Home KRYESORE Masakra: Që nga inventari i fundit, në Shqipëri janë zhdukur 35% e...

Masakra: Që nga inventari i fundit, në Shqipëri janë zhdukur 35% e pyjeve!

Nga viti 1985, kur është bërë edhe inventarizimi i fundit, kemi zhdukur rreth 35% të volumit të fondit pyjor.

Alarmi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit,  i cili fajëson prerjet e paligjshme si një prej shkaktarëve kryesore të pakësimit drastic të kësaj pasurie publike, nga e cila shteti ka përfituar të ardhura të papërfillshme.

Scan ka zbardhur raportin e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi situatën e pyjeve në vend, ku nënvizohet edhe dështimi i moratoriumit për prerjen e tyre.Dinamika historike e këtij sektori reflektohet edhe në shifra konkrete, teksa sipërfaqja e fondit pyjor llogaritet pak a shumë e njëjtë si më parë, rreth 1 milionë ha apo rreth 36% të sipërfaqes së vendit , ndërsa volumi rezulton aktualisht në më pak se 55 milion m3.

Kjo do të thotë se  krahasuar me vitin 1985, volumi i fondit pyjor është zvogëluar me rreth 35%. Këto shifra alarmante kanë ardhur si pasojë e dëmtimeve të vazhdueshme dhe prerjeve pa kriter në fondin pyjor, shoqëruar kjo edhe me neglizhencën apo pafuqinë e strukturave përgjegjëse për të siguruar mbrojtjen dhe mbarëvajtjen e pyjeve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se problemet me kuadrin strategjik, rregullator dhe burimet njerëzore të reduktuara kanë cenuar realizimin me efektivitet dhe eficiencë të detyrave të MTM në sektorin e pyjeve. Strategjia për zhvillimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri ka qenë tërësisht e pa përditësuar e rrjedhimisht jofunksionale, duke bërë që prej disa vitesh sektori i pyjeve të funksionojë pa objektiva dhe drejtime të qarta strategjike.

Numri i lartë i shkeljeve të konstatuara dhe niveli shumë i ulët i arkëtimit të sanksioneve administrative kanë cenuar zbatimin e moratoriumit për pyjet në Shqipëri, konkludon KLSH, duke nënvizuar se mungesa e strukturave profesionale në bashkitë, bashkë-komunikimi dhe bashkëpunimi pasiv me ministrinë, mosshfrytëzimi i burimeve dhe të ardhurave që fondi pyjor gjeneron, duke e çuar atë në degradim, tregon qartë për mungesë eficience dhe efektiviteti të bashkive në administrimin e pyjeve si pasuri kombëtare.

‘Për më tepër, mungesa e inventarizimit të pyjeve për një periudhë prej më shumë se tre dekadash, ka bërë që informacioni mbi fondin pyjor të jetë jo plotësisht i saktë dhe i pa përditësuar’, thekson në raport Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Share: