Home KRYESORE Meta per teatrin: Kauza nuk do të ndalojë deri në shembjen e...

Meta per teatrin: Kauza nuk do të ndalojë deri në shembjen e tiranisë

Presidenti Meta ka raguar edhe njëherë, kësaj radhe edhe më ashpër, rreth çështjes së godinës së teatrit kombëtar.

Në një status në Facebook, Meta shkruan se shembja e godinës nuk do të amnistohet kurrë dhe se ajo do të shlyhet vetëm kur të vendoset drejtësia. Ai flet për një tirani që duhet shembur e që rrezikon të gjithë shqiptarët.

Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë! Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë.  Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua. Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia.  Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t’u zgjuar e bashkuar para se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re.”- shkruan Meta.

Mbrëmja e 17 majit i zgjoi shqiptarët në diktaturë sipas Presidentit. Ai thekson faktin se mbrojtja prej dy vitesh me sakrefica e godinës e ka bërë kauzën tashmë të të gjithëve dhe se të gjithë ndihen në faj e në borxh.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët. Të gjithe u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme. Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë.  Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë. A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?”- mbyll presidenti statusin e tij.

Kauza e godinës së teatrit është artikuluar edhe më herët nga presidenti Meta. Në protestën e 2 marsit ai foli për mbrojtjen e saj dhe në podium mbajtën fjalën edhe aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e godinës. Më herët ai bëri thirrje për hetim ndërkombëtar lidhur me këtë çështje pasi sipas tij është goditur trashëgimnia kulturore dhe janë vënë në rrezik protestuesit. /Opinion.al

Share: