Home KRYESORE Shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, bashkohuni të nënshkruani ngadhënjimin Zaevi dhe...

Shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, bashkohuni të nënshkruani ngadhënjimin Zaevi dhe Mickoski u bënë bashkë, po ju?!

Nga Azgan Haklaj

15- të korriku është prologu i Epopesë Shqiptare. 

Kryeministri shqiptar garanci për barazi qytetare të plotë në të gjitha fushat në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për integrimin e saj në të gjitha strukturat e Bashkimit Europian.

Të dashur vëllezër e motra të Maqedonisë së Veriut! Si kryetar i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut”, nderuar me “Medaljen Gjergj Kastrioti”, si përkrahës e pjesëmarrës fuqimisht në proceset kombëtare ju bëj thirrje shumë vëllazërore e tepër shqiptarisht për bashkim, pavarësisht ndasive, partive, komunave, jo për një ide politike, por rreth një ideali të brezave të tërë, për një vepër historike, që përmbush ëndrrën e kahmotshme.Me dt 15-të korrik bëhuni pjesë e procesit, dilni e votoni kryeministrin e parë shqiptar z Naser Ziberi, në Republikën e Maqedonisë së Veriut që të merrni atë që ju takon, të drejtë e legjitime, shpërblimin e kontributit e investimit mijëra vjeçarë.

E ardhmja është në duart tuaja.Gjithsecili e gjithsecila prej jush, me votën e tij apo të saj për kryeministrin e parë shqiptar vendos një tufë me lule në varrezat e deshmorëve të Kombit, ku prehen eshtrat e atyre që bënë sakrificën sublime, derdhën gjakun, dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën për liri e barazi.Gjithsecili e gjithsecila prej jush me votën e tij, apo të saj bëhet misionarë apo misionare të përmbushjes se amanetit të deshmorëve, bëhet nënshkrues apo nëshkruese të ngadhënjimit historik, realizimit të kauzës së shtrenjtë e të shenjtë, për të cilën janë sakrifikuar mijëra jetë njerëzore, në kalvarin e gjatë shekullorë.Çdo votë e juaja është një gur’ në godinën e qeverisjes realpolitike që do të krijohet, si garante e paqes, bashkëjetesës, harmonisë ndërfetare, ndëretnike, barazisë së plotë qytetare në të gjitha fushat në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për integrimin e saj në të gjitha strukturat e Bashkimit Europian, ashtu siç u përmbyll me sukses antarësimi në NATO.

Mesazhi i thuprave që na ka lanë si testament ideatori i nëntorit të parë të shqiptarëve, arkitekti i Shtetit të Përqëndruar Arbëror, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti (Skenderbeu) sot është më kuptimplotë se kurrë.Askush nuk mund ti thyente thuprat e bashkuara. Nuk ka forcë, mbitokësore, as nëntoksore që t’i mundë shqiptarët e bashkuar. Bashkimi bën fuqinë e fuqia drejtësinë. Kah’ është forca është arsyeja.S’ka termet, tajfun as tsunam politik që do të mund ta lëkundë bashkimin shqiptar e votën e tyre unike.Kryeministri i parë shqiptar është kushtrim fishtian.

Vargjet lapidare të Homerit të ndjesive shqiptare Gjergj Fishta, sot janë më domethënëse se kurrë.L’sho  kushtrimin n’toskë e n’gegë. Mblidhn’u tok si kokrrat n’shegë.Vëllezër e motra shqiptarë të Maqedonisë së Veriut! Mblidhuni si kokrrat e shegës për realizimin e kauzës, finalizimin e ëndrrës. Voto juaj referendare për kryeministrin e parë shqiptar është epilogu i romanit të përgjakur shqiptar dhe prologu i Epopesë Shqiptare. Plebishiti popullor i 15-të korrikut për kryeministrin e parë shqiptar ndan epokat, çel historinë e re, vendos dinjitetin e shqiptarëve, barazinë qytetare.

Shqiptarët  të barabartë mes të barabartëve. 

Ata nuk do të trajtohen kurrë më si qeraxhinj në trojet e tyre, sepse ishin dalzotësit e ruajtjes së sovranitetit e integritetit territorial të Maqedonisë së Veriut.Është koha për kryeministrin e parë shqiptar, i cili do të forcojë e konsolidojë, sovranitetin, integritetin, demokracinë, shtetin e së drejtës. Ai do të punojë me përkushtim për zhvillimin ekonomik e prosperitetin e vendit, duke hartuar një program ambicioz me një kibernetikë adekuate, realizimin e të cilit do ta shoqërojë me një paketë fiskale optimale, për të thithë investime, duke çliruar investuesit e huaj,  sipërmarrësit e bizneset vendase nga barra e stërfishtë dhe tentakulat e oktapodit korruptiv, me një investigim të rreptë në të gjithë hallkat shtetërore, me moton, “tolerancë o ndaj korrupsionit”, me qëllim stimulimin e nxitjen e konkurencës së lirë. Krijimin e shanseve të barabartata për të gjithë qytetarët.Inkurajimin e kontributeve të tyre për rritjen e treguesve makroekonomikë e mikroekonomikë, rritjen e mirëqenies e begatisë, njëkohësisht realizimin e sherbimeve sociale me devotshmëri, si dhe përkujdesje të veçantë ndaj njerëzve në nevojë, në Maqedoninë e Veriut. 

Kontroll të hekurt të shpenzimeve me devizën:”Kursim – investim”. Përfshirjen në të gjitha nivelet e administratës  shtetërore të specialistëve me nivel të lartë profesional e moral, të cilët duhet të veprojnë  energjikisht dhe me operativitet, përtej praktikave  burokratike, në partneritet të besueshëm me institucionet ndërkombëtare, për ti dhënë një impuls të ri, shumedimensional funksionimit shtetëror, apo trupës politike që do të krijohet pas dt 15-të korrik. Është koha për kryeministrin e parë shqiptar. Unë e besoj. Pse Jo? Është e drejtë, e ligjshme, e mundshme. Erdhi dita e triumfit.Ju priftë e mbara.Urime e suksese. E gëzofshi kryeministrin e parë shqiptar z Naser Ziberi.
Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh” ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut”. Nderuar me “Medaljen Gjergj Kastrioti”. Autor i 7-të librave.

Share: