Home KRYESORE Prokuroria e Hagës akuzon Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për krime lufte

Prokuroria e Hagës akuzon Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për krime lufte

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se të mërkurën u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit ka bërë të ditur se:

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“ Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, u formua me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara „të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“ që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000./ Burimi: REL

Share: