Kryeministri Edi Rama ka publikuar përsëri këtë mëngjes pamje nga restaurimi i Teatrit të Operës dhe Baletit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se me këtë investim shihet qartë dallimi i madh mes “dy botëve” që u përplasën për Teatrin e Ri Kombëtar.
Teksa thekson se qeveria e tij po ndryshon kushtet e teatrit dhe objekteve të tjera kulturore në vend, kryeministri shprehet se “Nesër, do të hyjë po kështu në Evropë me hijeshi e dinjitet, edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që gjatë tërë jetës së vet nuk ka pasur dot një të ftuar për shkak të kushteve prej hauri kafshësh.” – por nuk përmënd që nga Europa u kritikua për përdorim të forcës abuzive të shtetit dhe që injoroi thirrjet për dialog të ardhura nga Komisioni Europian!
Postimi i plotë:
MIRËMËNGJES me këtë provë shembullore të vizionit e ambicies sonë për institucionet kombëtare të artit e të kulturës në Shqipërinë e shekullit XXI, ku shihet fare qartë edhe dallimi i madh mes dy botëve që u përplasën për Teatrin e Ri Kombëtar…
Teatri i Operës e Baletit të Shqipërisë që ka nxjerrë yje me famë botërore, sot ka hyrë në Evropë me hapësirën e kushtet e reja dhe skena me sallën e saj nuk është më një vrimë e ftohtë për artistët dhe publikun, po një vatër kënaqësie për krijuesit dhe dashamirët e atij teatri.
Nesër, do të hyjë po kështu në Evropë me hijeshi e dinjitet, edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që gjatë tërë jetës së vet nuk ka pasur dot një të ftuar për shkak të kushteve prej hauri kafshësh, ku dhanë shpirt të mëdhenjtë e skenës shqiptare dhe ku publiku s’e pati kurrë dot, dinjitetin e konsumatorit të ushqimit shpirtëror…/ Opinion.al