Home KRYESORE Gazetari: Ne nuk shkatërruam komunizmin, por vetëm historinë e tij!

Gazetari: Ne nuk shkatërruam komunizmin, por vetëm historinë e tij!

Nga Mentor Kikia

Me fëmijët e kampit veror të “Qendrës së Librit për Fëmijë” dhe qendrës sociale “Në Shtëpinë Tënde”, ishim në Kepin e Rodonit këtë javë. Mes të tjerash, ndaluam edhe tek disa objekte fortifikimi, tunelet e artilerisë së rëndë.

Këto janë ndoshta të vetmet fortifikime gjigande të kohës së komunizmit që kanë mbetur gjallë.

Në mure janë ende të shkruara detyrat e komandantit të topit, detyrat e shulistit dhe shënjestruesit.

Nëse ka patur një ide që e varrosi përfundimisht ekonominë shqiptare ishte pikërisht fortifikimi që çoi në ndërtimin e rreth 700 mijë tuneleve dhe buknerëve, në çdo cep të vendit. Një çmenduri që hëngri për rreth 15 vjet me radhë fuqi punëtore, hekur dhe beton, sa për të ndërtuar qytete të tëra nga e para. U përgatitëm për një luftë që nuk erdhi kurrë…

Fëmijët nuk dinë asgjë nga ajo që ka ndodhur në këtë vend vetëm 30 vjet më parë. Këto histori u duken të largëta si nga koha e luftës së Skënderbeut, aq sa pyesin: gjylet ishin prej hekuri apo prej guri?

Sa shumë topa e mjete ushtarake kishim nëpër depo dhe i shkrimë për skrap. Përse nuk u ndërtua një muze ku të huajt, që vërdallosen më shumicë këtyre anëve, të mësonin me shume mbi historinë e komunizmit?

Një muze, ku fëmijët të mësonin mbi historinë e vendit të tyre, që të mos dinë vetëm se në komunizëm nuk kishte shumë parti, por vetëm një.

Përse pas vitit 1990, na kapi një çmenduri edhe më e madhe se vetë komunizmi, për të shkatërruar e zhbërë gjithçka, te mire e te keqe? Përse në vendin me regjimin më të egër komunist, nuk gjen fare, apo gjen shumë pak, gjurmë të komunizmit?

Ata që përgjigjen për turizmin dhe kulturën, përpara se të dalin me tufa me lulesh në aeroport për të pritur turistët e huaj, duhet të mendojnë se ku do të shkojnë dhe çfarë do të bëjnë këta të huaj në Shqipëri?

Mesaduket ne zhdukëm vetëm historinë e komunizmit, ndërsa komunizmin e mbajtën, thjeshtë e modifikuam, nga regjim me një parti, në regjim me shumë parti.

Share: