Financimi i partive politike ka qenë një nga pikat për të cilat mazhoranca dhe opozita jashtëparlamentare kanë rënë dakord këtë të martë në tryezën për reformën zgjedhore. Në daljet e tyre, përfaqësuesit politikë ndonëse pranuan këtë argument, nuk dhanë detaje, lidhur me mënyrën se si do të funksionojë financimi bazuar në këtë marrëveshje. Përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri tha se është rënë dakord për të patur një financim miks mes parasë publike dhe donacioneve private, ndërsa shtoi se qeveria ka marr përsipër të shtojë vlerën totale që do të japë për fushatën e ardhshme në mënyrë, që të rritet pesha edhe e financimit publik.
Ndërsa bëri me dije se ka ende disa çështje ku palët ndahen, Gjiknuri nuk dha detaje të mëtejshme mbi mënyrën se si do të funksionojë formula, e që me sa duket ka detaje ende në diskutim. Por në një dalje pas tryezës, Rudina Hajdari deklaroi se kjo rritje e financimeve publike është parashikuar me dyfishim të tyre, krahasuar me vlerën e tyre aktuale.
“U diskutua financimi i partive politike. Kanë rënë dakord të dyja palët PS-PD, që buxhetimi për partitë politikë të dyfishohet”, tha Hajdari, duke shtuar se ky është një përfitim për PD dhe LSI e që duhet të japin shpjegime.
Në fakt, propozimi i një ligji për minimizimin e financimeve private të partive ka ardhur nga opozita, me synim forcimin e rregullave të transparencës dhe verifikimin e financimeve. Por nga ana tjetër, një rritje e shpenzimeve publike në fushatat elektorale, do të thotë që kostoja e këtyre fushatave do të rëndojë në xhepat e taksapaguesve, ndërsa kostot e financimit do t’i shtohen buxhetit të shtetit./Opinion.al