Firmoset peticioni për përfshirjen e mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollat shtetërore italiane, pritet që peticioni të niset në Bruksel për t’u legjitimuar. Arjana Kosova Hoxha dhe Gentian Alimadhi dhe tregojnë për “Shekulli”-n si lindi ideja e kësaj nisme dhe sa është mbështetur nga autoritetet
Enida Vërça
“Përfshirja e mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollat shtetërore italiane”, është synimi i mësuesve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në shtetin fqinj. Gentian Alimadhi, një shqiptar i cili ka garuar me herët të bëhet kryetar bashkie në qytetin e Parmës dhe nisëmtarja e këtij peticioni Arjana Kosova Hoxha tregojne për “Shekulli”-n iniciativën më të re që kanë marrë në komunitet. Ata thonë se ka nisur nënshkrimin e një peticioni, i cili sipas tyre nëse plotësohet në masë do të bëhet e mundur që zyrtarisht gjuha shqipe të mësohet në shkollat publike italiane. “Lidhja e Mësusve ka krijuar një peticion, i cili gjendet edhe në platformën online për të bërë një hap të rëndësishëm, mësimin e gjuhës shqipe në shkollat publike italiane tek fëmijët shqiptarë”, thotë ai. Sakaq Hoxha thotë se interesi është i lartë dhe realisht italianët më kanë mbështetur shumë në këtë nisëm. “Ne shpresojmë se kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt, po punohet për të patur çdo gjë si duhet dhe në këtë mënyrë çdo shqiptar do përfshihet në mësimin e gjuhës shqipe me tekstet e nevojshme dhe gjithçka tjetër që duhet për të realizuar një kurs të tillë. Peticioni do të shkojë drejt Bruskelit. Ai lindi si pasojë e mungesesë se mundësive për të vazhduar mësimdhënien në mënyrë vullnetare, sidomos pas Covid-19. Ne jemi komuniteti më i madh pas Marokut në Itali, ndaj është e domosdoshme që kjo gjuhë të bëhet zyrtare”, tregon Hoxha.
Peticioni
Nismëtaret thonë se zhvillimi i gjuhës së folura dhe promovimi vlerëson çdo njeri i cili integrohet në shoqëritë evropiane. Sakaq thotë se deri më tani në versioni online janë mbledhur mbi 730 firma. Synimi është mbledhja e 1 mijë të tillave. “Deri me tani jane 63 shkolla ne regjione te ndryshme Shoqata Shqiptare e Mësuesve në Itali po organizon këtë peticion për të mbledhur nënshkrimet e çdo qytetari që mbështet mësimin e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore italiane. Jemi në rrugë të mbarë dhe pak ka mbetur që kjo nismë të konkretizohet”, sqaron më tej. “Për të bërë këtë nismë ligjore, lindi nevoja e një studio ligjore. Në këtë moment nisi bashkëpunimi me Gentian Alimadhin. Peticioni do të qëndrojë 2 muaj online dhe të studiohet ana ligjore e tij. Më pas do të nisemi drejt Brukselit, për të ligjetimuar këtë projket për të bërë këtë nismë zyrtare”, sqaron me tej ajo.
Problemet
Hoxha thotë se më shumë se kurrë fëmijët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë jo vetëm gjuhën italiane në bankat e shkollës por edhe atë nga ata vijnë. Po ashtu ajo nuk lë pa përmendur edhe problemet me të cilat ndeshen më së shumti emigrantët të cilët synojnë të vazhdojnë mësimin e gjuhës shqipe. “Momentalisht zhvillohen kurse të gjuhës shqipe që jepen nga “Shoqata Shqiptare e Mësuesve në Itali”. Mësuesit mundohen të sigurojnë të gjithë literaturat që nevojiten për zhvillimin e gjuhës shqipe. Nga ana e nxënësve ka interes, por jo gjithmonë. Fëmijët që vijnë në moshë të vogël nëse nuk kanë një shtysë nga prindërit nuk shfaqin të njëjtin interes sa pjesa tjetër”, thotë ajo.
Regjistri
Ndërkohë për të gjithë mësuesit në Diasporë është miratuar edhe regjistri i veçantë në bazë të të cilit ministria përgjegjëse për arsimin krijon regjistrin shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë. Ky regjistër do të përmbajë listën e mësuesve të cilët kanë të drejtë të japin mësim për programin e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë. Gjithashtu aty do të pasqyrohen të dhënat e mësuesve në Diasporë të cilat do të bëhen pas vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga ana e tyre, në ministrinë përgjegjëse.
Vëmendja
Edhe vetë mediet italiane i kanë kushtuar herë pas here artikuj sakrificës që bëjnë mësuesit shqiptarë për të mësuar gjuhën shqipe në këtë shtet. Pak kohë më parë “La Stampa” përshkruante se si niste mësimi i gjuhës shqipe në mënyrë vullnetare çdo ditë të diel, për afro dy orë, në shumë qytete dhe intresi nga të rinjtë ishte gjithmonë i lartë. “Rruga e gjatë që bëjnë shqiptarët për një jetë më të mirë dhe dëshira për të mos e humbur gjuhën e nënës kudo që ata shkojnë është për t’u admiruar”, shkruan një artikull i pak muajve më parë./shekulli.com.al