Myrteza Çaushi, i njohur ndryshe si Zani i lagjes Çole dhe një nga emrat më të lakuar në bandat e vitit 1997, ka kërkuar lirinë me kusht. I dënuar me burgim të përjetshëm për një seri krimesh, nga burgu i Drenovës, Çaushi ka kërkuar liri me kusht duke argumentuar se tashmë është rehabilituar, ka fëmijë të mitur dhe nëse del, do të punojë.
E ndërsa pritet që më 17 Korrik Zani Çaushi të paraqesë në seancë provat mbi të cilat mbështet kërkesën e tij, kujtojmë se vitet e fundit disa emra të njohur të krimit dhe drejtues bandash, kanë arritur të lënë qelitë edhe pse ndaj tyre kishte vendime me burg përjetë.
Lulzim Berisha
Ai që shkaktoi jo pak diskutime në këtë aspekt ishte emri i Lulzim Berishës.
Më 5 Dhjetor të vitit 2016, trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës, kryesuar nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin renditi nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori ishte kushti i kryerjes së ¾ të dënimit sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal.
Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.
Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit. Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016. Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012. Vendimi i lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u vulos më 5 dhjetor nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku i asaj kohe Vangjush Dako.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.
I akuzuar për 6 vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar Lulzim Berisha vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg.
Endrit Dokle
Më pak se 4 vite pas Lulzim Berishës, një tjetër eksponent i rëndësishëm i bandës së Durrësit, Endrit Dokle, gjithashtu i dënuar me burgim të përjetshëm, do të linte qelinë.
Dokle i arrestuar që prej vitit 2005, kishte tentuar disa herë që të shpëtonte nga dënimi i përjetshëm. Bashkë me katër anëtarët e tjetë të bandës së Durrësit, Dokle i ishte drejtuar Gjykatës së Lartë për zbutjen e dënimit. ‘Togat e zeza’ në vitin 2014 vendosën që Lulzim Berisha; Plaurent Dervishaj dhe Indrit Taullai të qëndrojnë 25 vite brenda katër mureve, por nuk e kanë ndryshuar vendimin e Krimeve të Rënda për Doklen. Vendimin e Gjykatës së Lartë, Dokle e ka ankimuar në instancën më të lartë ligjore në vend, pikërisht në Kushtetuese.
Më 2 shkurt 2017, Kushtetuesja mori në shqyrtim kërkesën e Endrit Dokles ku mbi një bazë dokumentesh u vendos që kërkesa e tij të rrëzohet, duke lënë përfundimisht në fuqi dënimin me burg përjetë.
Por, gjyqtarja Enkelejda Hoxha, pasi 20 vitesh, ka pranuar kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit të përjetshëm, duke ia konvertuar më 25 vite burg.
Në muajin tetor të vitit 2019, avokatët të mbrojtës të Dokles kishin depozituar një kërkesë për lirim me kusht me pretendimin që klienti i tyre pjesën më të madhe të dënimit e kishye shlyer në qeli. Gjithashtu avokatët kanë rreshtuar edhe disa ligje të miratuara së fundmi dhe amnisti në favor të lirimit të klientit të tyre. Mësohet se gjatë seancës avokatët e Dokles kanë kërkuar lirimin e klientit të tyre me pretendimin se gjatë 15 viteve burg ai ka pasur një sjellje të mirë. Numri dy i bandës së Durrësit, gjithashtu ka deklaruar gjatë séances, se gjithashtu nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Kërkesa e avokatëve është kundërshtuar nga Prokurorët.
Por pas konvertimit të dënimit, Dokle është liruar me kusht 5 vite para se t’i përfundonte dënimi, me një vendim të Gjykatës së Krujës.
HEKURAN BILLA
I ekzektuar me armë zjarri mbrëmjen e 11 qershorit në rrugën “Komuna e Parisit” në kryeqytet, Hekuran Billa u zbulua se kishte qenë gjithashtu një i dënuar përjetë, që falë hapësirave të krijuara nga drejtësia, kishte arritur të rifitone lirinë.
Ai ishte dënuar nga një gjykatë angleze për një vrasje të kryer në Britaninë e Madhe në vitin 2006, ku kishin mbetur edhe tre persona të plagosur.
Në vitin 2014 atij iu njoh dënimi me burgim të përjetshëm por në vitin 2016 gjykata e Apelit do të niste “operacionin” për lirimin e tij. Gjyqtari Lefter Jahaj, ka vendosur të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e burgut të përjetshëm dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vite burgim. Në vendim thuhet se Hekuran Billa duhet të vuajë dënimin nga dita e arrestimit në Shqipëri, 15 nëntor 2007.
Por teksa kishte dhe rreth 10 vite dënim për të kryer, gjyqtarja Enkelejda Hoxha (e njëjta që kishte firmosur edhe daljen e Endrit Dokles) i ka njohur Hekuran Billës disa amnisti dhe i ka falur 5 vitet e fundit të dënimit, duke e nxjerrë nga burgu në shërbim prove me arsyetimin, se ai kishte sjellje të mirë në burg dhe ishte në pamundësi ekonomike, ndaj duhet të punonte për të siguruar ilaçet e prindërve.
Por ndërkohë, Hekuran Billa ishte pronar i disa bizneseve në fushën e tregtisë së automjeteve, në fushën e shërbimit ndaj mjeteve të transportit duke përfshirë gjithë sektorin e mekanikës dhe kishte në pronësi edhe një dyqan.
Gerd Gjinarari (Gjenerali)
Në Shkurt të vitit 2019 pasi kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, Gjykata e Korçës ka liruar me kusht Gerd Gjinararin, i njohur ndryshe si Gjenerali. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e “të fortit” të Tiranës, Naim Zyberi.
Gyqtari Markelian Kuqo, duke arsyetuar kërkesën që i kishte pranuar Gjinararit thase i dënuari ishte rehabilituar plotësisht, kishte sjellje shembullore dhe kishte normalizuar marrëdhëniet me trashëgimtarët e viktimës.
Ndërsa kushti për lirinë e tij është detyrimi për t’u paraqitur gjithë jetën pranë Shërbimit të Provës”. Prokuroria kundërshtoi vendimin dhe ligjin ku është referuar gjykata./Opinion.al