Home KRYESORE Koronavirusi/ Shtimi i rasteve të reja, Pipero: Agresiviteti ka rënë

Koronavirusi/ Shtimi i rasteve të reja, Pipero: Agresiviteti ka rënë

Ditët e fundit në Shqipëri janë konfirmuar një numër i lartë i rasteve të reja me koronavirus. Lidhur më këtë çështje, ka folur mjeku Pëllumb Pipero.

Gjatë një interviste televizive, Pipero ka shpjeguar arsyet që na çuan në shifrat më të larta të të infektuarve që nga fillimi i epidemisë.

Sipas Piperos, me hapjen e plotë të vendit ra vigjilenca e qytetarëve, madje edhe e vetë stafeve mjekësore të cilët krijuan vatra infeksioni në shërbime të caktuara. Po ashtu, mjeku theksoi se situata pritet të përmirësohet pasi agresiviteti i virusit ka rënë.

“Në radhë të parë është heqja e të gjitha masave kufizuese 10-15 ditë më përpara, së dyti është hapja e shumë aktiviteteve ekonomike, baret restorantet, një ndikim kanë pasur edhe tubimet dhe protestat e ndryshme. Po ashtu, një arsye tjetër që e besoj fort është shtimi i numrit të testimeve përmes gjurmimit. Ky është konstatim edhe i kolegëve në botë, ka rënë transmetueshmëria dhe virulenca, por virusi vazhdon të qarkullojë. Koha e gjatë e ekspozimit bën të kemi raste të tjera pozitive dhe të sëmurë. Ndaj, duhet të kemi shumë kujdes. Pas 3 ditësh, situata besoj do të përmirësohet”,- u shpreh Pipero.

Mjeku i shërbimit infektiv thekson se virusi do të jetë në qarkullim, ndaj këshillon popullatën të respektoje masat mbrojtëse për të krijuar imunitet ndaj virusit.

“Të respektojmë në maksimum distancën fizike dhe vendosjen e maskave në ambiente publike krahas higjienës së duarve. Kaq mjafton që edhe nëse ekspozohemi ndaj virusit, të mos sëmuremi, por të fitojmë imunitet”.

Ajo që nuk pritej këtë periudhë nga mjekët është rritja e shtrimeve në spital. Për Pëllumb Piperon, ekspertët duhet të vlerësojnë situatën dhe masat mbrojtëse të popullatës në periudhën e rihapjes./ Opinion.al

Share: