Home KRYESORE COVID-i dhe Kasandrat! Nga Erion Dasho

COVID-i dhe Kasandrat! Nga Erion Dasho

Gjatë gjithë epidemisë COVID, nuk kanë munguar Kasandrat. Ata që kanë parashikuar tragjedi, vdekje dhe apokalips.

Në situata epidemie ky është pozicioni më komod, sepse kur “parashikimet” dalin, mund të reklamosh medaljen e radhës.

Edhe kur parashikimet nuk dalin, ke gjithmonë avantazhin e mburrjes se në sajë të “parashikimeve vizionare” u morrën masat që shmangën tragjedinë. Madje është vetë publiku ai që, i lehtësuar, fal me shprehjen “eh, shyqyr që nuk i doli fjala!”

Në fakt, një nga institicionet ndërkombëtarë më prestigjiozë ka vite që funksionon bazuar mbi parashikime të tipit Kasandër. Dhe nuk vuan as për financime dhe as për reputacion.

Kur parashikimet nuk i bëjnë fallxhorët, por shkencëtarët, ato natyrisht që duhen veshur me tisin e “evidencave”. Fatkeqësisht, evidencat lidhur me COVID janë aq kontradiktore, sa jo rrallë ajo që është deklaruar në mëngjes, është mohuar në mbrëmje.

Në kushtet e rritjes së numrit të rasteve me COVID në Shqipëri, nuk ka nevojë për Kasandra, por për profesionistë që japin këshilla praktike dhe për një ekip që ka vullnetin t’i zbatojë ato.

Më tepër se në çdo fazë tjetër të epidemisë, sot nevojitet:

  1. Transparencë e plotë mbi të dhënat e epidemisë së COVID në Shqipëri: transparencë e modelit perëndimor ku mbrohet anonimati i personave, por informacioni ndahet për qëllime vlerësimi risku dhe planifikimi. Shqipëria e shekullit të 21-të nuk mund të operojë me modele afrikane ku të dhënat fshihen apo manipulohen.
  2. Masa urgjente, shkencore dhe gjithëpërfshirëse për të ndaluar transmetimin e COVID në spitale dhe qendra shëndetësore: duhet të shmangim një “skenar italian” ku spitalet u kthyen në vatra të përhapjes së epidemisë. Modelet që ka krijuar Europa sot janë të thjeshtë, të zbatueshëm dhe, mbi të gjitha, mund të implementohen me investime minimale.
  3. Masa inteligjente (shih statusin tim të djeshëm) për të mbrojtur të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Në kushtet e numrave që janë referuar këto ditë, epidemiologjia tradicionale dorëzohet dhe i lë vendin epidemiologjisë inteligjente të zbatuar nëpërmjet mediumeve dixhitale. Në se nuk lëvizet shpejt, transmetimi komunitar i COVID do të arrijë tek grupet vulnerabël, aty ku shkakton edhe dëmin më të madh.
  4. Hartim dhe zbatim protokollesh për zyrat dhe bizneset: disa banka janë duke zbatuar protokolle të sakta dhe strikte, por informacionet flasin se pjesa dërmuese e bizneseve operon akoma në kushte rreziku shumë të lartë për transmetimin e COVID. Edhe këtu protokollet nga bota ekzistojnë, thjesht duhen përshtatur dhe zbatuar.
  5. Rivendosje të komunikimit me publikun për ta rikthyer atë në partner për zbatimin e masave që synojnë parandalimin e përhapjes së COVID në komunitet dhe, sidomos, në familje.

Sot, nuk është koha e Kasandrave, por e veprimit të shpejtë, që ndërthurr masat universale dhe të gjithëpranuara të shëndetit publik me masat inteligjente.

Por tik-taku i orës ka filluar dhe nuk ka kohë për vonesa. Vera që këtë vit vonoi, po vjen së bashku me shumë efekte të pritshme lehtësuese. Detyra e atyre që menaxhojnë përgjigjen ndaj epidemisë në Shqipëri është të mos ja vështirësojnë punën natyrës dhe motit…

Share: