Kur kam vizituar për hërë të parë Venecian, duke ecur në rrugicat e ngushta, ku ndihej era e mykut edhe e lagështisës, instiktivisht numëroja gjuhet e ndryshme që dëgjoja rreth meje atë ditë. Ishin plot 38 gjuhë të ndryshme që gumëzhinin midis atyre godinave të cilave e kisha të vështirë t’ua dalloja bukurinë.
Tek shikoja njerëz të ngazëlluar tek Rialto, me krijonte ankth mungesa ime e ngazëllimit. Sipas mendimit tim të papjekur e të pa latuar të asaj moshe, bota kishte vende më të bukura, më rrëzëllitëse e më të shkëlqyera se Venecia. Edhe pse e kam të vështirë të pranoj aty për aty që jam gabim, dyshimi se dicka më mungonte mua, nuk më la të qetë.
Shoqëria ku u rrita përvec genocidit, kishte përjetuar një historicid coroditës. Diktatori si të gjithë diktatorët , dëshironte të formëzonte një shoqëri tjeter , me ideologji të re , besnike të formave të reja të sjelljes. Për të arritur këtë më parë duhet të shkatërronte identitetin ekzistues të të rriturve duke parnadaluar trasmetimin e këtij identiteti historik e njerëzor tek fëmijët.
Mungesa e kësaj trashgimie ,e këtij identiteti, nuk më lejonte të vlerësoja ekzistencën e tij në një komb tjetër. E rritur në një vend të varfër, të vjetrën e barazoja me varfërinë, me mungesën e zhvillimit, e reja ishte gjithmonë më e mirë.
E edukuar nën moton “ një jetë e re do të lulëzojë gërmadhash” dhe më pas nën moton kapitaliste të shkatërimit krijues një funksionalitet ri krijohet mbi shkatërrimin, isha e dashuruar me modernen edhe të bukurën, të dyja fatkeqësisht koncepte relative. Si koncepte relative, e bukura dhe modernia kanë nevojë për një sistem referimi. Kur ai mungonte tërësisht edhe koncepti im mbi modernen dhe të bukurën ishte kaotik.
Një vajzë si unë e konfuzionuar në konfliktin antagonist të realizmit socialist me historinë, nuk mund të perceptonte që e vjetra mund të bashkjetojë me të renë. Nuk arrinte të shikonte që në ato godina që jashtë dukeshin të rënuara e plot harta lagështire, brenda tyre gëlonte jeta moderne e fillim shekullit të 21.
Me kohën mësova se sa do i nevojshëm të jetë përmirësimi i standarteve, shoqëria ka nevojë për stabilitet dhe vazhdimësi. Në themelet e të dyjave qendron trashëgimia edhe historia .
10 vjet më pas, isha kundra prishjes së piramidës e katandisur keq së jashtmi, për të ndërtuar një ndërtesë dinjitoze për parlamentarët tanë aspak dinjitozë. Nuk isha në gjendje të vlerësoja vlerat arkitekturore të saj, por e shikoja atë si pjesë të identitetit tim.
Do të preferoja të shikoja aty jo një qendër teknologjie ( sic është plani ) por pikërisht Muzeun e Enver Hoxhës. As për lavde e as për respekt të tij, por si rrëfim i historisë tonë, si simbol i vuajtjes së kësaj shoqërie, si kujtesë e gabimeve të bëra nga politikat e asaj kohe. Një shoqëri që varros dhe harron gabimet, ka shumë gjasa ti përsërisë ato.
Ne e varrosëm edhe një nga pak ato ndërtesat të mbetura historike, e cila nuk “ishte dinjitoze “ për Tiranën e shekullit të 21. Por bashkë me “një godinë të ndërtuar keq”, varrosëm një pjesë të historisë të qytetërimit tonë.
Vajza e re që vizitoi Venecian, padyshim do të emocionohej me godinën re. Por gruaja 45 vjec njëkohësisht nënë, e cila ndonëse vonë, e mësoi që teatri, muzeu, bibloteka , shtëpitë e vjetra, janë të paçmueshme jo për shkak të bukurive estetike, por sepse vetëm me anë të tyre mund të trasmetojë tek e bija, vlerat, idetë , rrëfimet që na bëjnë këto që jemi sot .
Dritat dhe shkëlqimi i teatrit të ri, nuk do të ma fashisin dot pengun e paaftësisë për të trashëguar tek fëmijët tanë mendësinë që qytëtërim dhe zhvillim nuk do të thotë vetëm të krijosh të ardhmen, por më së shumti do të thotë të ruash , të mbrosh, të vlerësosh të kaluarën , cfarëdo që të ketë përfaqësuar ajo.
Funksionaliteti i teatrit të ri (e jam e sigurt që do jetë i tillë) nuk ma heq dot frikën që bija ime, biri yt, në vijmësi të kësaj sjellje, në mungesë modelit sesi e vjetra mund të bashkëjetojë me të renë , si ne etërit e tyre, në emër të më të bukurës dhe më modernes, pas 50 vitesh, po kaq lehtësisht do të prishin këtë që ne po ndërtojmë sot .
Dje Venecia më ushqeu kureshtjen, sot kujtimi i atij udhëtimi ka mbjellë tek unë trishtimin. Përfytyroj bijën ime , birin tënd , të ndjejnë po të njëjtin aknth, zemërim kur të vizitojnë Venecian. Ankthin që vjen nga mosnjohja dhe mungesa e trashgimisë së identitetit të tyre. I përfytyroj duke numëruar si unë gjuhët e huaja që dëgjojnë rreth tyre, në kërkim të arsyes cfarë ka Venecia e shekullit 17 kaq të rëndëshishme për njërëzimin. I dëgjoj duke u ankuar për pamundësinë e etërve të tyre për të krijuar trashëgimi .Uroj diku ajo të gjej këtë shkrim edhe të lexojë ndër reshta pendimin tim.