Nga Gladiola Jorbus
Periudha antike
Para katërmbëdhjetë mijë vjetësh, Suedia ishte e mbuluar nga shtresa të trasha akulli. Por teksa akujt nisën të shkriheshin, njerëzit u zhvendosën. Një ndër dëshmitë më të bukura të lashtësisë së vendit nordik janë gurët Ales (suedisht: Ales stenar), një monument megalitik në Scania, në Suedinë Jugore.
Gurët duket sikur skicojnë një anije guri, ovale, e cila shërbente për të vëzhguar ciklet e hënës dhe lidhej me solsticin e verës. Gurët Ales i përkasin epokës së hekurit – kohës para vikingëve, mbretërve të uritur për luftëra, paqes apo garës drejt modernitetit.
Në periudhën e viteve 8000 – 6.000 p.k., Suedia në tërësi popullohej nga njerëz që jetonin duke gjuajtur ose duke peshkuar. Ata përdornin mjete të thjeshta prej guri.
Vendbanimet dhe varret që datojnë nga epoka e gurit, dhe zgjasin deri rreth viteve 1.800 para Krishtit, janë të shumta. Epoka e bronzit shenjoi në krejt rajonin nordik – veçanërisht në Danimarkë, por edhe në Suedi – një nivel sipëror të kulturës, mbështetur në artefaktet e gjetura në varre.
Pas vitit 500 p.k., artefakte të tilla u bënë gjithnjë e më të rralla, sepse përdorimi i hekurit u përqafua masivisht. Gjatë epokës së hershme të hekurit, suedezët e lashtë, përzgjodhën agrikulturën për të formuar bazën e ekonomisë dhe të shoqërisë.
Vikingët dhe të krishterët e hershëm
Epoka e Vikingëve (800-1050 pas Krishtit) karakterizohej nga një ekspansion i konsiderueshëm i aktivitetit, në rastin e Suedisë kryesisht në drejtim të lindjes. Shumë ekspedita vikinge niseshin nga Suedia për të plaçkitur dhe tregtuar përgjatë bregdetit Balltik dhe lumenjve që shtriheshin thellë deri në Rusinë e sotme. Vikingët udhëtonin deri në Detin e Zi dhe Kaspik, ku zhvillonin lidhje tregtare me Perandorinë Bizantine dhe mbretëritë arabe. Krishtërimi arriti për herë të parë në Suedi, përmes një misioni të udhëhequr nga Ansgari, i cili e vizitoi vendin në shekullin IX, por vendi nuk u konvertua në krishtërim deri në shekullin XI.
Themelimi i mbretërisë
Provincat e ndryshme të Suedisë u absorbuan rreth vitit 1000 pas Krishtit në një njësi të vetme, por kurora fitoi ndikim të konsiderueshëm, vetëm gjatë fundit të shekullit XIII. Më 1280, mbreti Magnus Ladulås nxori një statut që autorizonte krijimin e një fisnikërie dhe organizimin e shoqërisë sipas modelit feudal.
Periudha Hanseatike
Tregtia u zhvillua gjatë shekullit XIV, veçanërisht me qytetet gjermane të grupuara nën udhëheqjen e Lübeckut. Nga mesi i shekullit XVI, ky grup, i njohur si Lidhja Hanseatike, mbizotëronte tregtinë Suedeze, dhe shumë qytete u krijuan si rezultat i një veprimtarie të gjallë tregtare. Sidoqoftë, Vdekja e Zezë ose Murtaja, e cila arriti në Suedi në vitin 1350, çoi në një periudhë të gjatë të rënies ekonomike dhe të numrit të popullsisë.
Bashkimi i Kalmarit
Në vitin 1389, kurorat e Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë u bashkuan nën sundimin e Mbretëreshës Daneze Margareta. Në vitin 1397 u formua Unioni i Kalmarit, me tri vendet skandinave nën një monark të vetëm. Sidoqoftë, bashkimi (1397–1523) u shkatërrua nga konfliktet e brendshme që arritën kulmin në ‘Masakrën e Stokholmit’ (një gjyq që çoi në një seri ekzekutimesh në Stokholm midis 7 dhe 9 nëntorit 1520.
Ngjarjet u iniciuan direkt pas kurorëzimit të Kristianit II, si mbret i ri i Suedisë, pasi të ftuarit në festën e kurorëzimit u ftuan në një takim në kështjellë. Atëherë 80 fisnikë suedezë u ekzekutuan me nxitjen e mbretit të bashkimit danez, Kristiani II. Akti provokoi një rebelim, i cili në 1521 çoi në uzurpimin e pushtetit nga një fisnik suedez, Gustav Vasa, i cili u zgjodh mbret i Suedisë në 1523.
Sundimi Vasa
Themelet e shtetit suedez u hodhën gjatë sundimit të mbretit Gustav Vasa (1523–1560). Kisha u nacionalizua, pasuritë e saj u konfiskuan nga kurora, dhe u prezantua Reformimi Protestant. Pushteti ishte përqendruar në duart e mbretit dhe monarkia trashëgimore hyri në fuqi në vitin 1544.
Perandoria suedeze
Që nga shpërbërja e Bashkimit të Kalmarit, politika e jashtme suedeze kishte për qëllim sundimin në Detin Baltik, ndaj kjo situatë degradoi në luftëra të përsëritura me Danimarkën që nga vitet 1560 e tutje.
Pasi Suedia ndërhyri në vitin 1630 me sukses të madh në luftën tridhjetëvjeçare në anën e Protestantëve gjermanë, dhe Gustav II Adolf u bë një nga monarkët më të fuqishëm të Evropës, Suedia mposhti Danimarkën në dy luftërat e 1643-1645 dhe 1657-1658. Finlanda, provincat e Gjermanisë Veriore dhe republikat e sotme baltike gjithashtu i përkisnin Suedisë, dhe pas Paqes së Westphalia-s në 1648 dhe Paqes së Roskildes me Danimarkën në 1658, Suedia ishte një superfuqi në Evropën Veriore. Vendi madje themeloi një koloni jetëshkurtër, në Delaware-n e sotme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sidoqoftë, Suedia kishte një ekonomi kryesisht agrare dhe i mungonin burimet për të ruajtur pozicionin e saj si një fuqi e madhe, në plan afatgjatë.
Shekujt XVIII – XIX
Pas vdekjes së mbretit luftëtar Karl XII në 1718 dhe humbjes së Suedisë në Luftën e Madhe të Veriut, parlamenti Suedez (Riksdag) dhe këshilli ishin mjaftueshëm të fortë për të implementuar një kushtetutë të re që shfuqizoi absolutizmin mbretëror dhe e vendosi pushtetin në duart e parlamentit.
Suedia e shekullit të tetëmbëdhjetë u karakterizua nga një zhvillim i shpejtë kulturor, pjesërisht përmes kontaktit të ngushtë me Francën. Tregtia e jashtme u godit rëndë nga Luftërat Napoleonike. Kjo solli një ngërç të përgjithshëm dhe një krizë ekonomike në Suedi, gjatë fillimit të shekullit të 19-të. Deri në fund të këtij shekulli, 90 përqind e njerëzve e fitonin jetesën e tyre nga bujqësia. Faktor i rëndësishëm ishte dhe emigracioni, kryesisht drejt Amerikës së Veriut. Nga mesi i shekullit të 19-të deri në 1930, emigruan rreth 1.5 milion suedezë
Edhe pse industria nuk pati zhvillim deri në vitin 1890, ajo nisi të hovte me shpejtësi, midis viteve 1900 – 1930 duke e shndërruar kështu Suedinë, në një nga vendet leader industriale për Evropën e pasluftës së Dytë Botërore.
Shekulli XX – një shekull reformash
Suedia e shekullit XIX dallohej për manifestimin e protestave të forta popullore që përfshinin kishat falas, të drejtat e grave dhe të punëtorëve.
Social-demokratët e parë hynë në qeveri në vitin 1917. Votimi u lejua për meshkujt në vitin 1909 dhe për femrat në 1921. Planet për një shtet të mirëqenies u hartuan gjatë viteve 1930, pasi social-demokratët u ngritën në pushtet, dhe hynë në fuqi pas Luftës së Dytë Botërore.
Epoka e pasluftës
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një koalicion i katër partive ‘demokratike’ të Suedisë (me përjashtim të komunistëve) formuan qeverinë. Pasi lufta mbaroi, nën udhëheqjen e socialdemokratëve, por edhe në bashkëpunim të ngushtë me partitë e tjera demokratike, u kryen një sërë reformash në vitet 1940 dhe 1950 të cilat së bashku vendosën themelet e shtetit suedez të mirëqenies. Në të njëjtën kohë, pati thirrje për një modernizim të kushtetutës së vitit 1809.
Një instrument i ri i Qeverisë u miratua në 1974, duke thënë se i gjithë pushteti publik rrjedh nga njerëzit, të cilët duhet të zgjedhin anëtarët e parlamentit në zgjedhje të lira. Monarku është ende kryetari i shtetit, por vetëm me emër. Më 1979, një ndryshim në rendin e radhës u dha trashëgimtarëve meshkuj dhe femra, të drejta të barabarta për fronin. Në përputhje me rrethanat, aktualisht sot në radhën e fronit radhitet Princesha e Kurorës Viktoria, dhe jo vëllai i saj më i vogël, Karl Filip.
Politika e jashtme
Pas një lufte të shkurtër me Norvegjinë në vitin 1814, në bashkëpunim me krijimin e unionit, Suedia nuk është përfshirë më, në asnjë luftë. Që nga Lufta e Parë Botërore, monarkia suedeze ka ndjekur një politikë të mosafrimit në kohë paqeje dhe neutraliteti në kohë lufte, duke e mbështetur sigurinë e saj në një mbrojtje të fortë kombëtare. Pavarësisht kësaj, Suedia iu bashkua Lidhjes së Kombeve në vitin 1920 dhe Kombeve të Bashkuara më 1946. Operacioni i parë i KB-së që përfshinte trupat suedeze u zhvillua në Suez në vitin 1956.
Që nga viti 1994, Suedia ka bashkëpunuar me Nato-n nën partneritetin për paqe. Përmes këtyre organizatave, Suedia është përfshirë në shumë misione ndërkombëtare paqeruajtëse.
Përkujtimore në gurë
Ka më shumë se 2.500 gurë runash në Suedi, me mesazhe që datojnë nga shekulli V deri në mesin e shekullit XII, duke i shndërruar ato në dokumentet më të vjetra të ruajtura suedeze. Në antikitet, ishte traditë që të afërmit të ngrinin gurë në kujtim të një anëtari të vdekur të familjes, kryesisht përgjatë rrugëve, urave apo vendtakimeve, ku mund të shiheshin dhe të lexoheshin nga shumë njerëz.
Popullsia Sámi në Suedi
Dokumenti i parë në të cilin përmenden Sámit daton 2.000 vjet më parë. Norrlandi i Epërm, pjesa më veriore dhe më pak e populluar e Suedisë ka qenë e banuar – për afro 10.000 vjet, megjithatë popullsisë sami iu desh të luftojë për të drejtat e veta dhe të njihej nga Riksdag-u (Parlamenti) si një popull indigjen në vitin 1977. Pas një dekade e gjysmë, në vitin 1993 Parlamenti Sámi u krijua si një organ i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe u konsiderua një autoritet administrativ kombëtar. Ka rreth 20,000 sami në Suedi, rreth 2.500 e të cilëve, e fitojnë jetesën nga blegtoria e renëve (drerëve veriorë), që shquhen për brirët shumë të degëzuar dhe mbahen për qumësht, mish si dhe për të tërhequr rrëshqitëset në dëborë.