Nga Erion Dasho
Diku rreth viteve ’70 një ekip i OBSH pyeti drejtorin-mjek të një prej spitaleve tona terciare:
- Sa e keni përqindjen e infeksioneve spitalore?
- Ne nuk kemi infeksione spitalore.
- Çudi se Franca i ka 12%!
U desh ndërhyrja fine e ministrit-mjek të asaj kohe që kjo gafë të kalohej.
50 vjet më vonë, me spitalet tashmë të unifikuar në QSUT “Nënë Tereza” dhe me një sistem shëndetësor ku roli i mjekëve është duke u bërë gjithmonë e më periferik, mohimi vazhdon.
Pasi u vetëquajtëm vendi më i suksesshëm për parandalimin e COVID, u desh vala e qershorit për të kuptuar se jo vetëm nuk ja kemi kaluar Europës, por kemi akoma një sistem shëndetësor primitiv që punon sipas parimit të strucit.
Një nga shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje e kanë dëgjuar shqiptarët me dhjetëra herë dhe janë PROTOKOLLET!!!
Baza e kujdesit shëndetësor modern është standartizimi dhe baza e standarteve janë protokollet. Protokollet sot janë cilësi, siguri, efiçiencë, efektivitet dhe qasje.
SI SHUMATORE E GJITHË KËTYRE EFEKTEVE, PROTOKOLLET PËRCAKTOJNË DHE GARANTOJNË STANDARTIN E OFRIMIT TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË NIVEL INSTITUCIONI APO SISTEMI.
Protokolli kalon në disa faza: hartimi (jo kopjimi dhe përkthimi), miratimi (nga një institucion i caktuar që e ka këtë tagër), trajnimi i gjithë personelit përgjegjës për zbatimin, furnizimi me medikamente, pajisje dhe materiale konsumi dhe, në fund, mbikqyrja për t’u garantuar se ai po zbatohet.
Në vazhdën e një kulture anadollake, sistemi ynë shëndetësor dështoi të hartonte dhe zbatonte protokollet që do të riorientonin sistemin shëndetësor dhe do t’i kthenin institucionet shëndetësore në vende të sigurt lidhur me COVID.
Pasoja e këtij dështimi ishte shndërrimi i spitaleve, poliklinikave dhe qendrave shëndetësore nga vende ku ofrohet kujdes shëndetësor, në vende ku transmetohet COVID.
COVID NA TREGOI EDHE NJËHERË SE, PA PROTOKOLLE, SISTEMI YNË SHËNDETËSOR DO TË VAZHDOJË TË FUNKSIONOJË NË MËNYRË KAOTIKE DUKE MBETUR EDHE NË SHEKULLIN XXI NJË SISTEM SHËNDETËSOR JASHTË STANDARTIT!