Home Gjeo-Ekonomia Pse punëdhënësit nuk po aplikojnë për ndihmën financiare të punonjësve?

Pse punëdhënësit nuk po aplikojnë për ndihmën financiare të punonjësve?

Paketa e dytë financiare parashikon që të përfitojnë një pagë prej 40 mijë lekësh vetëm një herë për 176 mijë të punësuar, ndërsa e para jepte 26 mijë lekë për tre muaj për të punësuarit në subjektet e vogla në slitën e aktiviteteve të mbyllura me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Por, kur ka kaluar më shumë se një javë nga hapja e aplikimeve, për paketën e dytë financiare, deri në 4 prill kanë aplikuar rreth 98 mijë persona, sipas të dhënave të përditësuara të tatimeve, ose rreth 56% e personave që është parashikuar të përfitonin.

Kryeministri Rama ishte i ashpër gjatë ditës së djeshme, kur paralajmëroi se do të aplikonin gjobë për të gjithë ata punëdhënës që nuk aplikojnë për përfitimin e ndihmës financiare të punonjësve të tyre. “Do të miratojmë një gjobë kuptimplotë për subjektet e biznesit të madh, që tradhëtojnë me këtë papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë as një aplikim 3 minuta në emër të kompanisë për ta”.

Por, kontabilistët kanë shpjeguar për Monitor, se më shumë sesa për çështje dëshire apo neglizhence të punëdhënësve, ata realisht nuk po arrijnë që të aplikojnë për punonjësit e kompanive.

“Situata që po haset me shpesh është për datën e largimit”, thotë Armand Mala, kontabilist. Kjo po bëhet problem. “Urdhri i parë i ministrisë është ai i datës 12 Mars. Mirëpo ka plot punëdhënës që i kanë larguar punonjesit me datë largimi më të hershme se kjo datë (psh. Formulari i largimit është plotësuar dt 17 Prill por me datë largimi psh në datë 8), pasi ligji lejon dritaren prej 10 ditësh për të bërë largimin. Dhe në këtë rast kur futesh të aplikosh për pagen nuk shfaqen ata punonjës që kanë datë largimi para datës 12”.

Në këto raste është e vështirë që t’i shpjegosh punonjësit se çfarë ka ndodhur. Mala thotë se duhej që shteti të mos ishte marrë fare me këto lloj afatesh, duhet që kushdo që ishte në punë në fund të Shkurtit të kualifikohej. Pasi janë skualifikuar shumë punonjës kështu, në të shumtat e rasteve janë vetë subjektet me faj, por ama ka dhe situata kur realisht u mbyllën me datë 10 (si klubet e natës apo palestrat psh).

Ka dhe nga ata që janë hequr nga lista e sigurimeve pas datës 10 prill dhe si rrjedhojë nuk përfitojnë nga paketa e dytë. Drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj tha në një intervistë të mëparshme për Monitor se janë rreth 4 mijë punonjës që kanë dalë nga skema e sigurimeve pas datës 10 prill.

Elona, ekonomiste, tregon një rast të një palestre, që i kishte larguar punonjësit që në datën 10 mars, kur u mori vendimi për mbylljen e tyre dhe ndonëse punonjësit ishin larguar në një datë, vetëm njëri prej tyre e përfitoi ndihmën nga paketa e parë (26 mijë lekë për 3 muaj), ndërsa të tjerët u refuzuan!

Tom Ndoci, kontabilist thotë se po hasen probleme të shumta me aplikimet:

-1.Nuk lejohet aplikimi pasi sapo klikon për të aplikuar të del shenimi: “Ju nuk mund te aplikoni pasi nuk perftoni nga VKM….”

2.Nuk jepet asnjë sqarim se cilin kriter nuk plotëson Biznesi që nuk përfiton.

3.Bëjmë ankesë në Tatime, na marrin në telefon inspektorët dhe thonë apliko, por prapë sistemi tatimor nuk hapet, pra s’ta jep atë mundësi.

Ndoci thotë se nëse Zoti Rama do të komunikonte jo vetëm me institucionet, por edhe me bizneset, me studiot e kontabilitetit, mund të marrë informacion më të zgjeruar dhe të paanshëm./ Burimi: Monitor

Share: