Home KRYESORE “Pse pushtetari Rama nuk u bë kurrë artist”

“Pse pushtetari Rama nuk u bë kurrë artist”

Nga Brikena Bogdo

Elitë, traditë, trashëgimi (trinitet shekullor), që pjellin njëra-tjetrën. Tradita? Trashëgimi në breza. Elita? Familje të fuqishme, intelektualisht dhe financiarisht, në shekuj, me ndikim në shoqëri, me qëllim zhvillimin dhe fuqizimin, përtej interesave të tyre personale. Nëse i përket këtij triniteti, pjell, prodhon, nëse nuk i përket, mbetesh shterpë, vetshkatërrimtar, shkatërrimtar. Faraoni Ram-sesi, mendon me koshiencë ndërtimin, por në subkoshiencë ka shkatërrimin, urrejtjen, pasi ai e di shumë mirë, që nuk i përket trinitetit. Ai, në të kundërt, për një interes personal, kërkon që të krijojë, rendin e ri, politikën e re, elitën e re. Por triniteti ka një karakteristike themelore, kohën shekullore, rrënjët e fuqisë së saj. Makthi i tij është koha, e cila nuk i mjafton kurrsesi, që të krijojë elitën e re, traditën e re, politikën e re. Ai e vuan këtë mungesë kohe dhe elitarizmi, prandaj i pikon zemra gjak. Kjo është arsyeja, që ai sot, po derdh gjakun e brezave. Perendesha Kali, që pin gjakun e fëmijëve, duke kërcyer nëpër rrënoja. Bota e tij e jashtme pasqyron botën e tij të brendëshme, shkatërrimin. Në fakt, ai vjen nga një familje, që ka shkatërruar traditën, kisha dhe xhami. Edhe ky, do të shkatërojë traditë, kulturë, art. Ashtu si vlerat, edhe antivlerat trashëgohen. ARN-ja nuk e rishkruan dot ADN-në.

Enver Hoxha e urrente elitën, së cilës nuk i përkiste, prandaj e shkatërroi atë. Rama e gjeti të gatshme një elitë të shkatërruar, dhe duhet të vazhdonte shkatërimin e trashëgimisë kulturore. Enveri nuk pati kohë, që të krijonte elitën e re, as për 50 vjet. Familjet elitare jane 200-300-500 vjecare, të cilave nuk i përkasin, as Enveri, as Rama. Ata nuk bëhen dot pjesë e saj, as me dhunë, as me diktat dhe as nuk e blejnë dot. Me sa duket, në subkoshiencë e tij më të thellë, ky është, kompleksi më i madh. Me gjithë delirin, që të jetë në majën e piramidës, nuk ka kohë, sepse elita, trashëgimia kulturore, tradita, kërkojnë breza. Brezat elitarë nuk i pjell dot. Ky është një qerthull; tek e vjetra nuk hyn dot, tek e reja, nuk ia arrin dot.

Kuptohet qartazi që ky njeri dëshiron, madje deri në ekstazë, që të adhurohet dhe të përjetësohet. Midis pushtetarit dhe artistit, të dy memorizohen, por vetëm njëri adhurohet, artisti. Por artist, aq më tëpër i adhuruar, ai nuk u bë dot kurrë. Atëherë, iu vërsul pushtetit, për të përjetësuar emrin. Pasi u bë pushtetar, filloi të shiste pikturat e tij, që të blinte adhurimin. Por, adhurimi nuk blihet. Prandaj Faraoni Ram-ses, nuk do të arrijë dot kurrësesi, ekstazën shpirtërore, adhurimin. Pushtetarët, adhurohen në formë hipokrite nga disa lakej. Por, me rënien e pushtetit, lakejt zhduken si me magji, duke i shnmdërruar, të vdekshëm, për së gjalli, mumje faraoniane, politike, të tharë nga mendja dhe shpirti.

A e mban mend njeri mbretin, në periudhën e Beethovenit? Ndonjë historian. Beethoveni nuk iu përkul kurrë mbretit, madje duke e injoruar thellë. Por, ishte i tërë njerëzimi, që iu përkul Bethovenit. Këtu fillon dhe mbaron urrejtja patologjike e Ramës, me artistët. Artistët i arrijnë të dyja, edhe përjetësimin, edhe adhurimin. Ai, të dyja nuk do t’i ketë kurrë. Mbretërit, Luigjët, Hitleri, Stalini, jo vetëm nuk janë adhuruar, por në të kundërt janë urryer. Ndërkohë, janë ata që kanë patur një përfundim shumë të keq. Adhurimi është pasuri e artistëve, njerëzve me vlera shpirtërore dhe ideve të guximshme inovatore, kurrësesi e pushtetarëve injorantë, mediokër dhe të rëndomtë.

Sado lart t’i çojë tullat, nuk i arrijnë dot qiejtë e mendjes, shpirtit, vizioneve, fantazive, që materializohen, vetëm nëpërmjet artit. Kjo është pasuria e artit dhe koha e ka treguar, që janë pasuri e patundshme, shumë më tepër se sa tullat dhe pllakatat, me të cilat mendon që do të përjetësojë emrin e tij. Në të kundërt, ai i vërsulet artit, trashëgimisë, traditës, tashmë jo si krijues, por si pushtues dhe si shkatërrues. Prandaj, fundin do e ketë si pushtetar, jo si artist, d.m.th. të urryer, të zvarritur rrugëve, si mbeturinë shtatoresh, tullash e pllakatash. Koha e ndan përjetësimin nga përvdekësia. Artistin, koha e përjetëson, pushtetarin, koha e përvdekson.

Mozarti, megjithëse vdiq tepër i ri, në moshën 35 vjeçare, i la trashëgim njerëzimit, muzikën e tij, me vlera artistike, muzikore, madje edhe shëruese (për shumë sëmundje mendore përdorin muzikën e Mozartit, si terapi), të pallogaritshme. Në kohën e tij, ishte i sulmuar nga një kompozitor i qujtur Salieri, i cili jetoi edhe 30 vjet, pas tij. Vetë Salieri e cilësoi jetëgjatësinë e tij, një mallkim për të parë vdekjen e tij artistike, çdo ditë, çdo sekondë, ndërkohë që veprat e Moxartit përjetësoheshin. Në fund të jetës, u veëtcilësua, udhëheqës i mediokërve. Por, diktatorët dhe shkatërruesit janë edhe më keq, se sa një mediokritet i rëndomtë që nuk prodhon asgjë. Ata vdesin çdo ditë, pasi çdo ditë mallkohen për shkatërrimin dhe vandalizmin, ndaj njerëzimit dhe vlerave të tyre. Në fakt, edhe Hitlerit ia ruajnë kampet e përqëndrimit, madje edhe shtëpinë e tij, si memorje e shkatërrimit. Duhet edhe memorja shkatërrimtare, që të kuptosh rrugën, drejt ndërtimit dhe zhvillimit. E vetmja përjetësi e diktatorëve, perandorëve është mentaliteti i tyre “Dopo di me, il diluvio” ( pas meje, shkatërrimi), duke mbaruar dhe filluar. gjithçka. me ta.

Shumëkush, pyet sot: Pse me shkatërrim? Pse mbi rrënoja? Është mëse normale, të dëshirosh të lësh shenjë. Kush arrin të lërë shenjë? Në thelb të artit, qëndron triniteti; shpirt, talent, ego. Kur e ruan këtë raport, ndërton mbi trashëgiminë, traditën, vlerat, i ruan rrënjët e saj. Kur ndërton mbi shkatërrim, ke prishur pikërisht këtë raport. Aty ka vetëm ego, pa dashuri, pa shpirt, pa talent. Ky trinitet bën ndarjen midis artistit të vërtetë dhe artistit mediokër. Prandaj, pushtetari Rama nuk u bë kurrë artist. Artistët kanë ndjeshmëri; nuk mundet kurrë të jenë shkatërrues. Ai u pushtua nga egoja dhe bindjet ushtarake, inatet e xhelozia, për të tashmen dhe të shkuarën, pra nje artist mediokër, pa të ardhme. Artistët e mëdhënj janë ata, shija artistike, estetike e të cilëve, tejkalon vetveten dhe kohën. Mediokriteti as nuk lartësohet, as nuk adhurohet, as nuk jetësohet.

Përse personalisht jam gati fanatike, në ruajtjen e godinave, të ndërtuara nga italianët. Ata, së bashku me grekët, janë mjeshtra të akustikës. Në shumë diskutime mbi Teatrin Kombëtar, nuk përmendet akustika, ky element themelor, si për muzikën, edhe për teatrin, pasi në bazë, kanë tingullin e instrumentit, apo zërin e aktorit. Në Epidavros të Greqisë ndodhet një amfiteatër me 10 mijë vende, shumë i famshëm për akustikën. Në qender të skenës ka një pikë, ku edhe një frymemarrje dëgjohet, deri në pikën më të largët të amfiteatrit. Në Verona ndodhet një amfiteatër shumë i famshëm. Para disa vitesh Pink Floyd dhanë një koncert, ku vunë boxe. Zëri shumë i lartë rrezikoi të shkatërronte gurët, çka çoi në ndalimin rreptësisht të koncerteve me akustikë të lartë. Këto amfiteatre kanë një akustikë natyrale dhe ruhen me fanatizëm. Edhe teatrot e sallat e koncerteve janë të ndërtuara me po aq fanatizëm, për sa i përket akustikës, nga italianët. Mediokrit dhe injorantët, mbase nuk e dinë rëndësinë e akustikës, por artistët e dinë shumë mirë, se çdo të thotë tingulli në skenë. Një aktor e di

shumë mirë, se sa vlen për përcjelljen e emocionit të tij, edhe një frymëmarrje. Ne patëm fatin që të kishim disa salla koncertesh dhe teatrin, me një cilësi akustike të jashtëzakonshme, ndërtuar nga Italianët.

Babai im Genc Bogdo, violinist-koncertist, i cili ka dhënë me qindra koncerte, si dhe ka përfqësuar Shqipërinë në Moskë, në konkurs ndërkombëtar në vitin 1958, ka dhënë disa koncerte në sallën e Teatrit Kombëtar. Salla me akustikën më të mirë, që ai përmendte, ishte Lidhja e Shkrimtarëve, më pas Akademia e Arteve dhe më pas godinat e tjera, të ndërtuara nga italianët. Përsa i përket TOB, ndërtuar nga rusët, (tulla e saj e parë, u vu nga Nikita Hrushovi në 1959), specialistët thonë që akustika është bërë mbrapsht; mbrapa skene tingulli dëgjohet më mirë, se sa dëgjohet tek spektatorët. Sot mundet të jetë rikonstruktuar, të jetë bërë komode, por ajo sallë nuk ka vlerë akustike.

Kur Lidhjen e Shkrimtarëve, Ylli Pango, e shndërroi në Ministri Kulture, shkatërroi sallën e koncerteve, e cila kishte akustikën më të mirë, në Shqipëri. Ai pati delirin të mendonte se kishte bërë një mrekulli; në fakt atë sallë me një kupolë gjigandë të mrekullueshme, e ndau në dy pjesë, për ta bërë me dy kate, duke i shkatërruar akustikën. Një palaçollëk, që donte ta shiste si vlerë. Vuri edhe një pllakatë me emrin e tij, që të përjetësohej. Por për ironi të fatit, me ndrrimin e pushtetit, ia hoqën pllakatën. Me shumë gjasa kjo do të ndodhë edhe me teatrin e ri.

Rama, edhe nëse e vendos me duart e tij, si Hrushovi te TOB, tullën e parë, përsëri do të jetë delirant, injorant dhe mediokër, nëse mendon që do të arrijë, të realizojë elementin themelor, akustikën. Ose do ta bëjnë mbrapsht akustikën, si TOB, ose nuk do ja arrijnë fare, si tek salla e koncerteve e Liceut Artistik. Sapo ka mbaruar tashmë rikonstruksioni i Liceut Artistik. Së pari, salla e koncerteve, nuk do të jetë më e kësaj shkolle, por e Bashkisë së Tiranës, e cila e përdor atë me pagesë. Për Lali Erin, arti shitet dhe blihet, si fiqtë, në pazar. Së dyti, pas rikonsruksionit, salla e koncerteve është krejt pa akustikë.

Ka shumë gjasa që kështu, pa akustikë të përfundojë edhe Akdemia e Arteve që po rikonstruktohet, pra të degjenerohet salla numër dy, në Tiranë. Për mediokrit rëndësi kanë ngjyrat e jashtme, karriget e rehatshme, apo komoditete të tjera, por këtë element nuk kanë për ta arritur dot, sepse ne nuk e kemi, as traditë, as aftësi, as prioritet. Pushtetarit Rama, i uroj jetë të gjatë, që të shohë si Salieri, “vdekjen” e tij, se si çdo ditë do të harrohet dhe zhvlerësohet, se si do t’i hiqen pllakatat dhe medaljet; do të kuptojë vetveten, sa injorant dhe sa mediokër është.

Share: