Në emisionin “Opinion” në mbrëmjen e sotme u diskutua çështja e provimit të maturës së Gjuhë Letërsisë, e cila ka ngjallur protesta nga ana e maturantëve.
Eksperti i arsimit, prof. Asc. Pëllumb Karameta tha se ato gabime që mund ketë patur teza e provimit janë njerëzore dhe cënon të gjithë maturantët njësoj.
Në një përgjigje kthyer kritikës së akademikut Artan Fuga, profesor Karameta tha se reforma e re e arsimit ka synuar që të konvertojë lëndët në mjete dhe jo në qëllime. Sipas tij këto mjete do të ndihmojnë nxënësit të komunikojnë dhe jo të mësojnë lëndën në vetvete.
“Mendon se në shkollë bëhet letërsi, mendon se në shkollë bëhet dije disiplinore dhe akoma nuk e di se e gjithë reforma e ka konvertuar lëndën, matematikën, letërsinë edhe gjuhën edhe historinë në mjet dhe jo në qëllim. Dhe u’a ka dhënë të tërë mësuesve këto mjete që ta aftësojnë të riun kur kalojnë moshën 18-vjeç të dijë të komunikojë dhe në politikën zyrtare ne tentojmë ta aftësojmë të komunikojë jo të mësojë letërsi, jo të mësojë gjuhën dhe kategoritë gjuhësore. Ato janë mjete që ndihmojnë mësuesin në bashkëpunim me stafin pedagogjik të ndihmojnë nxënësit kur të mbarojnë të dijë të komunikojë”, tha Karameta. /Opinion.al