Nga Aleks Martin Kapllaj
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në raportin që bëri para Komisionit Parlamentar të (pa) Sigurisë, justifikoi dhunën kundër qytetarëve, që përdorin vartësit e dikasterit që drejton, ashtu siç bëjnë edhe eprorët e tij, Rama, Ruçi, Lleshaj, të cilët e shohin atë, si të vetmen formë e ardhjes dhe mbajtjes së pushtetit, metoda këto të shndërruara në sistem nga ata vetë.
Gjuha e Drejtorit të Policisë së Shtetit, e kryepolicit Ardi Veliu tregon fytyrën e vërtetë të atyre që e kanë vendosur në atë detyrë, por kurrsesi të shumicës së policëve të ndershëm që rrezikojnë edhe jetën për sigurinë e qytetarëve.
Indoktrinimi e politizimi i policisë shqiptare kuptohet qartë në fjalët e Veliut, në raportin që dha para komisionit parlamentar të (pa)sigurisë, të përbërë kryesisht nga deputetë të partisë socialiste, që bënin pyetje ndihmëse banale, me qëllim injorimin e dhunës që përdori policia në kulmin e pandemisë, në orën 4 e 35 min të datës 17 maj të 2020, kundër kulturës dhe atyre që e mbrojtën duke u sjellur si ushtri e huaj.
Krenaria e gjetjes së burimit të ligjshmërisë, bindja e tij absolute në paraqitjen e videos së nënës së viktimës, si origjina e devijimit edukues në respektimin e rregullave dhe ligjeve nga djali i saj, dhunimi nga ana e policisë si të djalit të saj dhe shkeljes të drejtave të nënës së tij për privatësi, qëllimi për denigrimin e saj dhe vendosjen para akuzave kur ajo është një viktimë e shumëfishtë, tregojnë fytyrën e shefave të Veliut dhe të atyre që përdorin dhunën në polici, por kurrsesi të shumicës të policëve që punojnë me profesionalizëm e me përkushtim e shpirt qytetarie, përtej urdhërave të padrejta të eprorëve të radhës.
Niveli i ulët i njohjes së ligjeve, të kompetencave të tij dhe të gjithë punonjësve nga njëra anë dhe, të drejtave të qytetarëve të cilat duhet të mbrohen nga forcat e rendit nga ana tjetër, tregojnë sa e rëndë dhe e pasigurtë është jeta e shqiptarëve.
Veliu është polic i kohës së diktaturës së proletariatit të luftës së klasave, që në çdo vendim dhe gjykim duhet të shihej prejardhja e të akuzuarit, tipike leniniste që thoshte shikoni prejardhjen e klasës shoqërore dhe gjykoni.
Veliu është doraci i vrasjes të drejtave dhe lirive të qytetarëve, bilez ai nuk e dallon se ku fillon e ku mbaron liria e jonë dhe ku fillojnë e mbarojnë kompetencat dhe roli i policisë.
A nuk ishte Ruçi që thoshte se pushtetin e kemi marrë me armë dhe do ta mbajmë me armë. Ky njeri që duhej të ishte në burg dhe të dënohej për vrasjet e 2 prillit në Shkodër, është sot drejtuesi i parlamentit për të aprovuar ligje moniste.
A nuk ishte Rama, që në orët e para të pandemisë, publikoi videon e dhunës në Spanjë (jo i vërtetë), që po përdorte dhunën ndaj qytetarëve të vendit të tij e kryeministri i ynë e bën shembull për ta përdorur edhe në Shqipëri, por edhe pse e pranon se ishte në Algjeri e jo në një vend demokratik europian, ai me kokëfortësinë e shkatërrimit të gjithë parametrave demokratike dhe të lirive të qytetarëve, krenohet se këtë video nuk do ta heqë nga profili i tij, si mesazh për të gjithë që nëse është nevojë të përdorët edhe në Shqipëri dhe ashtu bëri mbas shembjes së Teatrit Kombëtar.
A nuk ishte shefi i tij Sandër Lleshaj, që pikërisht para komisionit parlamentar, gati dy vite më parë justifikonte dhunën kundër studentëve nga ana e policisë dhe ai përdori si justifikim përdorimin e kompetencave të policisë, kur përdori gaz lotsjedhës kundër protestuesve të opozitës ndaj parlamentit të paligjshëm dhe zgjedhjeve moniste të pakredituara nga presidenti Meta, kur tërhoqi zvarrë qytetarët që po mbronin Teatrin vetëm se ishin në mbrojtje të kulturës, artit e historisë identitare të Shqipërisë, pikërisht në kohën e izolimit të qytetarëve dërgoi 1000 policë në vend që ti përdorte kundër kriminalietit që ka rritje me progres gjeometrik.
Kështu që dorëheqja e Ardi Veliut, duhet kërkuar krahas dorëheqjes së ideologëve të dhunës, Rama, Ruçi, Lleshaj.