Home KRYESORE Zbardhet vrasja e vëllezërve në Durrës, arrestohen dy autorë

Zbardhet vrasja e vëllezërve në Durrës, arrestohen dy autorë

Dy autorët e vrasjes së vëllezëve Haxhia në Durrës para disa ditësh janë arrestuar.

Njoftimin e ka bërë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i cili tha gjithashtu se të njejtët persona janë përgjegjës për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdias në 2 mars të këtij viti rreth të njejtës zonë.

Mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Shën Vlash ”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve: A. N., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”; K. A., 22 vjeç, banues në Durrës;

Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas.

Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.

Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve“, tha Veliu. /Opinion.al

Share: