Home Gjeo-Ekonomia Bilanci i COVID-19, ulet vdekshmëria, e pëson ekonomia (shifrat ekskluzive)

Bilanci i COVID-19, ulet vdekshmëria, e pëson ekonomia (shifrat ekskluzive)

Të dhënat e përpunuara nga Drejtoria e Gjendjes Civile tregojnë se vdekjet në total, në 4-mujorin e parë të 2020-s ranë me 2.7% me bazë vjetore. Në periudhën mars-prill konstatohet një rritje e lehtë e vdekshmërisë, por nuk ka ardhur nga vatrat e nxehta të përhapjes së infeksionit, por nga Fieri, Elbasani dhe Lezha. Në Durrës e Shkodër vdekjet janë me rënie. Në të kundërt, humbjet në ekonomi pritet të jenë të mëdha

Nga Ornela Liperi

E gjithë bota u përball me një të panjohur të madhe në fillimin e 2020-s. Virusi me emrin COVID-19, u përhap me shpejtësi nga Wuhan, qyteti kinez ku shpërtheu në fillim në të gjithë botën. Mbërritja e tij në Itali dhe vdekshmëria e lartë e raportuar krijoi alarm në të gjithë Europën, duke detyruar marrjen e masave izoluese të paprecedenta dhe të papara ndonjëherë në historinë e globalizimit, me synimin kryesor shpëtimin e jetëve.

Sidomos i fortë ishte izolimi për vendet e Europës Lindore, që i trembeshin faktit nëse sistemi i tyre shëndetësor më pak i zhvilluar do të arrinte të përballonte një fluks të lartë të sëmurësh. Nga frika se pandemia mund të mbingarkonte shpejt sistemet e kujdesit shëndetësor, ata imponuan karantinat me rreptësi dhe shpejtësi, duke e përmbajtur virusin shpejt.

Bilancet e raportuara tregonin për një rritje të shpejtë të vdekjeve totale në disa vende, në raport me mesataren historike. Gazeta britanike “Financial Times” raportoi në fund të prillit se bilanci i vdekjeve nga koronavirusi mund të jetë 60% më i lartë sesa raportohet.

FT arriti në këtë konkluzion pasi krahasoi vdekjet nga të gjitha shkaqet në javët e shpërthimit të koronavirusit në mars dhe prill 2020, në raport me të njëjtën periudhë nga vitet e mëparshme. Për vendet e studiuara u konstatua një rritje me 50% e vdekshmërisë totale.

Sipas analizës së FT, vdekjet e përgjithshme u rritën 60% në Belgjikë, 51% në Spanjë, 42% në Holandë dhe 34% në Francë gjatë pandemisë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. “Disa nga këto vdekje mund të jenë rezultat i shkaqeve të tjera se COVID-19, pasi njerëzit shmangin spitalet për sëmundje të tjera.

Por vdekshmëria është rritur dukshëm në vendet që vuajnë nga shpërthimet më të këqija të COVID-19, duke bërë të mendosh se shumica e këtyre vdekjeve janë të lidhura drejtpërdrejt me virusin sesa thjesht efektet anësore të bllokimeve”, shkruante “Financial Times”.

Shifrat tregojnë 215 vdekje më pak se janar-prill 2019

Po Shqipëria?!

Zyrtarisht, deri në 19 qershor, në Shqipëri ka 42 jetë të humbura nga COVID-19, duke u renditur në vendin e 92 në botë me 15 vdekje për 1 milion banorë, sipas Wordometers, më mirë se pjesa më e madhe e rajonit, ku vdekshmëria më e lartë është në Maqedoni (104 vdekje për 1 milion banorë), Bosnja (48), Serbia (30), Mali i Zi (14), Kosova (17), ndonëse pas hapjes po konstatohet një rritje më e shpejtë e jetëve të humbura.

Informacioni indirekt mbi vdekjet totale tregon se vdekshmëria në vend nuk është rritur në katër muajt e parë të vitit, kur janë të disponueshme statistikat, ndryshe nga një pjesë e madhe e vendeve të botës, përkundrazi tendenca është në ulje./Monitor.Al

Share: