Home KRYESORE “Qyteti rrezikon konflikt civil”,Aleanca për Teatrin kallëzim në Prokurori

“Qyteti rrezikon konflikt civil”,Aleanca për Teatrin kallëzim në Prokurori

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës përgjegjësit e Institutit të Ndërtimit që kanë përpiluar ekspertizën mbi godinën e Teatrit Kombëtar, ku u mbështet edhe vendimi i Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës.

Personat e kallëzuar janë dy inxhinierët Artur Hasantare, dhe Olsi Nunaj dhe arkitektja, Elbarina Kola që sipas Aleancës kanë kryer një ekspertim “fiktiv, i pabazuar në verifikime konkrete të gjendjes së Teatrit Kombëtar”.

Tre personat janë akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, e kryer në bashkëpunim.

Në raportin e Institutit të Ndërtimit shkruhej se “kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve, ato janë jashtë normave të projektimit dhe shfrytëzimit të një objekti të kësaj kategorie”.

Ndërkohë, kallëzuesit pretendojnë që këto vlerësime janë “të pabazuara në verifikimet në terren. Ekspertët kanë marrë atribute që nuk i takojnë me ligj duke çuar Këshillin Bashkiak në një vendimmarrje të gabuar”.

Sipas Aleancës, vendimi i prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar rrezikon një përplasje institucionale të fortë dhe qyteti rrezikon një konflikt civil me pasoja të paparashikueshme për rendin dhe sigurinë publike.

Kallëzimi është firmosur nga regjisori Robert Budina, Neritan Liçaj, Juli Emiri, Gentian Gaba, Ervin Goci, Doriana Musaj, Saimir Dervishi, Mirela Karabina Ceraga, Fran Ndoj, Astrit Seranaj./Opinion.al

Share: