që kjo lidhje paraqitet me vlera më të larta, në një nivel relativisht të lartë të të ardhurave, tregon se për individët të cilët kanë të ardhura mbi mesataren, kostot e karantinimit janë më të larta, pasi ato përkthehen në humbje të këtyre të ardhurave mujore.

Përfundime

Ky studim është bazuar mbi perceptimin që shqiptarët që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë mbi situatën e krijuar nga Coronavirus. Personat e intervistuar kanë shfaqur dakordësinë ose jo me masat e marra nga qeveria, protokollet mjekësore, si dhe masa të caktuara që mund të merren në të ardhmen me qëllim parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të epidemive. Nga përgjigjet e marra rezulton se shumica e të intervistuarve janë dakord me masat e marra dhe protokollet mjekësore, si dhe i druhen përsëritjes së një situate të tille në të ardhmen. Gjithashtu, shumica prej tyre janë dakord me marrjen e masave shtrënguese në të ardhmen si dhe ushtrimin e kontrolleve më të rrepta te udhëtarët që lëvizin ndërmjet shteteve, por nuk do të ishin dakord me ndërmarrjen e një mase më ekstreme si minimizimi i numrit të udhëtimeve jashtë vendit.

Më tej, analiza është thelluar në paraqitjen e një zgjidhjeje alternative kundrejt karantinimit, siç do të ishte ajo e aksesit mbi të dhënat personale të individëve, konkretisht vendndodhja dhe kontaktet në kohë reale, në mënyrë që në rast epidemish gjurmimi i rasteve të jetë shumë më i shpejtë dhe efektiv, e për pasojë të bëhet e mundur shmangia e masave si karantina. Midis këtyre dy alternativave, pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë zgjedhur karantinën. Pra, nëse për të garantuar sigurinë, shqiptarët do të duhet të zgjidhnin midis sakrifikimit të lirisë së lëvizjes dhe sakrifikimit të privatësisë, ata do të zgjidhnin të sakrifikonin lirinë e lëvizjes. Ky rezultat është kundërintuitiv, pasi fakti që karantina shoqërohet me dëme ekonomike pritet që të sjellë një preferencë për një alternativë tjetër që do të garantojë sigurinë. Por, zgjedhja në masë e opsionit të karantinës tregon se shqiptarët preferojnë të përballen me kostot afatshkurtra por të konsiderueshme të karantinës, përballë kostove afatgjata dhe humbjes së privatësisë që mund të vijë nga aksesi mbi të dhënat personale.

Në vijim, vlerësimet e modelit empirik dëshmuan se preferenca për të mos pasur masa shtrënguese në të ardhmen shoqërohet me një rritje të probabilitetit për të zgjedhur aksesin mbi të dhënat personale kundrejt karantinës. Krahas kësaj, edhe tregues si gjinia (mashkull) dhe të mos qenurit i punësuar shoqërohen me një rritje të probabilitetit për të zgjedhur aksesin mbi të dhënat personale kundrejt karantinës. Pra, mosdakordësimi me masat shtrënguese në të ardhmen, gjinia dhe statusi i punësimit lidhen me preferencën e sakrifikimit të privatësisë kundrejt sakrifikimit të lirisë së lëvizjet, me qëllim që të ruhet siguria e jetës.

 

Bibliography

Donnelly, J. (2013). Universal Human Rights in Theory and Practice. Cornell University Press.

Jenkins, S. P., & Joel, A. (2010). Balancing Privacy & Security: The Role of Privacy and Civil Liberties in the Information Sharing Environment. IAAP Conference 2010, (p. 8).

Peterson, S. (2002). Epidemic Disease and National Security . Security Studies, 43-81.

Ran, J. (2016). Striking the Balance between Privacy and Governance in the Age of Technology. SPICE | Philosophy, Politics, and Economics Undergraduate Journal, 9.

Solove, D. J. (2011). The False Tradeoff Between Privacy and Security. Yale University Press books.

Share: