Home KRYESORE Koronavirusi/ Conte: Nuk do të jetë një verë karantine, por pushimesh

Koronavirusi/ Conte: Nuk do të jetë një verë karantine, por pushimesh

Situata e krijuar nga koronavirusi në Itali po shkon drejt përmirësimit, ndërsa numri i viktimave dhe i të infektuarve është në rënie.

Pas kësaj situate, qeveria italiane ka nisur planin e lehtësimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Ndërkohë, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka dhënë një lajm të mirë për qytetarët e vendit të tij, të cilët prej pothuajse 3 muajsh qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Teksa temperaturat rriten dhe njerëzit po mendojnë përditë e më shumë për plazhin, kreu i qeverisë italiane deklaroi se; “Këtë verë nuk do të qëndrojmë nëpër ballkone dhe bukuria e Italisë nuk do të mbesë në karantinë. Mund të shkojmë në det, në male, të shijojmë qytetet tona, por edhe nëse do ta bëjmë këtë gjë do të duhen rregulla dhe kujdes”, u shpreh Conte duke shtuar se muajt e ardhshëm do të jenë shumë të vështirë.

Gjithashtu, Conte foli dhe për krizën ekonomike që pritet të godasë Italinë dhe jo vetëm. “Do të kemi një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pasojat ekonomike do të jenë shumë të dhimbshme”,-tha kryeministri italian./ Opinion.al

Share: