Home KRYESORE Covid-19/Manastirliu: Zero tolerancë për subjektet që shkelin protokollet

Covid-19/Manastirliu: Zero tolerancë për subjektet që shkelin protokollet

Ditët e fundit në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve me koronavirus. Lidhur me këtë çështje ka folur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Ogerta Manastirliu.

Teksa zhvilloi një takim me inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor të Tiranës, ministrja theksoi se nuk duhet të ketë tolerancë për shkelësit e ligjit.

Manastirliu shtoi në këtë takim se çdo thyerje e rregullave është rrezik për shëndetin e qytetarëve. Ministrja u ka bërë apel subjekteve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe ka kërkuar nga inspektorët të jenë çdo ditë në terren.

Trupa inspektuese e ISHSH ka inspektuar dhe monitoruar 72,781 subjekte në të gjithë vendin dhe janë vendosur 300 masa administrative.

“Unë e di që ju keni qenë në terren çdo ditë dhe keni bërë një punë të mirë deri tani, me më shumë se 70 mijë inspektime, por nuk duhet të ketë tolerancë për shkelësit të cilët bëhen më pas burimi i përhapjes së infeksionit pasi tolerojnë në aktivitetin e tyre, duke mos zbatuar rregulla të thjeshta dhe më pas do të na duhet një punë shumë e madhe për të këputur zinxhirin e infeksionit.. Çdo shkelje duhet të konsiderohet si rrezik për shëndetin e qytetarëve, ndaj ju duhet të forconi punën në terren, të mos ketë tolerancë për shkeljet. Dua edhe njëherë ti drejtohem çdo biznesi, pasi na nevojitet mirëkuptimi i tyre dhe i çdo qytetari. Zbatimi i rregullave duhet të na kthehen në edukatë të përditshme. Derisa këto veprime t’i bëjmë jo me forcë por sepse kështu mbrojmë shëndetin e të tjerëve, ne do duhet t’i rikujtojmë, t’i rekomandojmë dhe nëse këto masa nuk zbatohen, ne patjetër që do duhet të penalizojnë dhe të marrim masa administrative. Nuk duhet të ketë tolerancë në këtë drejtim.”/ Opinion.al

Share: