Home Gjeo-Ekonomia Transporti publik mund të mos rinisë, shoqatat me 2 kërkesa për ministrinë

Transporti publik mund të mos rinisë, shoqatat me 2 kërkesa për ministrinë

Ditën e djeshme Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se transporti urban do të rinisë punën më 15 qershor por shoqatat e këtij shërbimi kanë paralajmëruar sot se kjo mund të mos ndodhë.

Përfaqësues të shoqatave të transportit dhe punonjës të tyre kanë marshuar sot pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të kërkuar ndihmë pasi ndodhen në prag të falimentit për shkak të mbylljes tre mujore nga pandemia.

Sipas tyre, kjo e sotmja nuk është protestë, “është marshim, protesta do jetë kur ta mendojmë, me mosbindje për të dalë në punë, bllokim rrugësh etj, mbeten për tu parë në vijim”.

Kërkesat e Shoqatës së Transpotit janë heqja e akcizës, ulje pragu të TVSH e subvencionime.

“Të hiqet akciza e naftës. Të ulet pragu i TVSH në 6 %, e kemi 20%. Nëse bëhen këto të dyja nuk kërkojmë asnjë lloj subvencioni, ne nuk e duam përshkallëzimin e situatës se duam të dalim në punë e të rimëkëmbemi se jemi drejt falimentit, do ketë përshkallëzim mbarëkombëtar, e s’do ketë as transport publik të hapur. Rritja te çmimit të biletës, është gjëja e fundit që mendojmë ndaj, kërkojmë që mos të na transmetohet direkt kosto ne”, thanë ata.

Pyetur nëse kanë përfituar pagë lufte nga shteti, ata thanë:

“Po kemi përfituar 100 euro në muaj, as qira nuk paguan as letra higjenike nuk blen dot me 100 euro”. /Opinion.al

Share: