Home Gjeo-Ekonomia Kosova me dalje në det, shqetësohet media ruse: Shqiptarët tentojnë të bashkohen

Kosova me dalje në det, shqetësohet media ruse: Shqiptarët tentojnë të bashkohen

Nuk ka mbetur pa reagime takimi i kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës pardje në Tiranë, edhe pse brenda vendit Edi Rama dhe Avdullah Hoti nuk prodhuan polemika.

Media më e rëndësishme e Rusisë, që mbështet influencën e saj në Ballkan, i ka kushtuar një shkrim të posaçëm takimit Rama-Hoti e në veçanti deklaratës së kreut të qeverisë shqiptare për vënien në dispozicion të Portit të Durrësit për interesit e biznesit kosovar.


Edicioni i medias që paguhet nga Kremlini-Sputnik në gjuhën serbe, i kushton një nga komentet e saj javore takimit Rama-Hoti, ku thekson se tashmë “Kosova bëhet me dalje në det dhe shqiptarët tentojnë të bashkohen”.

Sipas Sputnik, logjika e dhënies së një pjesë së kalatave të Portit të Durrësit për biznesin e Kosovës, nga ku mund të paguhet direkt dogana e që futet direkt në buxhetin e shtetit të Prishtinës, është realisht një hap që ndikon në ekuilibrin ekonomik në rajon, pasi ajo që humb është Serbia, e cila ka një volum të madh në importin e Kosovës.

Media e qeverisë ruse, citon në këtë shkrim një publicist serb nga Kosova, Zivojin Rakoçeviç, i cili thekson se “sa herë politika e Kosovës është në hall, gjen ndonjë fabul patriotike për të tërhequr vëmendjen e publikut, siç është këtë herë me akuzat e Hagës ndaj Hashim Thaçit”.

Rakoçeviç thekson se “sa u çlirua nga Serbia, shqiptarët tentuan të bashkohen duke nisur luftëra në Maqedoni, Preshevë dhe një tentativë të dështuar në Mal të Zi, me dëshirën e bashkimit në një shtet”.

Në fakt tezën e “bashkimit të Shqiptarëve” apo të “Shqipërisë së Madhe” e lëshoi as më pak e as më shumë, por vetë ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, kur vizitoi Beogradin para dy javësh, në një editorial të përbashkët me homologun e tij serb Ivica Daçiç.

Ndërkaq, Sputnik, citon edhe kreun e dhomës së përbashkët të tregtisë së Shqipërisë dhe Kosovës, Agim Shahimin, i cili thotë se Hoti nuk kërkoi asgjë të re, pasi këtë e kanë bërë të gjithë kryeministrat e Kosovës.

Sipas Shahinit, Kosova prej kohësh e ka marrë portin e Shëngjinit, por aty duhen shumë të mëdha për të investuar në Kalata, ndërsa Durrësi e ka gati infrastrukturën dhe biznesi i Kosovës do të përfitojë mjaft.

“Tani ne kemi një qeveri të re në Kosovë, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është i gatshëm t’i japë Kosovës privilegjet e biznesit në mënyrë që të forcojë ekonominë e Kosovës. Pra, Hoti kërkoi një pjesë të portit të Durrësit si një shërbim për ne, sepse ne, si Kosovë, përdorim portet e Durrësit, Barit, Selanikut dhe Varnës, që do të thotë se të gjitha importet që ka Kosova, që janë më shumë se 90 për qind, kalojmë nëpër këto porte.

Është e rëndësishme për ne që të kemi stacionin tonë për ngarkim dhe shkarkim, pra, porti i Durrësit, përmes të cilit do të kalonte i gjithë trafiku nga dogana dhe kështu do të rrjedhë në buxhetin e Kosovës ”, theksoi Shahimi, i cili shton se Serbia gjithashtu mund ta përdorë portin e Durrësit, por nëpërmjet vulës së Kosovës

Bashkëbiseduesi ynë thotë se kjo nuk është e mirë vetëm për Shqipërinë, por edhe për Serbinë, sepse është një pjesë e Korridorit të autostradës Durrës – Prishtinë – Nish, seksion që Kosova ka përfunduar në pjesën e saj. Durrësi, si pjesë e portit të Kosovës, shtoi ai, mund të përdoret nga shtetet e tjera përreth.

I pyetur nëse kjo do të thotë se nëse Serbia i dërgonte mallrat e saj përmes pjesës së portit të Durrësit që i është dhënë Kosovës, pra duke përdorur një pullë doganore të shtetit të Kosovës, të cilën nuk e njeh, Shahimi tha: “Nëse përdor pjesën kosovare të Durrësit, kështu duhet të jetë, por Serbia mund ta përdorë pjesën portit që administron Shqipëria. Pra, ka dy zgjedhje.

Duke hequr dorë nga një pjesë e portit të Durrësit në favor të Kosovës, Shqipëria humbet diçka, por që edhe Kosova edhe Shqipëria fitojnë.

“Biznesmenët dhe importuesit që dërgojnë mallra nga deti në Kosovë, tani do të përdorin Shqipërinë, domethënë, pjesën e Kosovës të portit të Durrësit, e cila do të ulë taksat e tyre dhe doganieri nuk ka asnjë vend të tretë si ndërmjetës. Shqipëria, nga ana tjetër, nuk po humbet sepse në këtë mënyrë, shërbimet portin e Durrësit do të rriten”, thekson Shahimi për Sputnik.

Media ruse thekson më tej se Kryeministri shqiptar propozoi një mini Schengen për këtë rajon, por Kosova nuk pranoi, sepse dëshiron të jetë një pjesë e Shengenit të madh.

Si kujtesë, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje me Kosovën në vitin 2019, sipas së cilës dogana e Kosovës mori zyrën e saj të degës në portin e Durrësit. Rama e karakterizoi atë si “hapin e parë” drejt krijimit të një bashkimi doganor midis Prishtinës dhe Tiranës, dhe tha se porti i Durrësit nuk do të ishte vetëm dogana e Shqipërisë, por edhe i Kosovës.

Media e Kremlinit thekson në fund të komentit të saj, se Porti i Durrësit është porti më i madh në Shqipëri dhe ngjan me një “liqen artificial”. Ndodhet në pjesën veriore të Gjirit të Durrësit dhe mbulon një sipërfaqe prej rreth 80 hektarësh. Që nga viti 2014, ai është renditur si porti më i madh në këtë rajon. Porti i peshkimit ndodhet në skajin verior.(Shqip)

Share: