Detaje tronditëse kanë dalë nga dëshmia e Blerta Josifit, e mbijetuara e vetme e tragjedisë së vetëflijimit në Kombinat, ku u gjetën të vdekura nëna Zhaneta dhe vajza e saj Anisa Josifi.
Burime ekskluzive për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, bëjnë me dije se vajza e mbijetuar ka pohuar se motra e saj, Anisa, ka vdekur 15 muaj më parë, pikërisht më datë 27 mars 2019. Ndërkohë sipas vajzës, mamaja e saj ka gjetur vdekjen më 2 korrik të këtij viti.
“Motra vdiq më 27 mars të vitit 2019. Mami më 2 korrik të këtij viti” mësohet të ketë thënë vajza.
Më tej Blerta Josifi ka thënë se motra e saj kishte 52 ditë pa ngrënë dhe pikërisht kjo dyshohet t’i ketë sjellë edhe vdekjen.
“Motra ime, Anisa qëndroi 52 ditë pa ngrënë e pa pirë. Në mars të 2020 nisëm edhe ne me agjërimin, pinim vetëm ujë, donim të bënim sakrificë të kthenim motrën në jetë. Përpara se motra të linte ushqimin e pushtuan demonët dhe krizat nervore. Nuk i treguam askujt. ditën që mami ndërroi jetë, u ul në gjunjë të lutej. ” ka thënë ndër të tjera Blerta Josifi.
Gazetarja Anila Hoxha bën me dije se në banesën e familjes Josifi janë gjetur disa libra dhe shënime të një sekti fetar. Ndërkohë policia ka thirrur edhe disa teologë të cilët pritet të hedhin dritë se çfarë do të thonë këto shënime dhe kujt sekti fetar i përkasin.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se familja frekuentonte Kishën Ungjillore por kishte 5 vite që nuk shkonin më. Sipas dëshmisë së Blertës 5 vite më parë ata e braktisën Kishën Ungjillore, ‘për të gjetur vetë rrugën e Zoti.’
Blerta Josifi
Top Channel