Home KRYESORE Përdhunimi dhe verbëria e një morali të shtirur!

Përdhunimi dhe verbëria e një morali të shtirur!

Nga Andris Lleskaj

Para disa vitesh një gjykatës në Angli dënoi bashkëshortin me vendim fajësie për përdhunimin e gruas së tij, ngase gjatë aktit seksual – pasi kishte rënë zilja e derës – ai e kishte marrë në krahë të shoqen deri tek dera për të parë tek syri magjik. Nga pikëpamja ligjore, edhe pse i pandehuri ishte në një kontratë martesore me akuzuesen, u gjykua se kishte plotësuar komponentët e veprës penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë” që nga momenti që gruaja e tij kishte shprehur dëshirën për ta ndërprerë, duke e shfaqur këtë dëshirë në mënyrë të prerë, të qartë, me fjalë dhe shoqëruar me veprime konkrete duke e shtyrë, kurse ai, kundër këtij vullneti kishte vazhduar aktin duke përdorur forcën mashkullore. Gruaja ishte ndier e ofenduar, dhe çështja përfundoi me vendimin e sipërpërmendur.

Në vendin tonë ende nuk mund të përceptohet një lloj vendimi i tillë, apo qoftë edhe një akuzë në dyert e gjykatës bërë nga bashkëshortja kundrejt bashkëshortit ligjor, për arsyen se ai nuk e ka ndalur diçka që ka nisur bashkarisht me pëlqimin e të dyja palëve.

Por vendi ynë ka probleme tmerrësisht më të thella. Që në lindje, ende “shtihet pushkë” kur i linduri është djalë, e “vajtohet” ende për të lindurat e gjinisë femërore. Shprehja popullore “Djali me një pikë uji lahet, por vajza as me një det të tërë.” shpjegon psikikën kombëtare lidhur me pa/rëndësinë që ne u japim fëmijëve sipas përkatësisë seksuale që ata kanë.

Baballarët u mësojnë djemve sesi të puthin shoqen e kopështit, i pyesin se cila është nusja e tyre; të njëjtët baballarë që vajzave nuk ua pranojnë një të dashur “pa ua sjellë djalin që ta kërkojë në shpi!…”

Realiteti shumëkujt nuk i pëlqen.

Statistikat nëpër botë lexohen në revista shkencore sociologjike. Në Suedi, nga 3000 të anketuara mosha mesatare e zhvirgjërimit ishte 15.5 vjeçe, kur subjektet ishin studente të universiteteve. Në anketim patjetër që ndonjëra mund të ketë plotësuar edhe moshën 18, 19 apo më shumë vjeçe; por sidoqoftë mosha mesatare mbeti 15.5, çka do të thotë se vajzat ende pa i bërë 15, mund të quhen gra në plot kuptimin e fjalës. Vendet e tjera qëndronin ca më lart, me mesatare 15.7, 15.9, 16.1, e deri në 19.2 vjeçe. Në mbi 90% të vendeve mosha qëndronte nën moshën madhore ku individi fiton zotësinë e plotë juridike, pra 18 vjeçe.

Kjo vërtetësi e huaj nuk duhet të na habisë, mjafton të pyesim një gjinekolog se sa 15 vjeçare u dërgohen në vit nga prindërit për të abortuar. Në kofidenca mund të merrni të dhëna që ka “paciente” edhe 14 vjeçe. Etika profesionale e Betimit të Hipokratit nuk do lejojë të nxjerrë ndonjë moshë tjetër, por mimika e doktorit do ndryshojë çehre sapo ta pyesni.

Në fakt mosha minimale për martesë, edhe nga Konventat më të sofistikuara pranohet që duhet të përshtatet sipas ligjeve të vendit që i ratifikon dhe lejon të zbresë edhe nën 18 vjeç. Vendimet gjyqësore në Fier, Shkodër, Durrës, Elbasan, etj. tregojnë për 68 martesa nën moshën 18 vjeçe për periudhën 2011-2017, 6 prej të cilave i përkasin moshës 15-16 vjeçare, kurse një vendim martese një bashkëshorteje nën moshën 15 vjeçare.

Gjyshet tona në moshat 16-17 vjeçare ishin duke rritur fëmijën e tyre të parë.

Mbase u zgjata disi por doja të isha i qartë kur them se në rastin e shumëpërfolur të ditëve të fundit për 15 vjeçaren “Problemi nuk është mosha, por përdhunimi.”

Nga ana tjetër nuk mund të qëndroj pa rrjeshtuar një sërë problematikash të tjera si:

  1. Administratori i pallatit a i lagjes që merakoset për mbledhjen e taksave të ashensorit, dritave, pompës e pastërtisë së pallatit, si nuk merakoset për parullat me emra vajzash e mbiemër “kurvë” në muret e ndërtesës?! A nuk duhet të qe një indicie për të bërë një denoncim në strukturat përkatëse?!
  2. I plotfuqishmi i zonës shumë mirë mund ta kishte bërë këtë.
  3. Oficerja i Sigurisë së shkollës?
  4. Psikologia e shkollës?
  5. Prindi që qëndron aq larg e aq ftohtë jetës së vajzës, e që mjaftohet vetëm me pyetjen “Çfarë notash ke marrë?”.

Dhe 6: Vetë viktimat e përdhunimit.

  • një analist që unë s’para e honeps dot, u shpreh se “sikur prindi të mund ta pranonte se 15 vjeçarja kishte të dashur, ajo nuk do të ishte e detyruar që të vente në shtëpinë e 65 vjeçarit”. Në fakt kishte të drejtë, ky ishte i vetmi shantazh që doli se ishte përdorur fillimisht kundrejt saj.
  • pra, përdhunuesi e kishte gjuajtur prenë e tij në pikën e saj të dobët, “foto me një djalë”, e ajo duke dashur ta mbajë të fshehur nga familja u detyrua “ta lajë mutin me shurrë”
    kur të paturit një mik e për të shkuar në një takim me një djalë është gjëja më normale për bashkëmoshataret e saja perendimore.
  • veshja, – e hapur, transparente apo kur lejon ekspozimin e vendeve deri intime të trupit – në jo pak raste përdoret nga avokati mbrojtës i abuzuesit si faktor nxitës i viktimës duke u konsideruar një mesazh i nënkuptuar i dëshirës seksuale, dhe ç’është e vërteta, arrin në jo pak raste që ky lloj justifikimi të bindë edhe trupën gjyqësore për të dhënë një dënim më të ulët ndaj agresorit.
  • sjellja, etj.

Përdhunimi mbetet përdhunim.
Nuk dua të zgjatem më tepër. Jo pa qëllim dhashë që në fillim rastin e Anglisë, për të treguar se patjetër që përdhunuesi është fajtor në momentin që kryen një marrëdhënie duke cënuar vullnetin e lirë – me forcë fizike apo psikologjike – të partneres apo partnerit të tij seksual; por, nuk duhet të harrojmë se përzgjedhja e tij nxitet nga komponentë që disponojnë viktimat e tij të mundshme si: veshja, sjellja, të qënit i/e pashoqëruar, e dobësi të tjera që e kthejnë subjektin në gjahun e tij.

Pedofilia është një sëmundje psikologjike që nuk është shëruar ende as në vendet më të zhvilluara të botës. Atje të akuzuarit për pedofili thjeshtë denoncohen dhe monitorohen në mënyrë të vazhdueshme, por dëshira e tyre qëndron në heshtje derisa shfaqen rrethanat shpërthyese. Pra, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me idenë se jetojmë në një komunitet që përbëhet dhe nga përdhunues e akoma më keq, edhe nga pedofilë.

Prindër, miq, kushërinj, të afërm e të largët;
mësoni se një fëmijë nuk duhet trajtuar më si i tillë, por duhet të përgatitet për botën në të cilën sot jetojmë.

Share: