Home KRYESORE Dhuna në familje, policët mbrojnë njëri tjetrin duke mos nisur hetimet

Dhuna në familje, policët mbrojnë njëri tjetrin duke mos nisur hetimet

Nga Eriona Rusi

Arrestimi pak ditë më parë i shefit të policisë së komisariatit të Fushë Arrëzit, nën akuzën për ngacmim seksual të një të miture tronditi opinionin publik veçanërisht pas rrëfimit të 27 vjeçares Adriana Berisha mbi krimet dhe abuzimet që kishte përjetuar në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Ndalimi i tij u bë nga Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së me dyshimin se në 2015-ën ai kishte abuzuar me Adrianën në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte Specialist i Hetimit të Krimeve.

Adriana tha se kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin nga disa persona, por ishte përballur me një tjetër abuzim në vend të mbrojtjes që duhet t’i ofronte policia. Megjithëse u lirua një ditë më pas për mungesë provash, akuzat publike të Adrianës shkaktuan një reagim të fortë ndaj policisë së shtetit.

Në fakt, punonjësit e policisë, ata që duhet të jenë të parët që të mbrojnë viktimat e dhunës apo krimeve seksuale, jo në pak raste bëhen mbrojtës të vetë dhunuesve. Kjo ndodh më së shumti kur dhunuesit janë pjesë e radhëve të policisë së shtetit. Psikologu Endrit Uligaj, koordinator i Zyrës për Djem dhe Burra, tregon se në pjesën më të madhe të rasteve, oficerët e policisë e mbrojnë njëri tjetrin kur një prej kolegëve akuzohet për dhunë brenda familjes. “Përsa kemi ne kontakte, kështu rezulton. Nëse gruaja e një polici e denoncon për dhunë është shumë më e vështirë që kolegët e tij të nisin hetimet ndaj tij”.

Zyra për Djem dhe Burra, funksion tashmë prej 6 vitesh dhe është pjesë e rëndësishme e organizatës “Gruaja tek gruaja” në Shkodër. Në këtë zyrë, u ofrohet ndihmë dhe këshillim psikologjik djemve apo burrave dhunues të cilët referohen nga gjykata. Uligaj tregon madje se si në disa raste, policët jo vetëm që nuk i kanë dhënë ndihmën e duhur viktimave të dhunës, por madje kanë ushtruar presion ndaj anëtareve të organizatës.

“Ne shkojmë me makina private, i marrim gratë me fëmijë dhe i sjellim tek streha e emergjencës që menaxhohet nga “Gruaja tek Gruaja”. Por disa prej grave janë të pambrojtura kur bëhet fjalë për punonjësit e policisë. Kemi patur një rast që ai (polici) e dinte ku ishte strehëza sepse ja treguan shokët e tij policë. Më merrte mua në telefon dhe më bënte presion: – Mos më bëj tërr tërr se e di që gruaja është në filan vend”- më thoshte. Pra ne rrimë gjithmonë në alert, për me mbrojt viktimën”-vijon Uligaj.

Dhuna në familje, “telashi më i vogël” për policinë

Kolegu i tij po në Zyrën për Djem dhe Burra, psikologu Fatjon Taipi shprehet se ajo që lë më shumë për të dëshiruar është niveli i përgatitjes së punonjësve të policisë. “Në Shkodër, personat përgjegjës në komisariat janë burra dhe kjo e bën më të vështirë që të përkrahin viktimat. Nëse do ishin gra do ishte më e lehtë për denoncueset. Kemi pas një rast, kur gruaja kishte shkuar disa herë në polici për të denoncuar të shoqin që e dhunonte dhe punonjësit e policisë i thonin: Fale edhe këtë herë se do ndryshojë. Nuk e di pse e bëjnë, për të mbrojtur familjen apo se mendojnë që gruaja duhet të durojë”- thotë Taipi.

Sipas tij, policia nuk ka kapacitetet e mjaftueshme për të luftuar dhunën në familje. “Policia nuk ka mjaftueshëm kapacitete e burime për t’u përballë me dhunën duke qënë se prioritet është krimi i organizuar dhe trafiku i drogës. Për policinë, këto raste janë “telashi më i vogël” dhe mundësia më e pakët për me vrapu pas një shpulle që një burrë i gjuan gruas. Sepse për policinë, nëse nuk ka viktima nuk përbën shumë interes. Sepse aq punonjës ka. Shpesh i minimizojnë rastet duke thënë – ‘’Hë se burri të ka rënë, shko e zgjidhe vetë me të” – thotë Fatjon Taipi.

“Por duam gjithashtu të themi se përtej problematikave, brenda radhëve të policisë ka edhe specialistë që na kanë mbështet, na kanë ndihmu dhe janë angazhu fort për me mbrojt viktimat dhe me ndëshku dhunuesit” – shprehet Endrit Uligaj. Janë pikërisht burra si Fatjoni, Endriti e 2 djem të tjerë që japin çdo ditë, jo thjesht ndihmë psikologjike, por një copëz nga jeta e tyre për t’i ndihmuar këta dhunues të heqin dorë nga të ushtruarit e dhunës, që fatkeqësisht është një fenomen i pranuar nga shoqëria.

Por pavarësisht tablosë gri, puna e Zyrës për Djem dhe Burra ka rezultuar mjaft e suksesshme në këto 6 vjet. Ndaj nga 2 zyra të tilla (bashkë me Linjën e Këshillimit për Burra dhe Djem në Tiranë) që kanë funksionuar deri më tani, brenda këtij viti pritet të nisin punën dhe 3 të tjera, në Vlorë, Elbasan dhe Pogradec./AWEN/Erjona Rusi

Share: