Home KRYESORE Sa e përgatitur është Shqipëria për të përballuar flukset masive migratore?

Sa e përgatitur është Shqipëria për të përballuar flukset masive migratore?

Nga Armela Xhaho*

Gjatë dy viteve të fundit Shqipëria është përballur me fluks gjithmonë e në rritje të azil kërkuesëve dhe imigrantëve të parregullt që përdorin Shqipërinë si një rrugë tranzite për vendet e BE-së. Vetëm në dy javët e fundit të Shkurtit të 2020, 650 persona të huaj që hynë në Shqipëri përherë të parë, nga të cilët rreth 1/3 kërkuan azil. Gjatë 2019 u ndaluan rreth 12,000 persona, gjysma e të cilëve aplikuan për azil (6678), një rritje kjo gati 11 herë më e lartë nëse e krahasojmë me 2017. Lidhur me vendet e origjinës, pjesa më e madhe e të ndaluarve janë nga Siria, të ndjekur nga shtetësi të tjera si Iraku, Pakistani, Maroku, Algjeria, Libia, Palestina dhe Afganistani.

Korridori që ndiqet më shumë është ardhja përmes kufirit të gjelbër me Greqinë dhe kryesisht përmes pikave kufitare në Kapshticë dhe Kakavijë. 

Tendenca të reja të kalimit të kufirit vihen re edhe në pikat kufitare: Konispol / Sarandë dhe Çarshovë / Përmet. Edhe pse statistikat tregojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të migrantëve, Shqipëria nuk konsiderohet ende si destinacioni përfundimtar për të qëndruar apo kërkuar azil. Këto lëvizje migratore kanë përgjithësisht një natyrë tranzitore, pasi Shqipëria shfrytëzohet më së shumti si korridor transit në drejtim të Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë me destinacion përfundimtar vendet e BE‐së. 

Me një dyndje të kaq të madhe të migrantëve brenda një periudhe të shkurtër kohore, ekziston mundësia e një skenari të pritshëm të flukseve masive migratore të cilat mund t’i vënë autoritetet shqiptare përballë një situatë emergjente e cila kërkon sigurisht një përgjigje të shpejtë. Edhe pse këto flukse janë të paparashikueshme, kriza e refugjatëve në nivel global na mësoi se mund të ndodhemi të papërgatitur përballë një situate të tillë, ku vetë sistemi i azilit mund të mbipopullohet dhe imigrantët mund të bëhen shumë shpejtë pre e sulmeve agresive nga vetë popullsia vendase apo slogane ksenofobe nga partitë populiste.

Por, si e ndikon kriza e refugjatëve Shqipërinë dhe sa të përgatitur janë strukturat tona për të menaxhuar këto flukse? Së pari, nëse i referohemi situatës në nivel global, skema e rialokimit të refugjatëve në vendet e BE-se është pothuajse prej kohësh një pakt i dështuar, pasi shumë vende të BE-se refuzuan sistemin e kuotave që supozonte një rishpërndarje të drejtë të refugjatëve. Sigurisht që barra më e madhe ka rënë në vendet e Ballkanit si Greqia, e cila u përball me një rritje të paprecedentë të refugjatëvepas hapjes së kufirit nga ana e Turqisë. Greqia numëron rreth 96.500 migrantë të parregullt për 2019 dhe akoma më shumë priten për 2020. Në këto kushte dhe pa një rrugë zgjidhje alternativë ekziston mundësia reale e devijimit të këtyre flukseve migratore nga Greqia për në Shqipëri, që sigurisht mund të përbëjnë një sfidë për autoritetet Shqiptare.

A kanë institucionet tona infrastrukturën apo kuadrin e duhur ligjor për të përballuar këto flukse në rritje?

Në përgjithësi, Shqipëria ka një kuadër të mirë ligjor dhe institucional për sa i përket azilit. Ligji për Azilin është amenduar muajt e fundit dhe është aktualisht për miratim në Kuvend. Ky projektligj është përafruar pjesërisht me direktivat e Këshillit Evropian dhe Parlamentit, të tilla si standardet minimale për dhënien e mbrojtjes së përkohshme në rastet e flukseve masive si dhe standardet dhe procedurat për dhënien dhe heqjen e mbrojtjes ndërkombëtare e cila përfshin: statusin e refugjatit dhe mbrojtjen plotësuese. 

Sipas këtij projektligji, procedura për përcaktimin e statusit të mbrojtjes ndërkombëtare, si rregull, zgjat 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës dhe mund të zgjatet me 3 muaj më shumë nëse ka procedura shtesë. Edhe pse kjo procedurë është në përputhje me Direktivën e KE për Procedurat e Azilit, shumë vende në botë aplikojnë një afat kohor më të shkurtër. Për shembull, Hollanda e procedon për 8 ditë, Zvicra për 2 javë, Italia për 30 ditë. Sistemi i ri i azilit mund të mbipopullohet nga flukset e reja migratore, duke krijuar trysni në adresimin e nevojave më urgjente. Ndaj dhe është e rëndësishme që të konsiderohet përshpejtimi i procedurave të azilit me qëllim adresimin në kohë të kërkesave për azil. Gjithashtu, Strategjia e Migracionit 2019- 2022, parashikon hartimin e një plani kontigjence duke përfshirë një plan operacional që mbulon aktivitete të reagimit dhe përgjigjes, i cili duhet të përditësohet çdo 6 muaj. Me qëllim garantimin e një qasje më gjithë përfshirëse dhe transparente, ky plan duhet së pari të konsultohet gjerësisht me grupet e interesit dhe të bëhet publik.

Duke ju referuar situatës aktuale, vështirësia kryesore lidhet mepërmbushjen në kohë të kërkesave të azil kërkueseve dhe imigrantëve të parregullt, me qëllim garantimin e plotë të të drejtave te tyre. 

Kjo vështirësi rritet akoma shumë në rastin e flukseve masive. Kapacitete pritëse të Shqipërisë për të përballuar qoftë dhe flukse të ulta migratore, janë të limituara dhe kjo kryesisht për shkak të burimeve të pamjaftueshme si nga ana infrastrukturore apo edhe njerëzore. Këtu mund të veçojmë disa sfida që lidhen kryesisht me mekanizmat e identifikimit dhe referimit të migrantëve. Disa nga sfidat që mund të përmendim janë: 

1) Kapacitete të limituara të autoriteteve shqiptare, për identifikimin dhe ofrimin e shërbimeve për migrantët dhe azilkërkuesit në shkallë të gjerë. Në praktikë, ka ende sfida në garantimin e të drejtës për t’u ndihmuar falas me përkthyes për azilkërkuesitl; 

2) Identifikimidhe referimi në kohëi personave me nevoja të veçanta apo grupeve vulnerabël (p.sh të mitur të pashoqëruar, viktima (potenciale) të trafikimit, gratë e abuzuara, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara). Duhet një koordinim dhe bashkërendim me i mirë i punësmes strukturave vendore apo qëndrore të përfshira në këtë proces;

3) Identifikimi i grupeve qe mund të bëjnë një rrezik potencial për sigurinë apo edhe grupeve te kontrabandisteve që mundësojnë apo lehtësojnë kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në përgjithësi, pjesa më e madhe e migrantëve të parregullt shprehin dëshirën e tyre për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së.

Në këto kushte, rrjete të organizuara të kontrabanduesëve mund të organizojnë, kundrejt pagesës, udhëtimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Këto struktura përdorin kryesisht teknologjinë e informacionit dhe median sociale për të lehtësuar kalimin e paligjshëm te kufirit. Iniciativa dhe organizime te tilla te identifikuara janë: 

Karvani i shpresës që lehtësonte kalimin e imigrantëve Sirianë dhe Irakienë nga Turqia ne Greqi, ose një grup tjetërsi për shembull “Shkëlqimi i shpresës”, i cili që ka për qëllim grumbullimin e refugjatëve dhe azil kërkuesve në Greqi për të kalur kufirin drejt Evropës Qëndrore, nëpërmjet Ballkanit.

Sfida tjetër ka të bëjë me kapacitete pritëse, për të përballuar flukse të larta mikse migratore. Edhe pse kapacitetet pritëse janë rritur gjate kohëve të fundit, ato nuk janë endene nivelin optimal dhe kryesisht përgjatë kufirit. Kapacitetet pritëse konsistojnë në një qendër kombëtare pritjeje për azil kërkuesit në Babrru me 180 shtretër, e cila është duke operuar me një kapacitet maksimal, 1 qendër të mbyllur për migrantët e parregullt në Tiranë / Karreç (150 shtretër) si dhe 3 qendra të përkohshme pritjeje në: 1. Gërhot / Gjirokastër; Kakavijë / Gjirokastër, Kapshticë / Korçëdhe një strehëz në Gjirokastër. Me një fluks gjithmonë e në rritje, është e nevojshme të rriten kapacitetet pritëse qofshin në përmirësimin e infrastrukturës së qendrave aktuale apo edhe në ngritjen qendrave të reja pritëse apo kampingjeve ku të sigurohet strehimi i përkohshëm dhe qasja në shërbimet bazë.

Edhe pse është e nevojshme harmonizimi i plotë i legjislacionit Shqiptar për të arritur standardet e BE-së, sfida më e madhe mbetet zbatimi i ligjit dhe infrastruktura e kufizuar për të përmbushur detyrimet ligjore.

Evropa e gjeti veten përballë një sfide të madhe për të përballuar siç duhet eksodin e refugjatëve, duke qënë se shpesh herë masat e marra kanë qënë në kuadër të një përgjigje individuale se sa kolektive.

Duke marrë parasysh që situata në rajon për sa i përket flukseve migratore, ngelet fluide dhe masat ekstreme si fortifikimi i vazhdueshëm i kufijve kanë pasoja tëdrejtpërdrejta mbi trajektoret / apo natyrën e lëvizjeve të migrantëve, është e rëndësishme që të merren masa prioritare nga ana e autoritete Shqiptare për të menaxhuar dhe adresuar në kohë dhe flukset masive, të cilat tashmë shihen si mundësi reale duke ju referuar edhe situatës në Greqi apo rajon.

Armela Xhaho është studiuese pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Interesat e saj kërkimore përfshijnë migracionin, çështjet gjinore, të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë. Aktualisht, Armela është kandidate për PhD në fushën e migracionit në Universitetin e Groningen, Hollandë. Armela është bashkëautore e studimit “Azilkërkuesit vulnerabël dhe migrantët e parregullt në Shqipëri”.

Share: