Home Gjeo-Ekonomia Kriza në Mesdhe: “këmbana lufte, apo për paqe të qëndrueshme”?!

Kriza në Mesdhe: “këmbana lufte, apo për paqe të qëndrueshme”?!

Nga Gjeneral * Piro AHMETAJ

Në cilësinë e ekspertit për çështjet e sigurisë kombëtare, si dhe funksioneve të larta që kam ushtruar në NATO, po paraqes një përmbledhje rreth krizës në Mesdheun lindor, si dhe rekomandime strategjike për finalizimin e marrëveshjes detare Shqipëri – Greqi.

I. Një lexim strategjik i peshës gjeopolitike të rajonit të detit Mesdheut:

Mesdhu përfshin 21 shtete (ilustruar në hartën bashkëlidhur), me një sipërfaqe rreth 2,5 milion km2 dhe popullsi që po afrohet 500 milionë banorë. Disa nga vendet e Mesdheut janë anëtare të NATO, të iniciativave si, Iniciativa e Stambollit (ICI), Dialogu i Mesdheut (MDI), si dhe organizata të tjera me bazë rajonale dhe globale.

Interesi i vazhdueshëm për këtë rajon e ka kthyer atë në qendër të aktiviteteve dhe me prezencë ushtarake në rritje jo vetëm të vendeve te rajonit, por dhe të NATO-s, BE, SHBA, Rusisë, Kinës. NATO prej vitit 2001, në mënyrë përmanente mban prezencë detare, me operacionin “Active Endeavour”, në përgjigje për sulmet terroriste të 11 Shtatorit, sigurimin e rrugëkalimeve detare dhe parandalimin për përhapjn e armëve të dëmtimit në masë, si dhe mbas 2016 në operacionin “Sea Guardian”, në detin Egje për menaxhimin e krizës së refugjatëve në këtë rajon.

Rusia, nga ana e saj ka krijuar një instalim detare në Siri (e vetmja bazë detare jashtë kufijve të ish-BS) me një projekt ambicioz investimi në infrastrukturën portuale prej rreth 500 milion dollarë dhe akomodimin e deri në 11 luftanijeve, përfshi dhe ato nukleare, nëpërmjet të cilave aktualisht patrullon dhe monitoron Mesdheun Lindor.

Rivaliteti për hegjemoni ne rajon, përpjekjet e Rusisë dhe vitet e fundit edhe Kinës për t’u rifaktorizuar fortë dhe për të vënë në provë kohezionin e NATO-s dhe BE-së, e kthen Mesdheun në një rajon me rëndësi strategjike në të cilin, përfshi edhe pretendimet territoriale (border disputes), dhe ato të ndarjes së hapësirave detare (kryesisht për Zonat Eskluzive Ekonomike) mund të riciklojnë dhe iniciojnë konflikte me efekte deri në nivel global.

II. Marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet që po trondisin paqen në Mesdhe:

Megjithë përpjekjet, veçanërisht stabiliteti në Mesdheun Lindor mbetet ende i brishtë. Thelbi janë mosmarrëveshjet Greko – Turke, që lidhen me ndarjen e zonave ekonomike detare (EEZ).

Të dy shtetet janë anëtare të NATO-s, megjithatë aleanca e 30 vendeve nuk ka ende një mekanizëm për të ndaluar apo zgjidhur mosmarrëvshjet midis vendeve anëtare.

Shqetësimi turk qëndron në faktin se duke patur vijën bregdetare më të gjatë në rajon, nuk mundet të lejojë që një sërë ishujsh Grek përballë këtij bregdeti të kenë të njëjtën peshë në ndarjen e hapësirave detare.

Kjo politikë tashmë mbështetet dhe nga doktrina Turke “The Mavi Vatan” (Blue Homeland), inicuar në 2006, dhe formalizuar në Shkurt 2019 me stërvitjen detare me të njëjtin emër. Sipas kësaj doktrine Turquia zotëron një hapësirë detare të barabartë me gjysmën e sipërfaqes tokësore të Turqisë e shtrirë në detin e Zi, Egje dhe Mesdhe.

Greqia i refuzon pretendimet e Turqisë mbi ishujt e Egjeut, dhe ka kërkuar që t’i zgjidhë nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare që në vitin 1974. Megjithatë Greqia aktualisht ka ndërmarrë një fushatë diplomatike shumplanëshe për nënshkrimin e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare me disa vende, Italinë, Egjyptin, Qipron, Shqipërinë, etj.

7 muajt e fundit, hapësira detare e Mesdheut është acaruar nga 4 marrëveshje bazë-delimitimi:

  1. Marrëveshja Turqi – Libi: “Dominim nga Turqia i Mesdheut Lindor; si kërcënim ndaj sovranitetit detar të Greqisë, si dhe anashkalim i ambicieve dhe interesave të Francës, Italisë, etj., në Mesdheun Lindor. Kjo marrëveshje, e Mirëkuptimit midis Turqisë dhe “Qeverisë së Mirëkuptimit të Libisë” është kundërshtuar nga qeveria e Libisë Lindore.
  2. Marrëveshja Greqi – Itali: kjo marrëveshje mund të konsiderohet se arriti dy qëllime, e para ndau përfundimisht zonën ekonomike eskluzive midis dy vendeve, dhe e dyta, paraqet një “Rivalitet ndaj marrëveshjes Turko – Libiane, si dhe ndaj dominimit absolut të Turqisë në Mesdheun Lindor me rezerva gazi dhe peshë gjeopolitike”.
  3. Marrëveshja Izrael – Qipro – Greqi: tre marrëveshjeve të mësipërme i shtohet dhe ajo e projektit SEAMED si “Përpjekje për të rivalizuar dhe balancuar Turqinë = me Projektin SEAMED 6 miliard Eur, i cili furnizon 10 % me gaz në Europë”.
  4. Marrëveshja detare Egjipt- Greqi: “si benzinë në zjarrin e mosmarrëveshjeve”!

Ashtu si dhe ajo Turko – Libiane kjo marrëvshje mbivendosin një hapësirë detare, çka e agravoi më tej situatën. Për Turqinë, sigurisht kjo marreveshje është e pavlefshme, duke theksuar se: “Greqia dhe Egjipti nuk kanë asnjë kufi detar të ndërsjellë dhe se marrëveshja dhe zona e demarkuar në marrëveshje gjendet në shelfin kontinental të Turqisë”.

Situata e krijuar ka sjellë përplasje edhe brenda politikës edhe mes vendeve. Keshtu, ndërsa, kryeministri grek Mitsotakis deklaroi se marrëveshja me Egjiptin është “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ish-ministri i jashtëm i Greqisë, Kotzias, e kontestoi, duke shtuar se me këtë hap “Greqia ka dobësuar fuqinë e saj të negocimit në të ardhmen me Shqipërinë dhe Turqinë”. Nga ana tjetër, edhe opozita egjiptiane, e ka cilësuar këtë marrëveshje të pavlefshme, pasi besojnë se Egjypti ka humbur nga zona eskluzive ekonomike disa qindra miliarda dollarë.

Situata mbetet mjaftë e acaruar dhe në rangun e diplomacisë ndërkombëtare. Athina po e “ngre fort zërin” dhe: “nuk përjashton opsionin e një konfrontimi ushtarak edhe nëse do mbeten vetëm në mbrojtje të sovranitetit detar të Greqisë”. Por kundërpërgjigja vjen menjëherë nga Ministri i Mbrojtjes së Turqisë: “E them me siguri matematike se, Greqia nuk do të dëshironte të niste nje luftë me Turqinë, dhe kështu MM të Greqisë do t’i ketë rrëshqitur goja … ”!

Gjithashtu, Ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu akuzon Francën se sillej si “gangstere”, duke paralajmëruar, se çdo sulmuesi ndaj një anijeje turke do t’i duhet të “paguajë një çmim të lartë”. Megjithatë, Ankaraja nuk dëshiron që konflikti të përshkallëzohet, edhe pse për Turqinë, është Greqia duhet të sillet “në mënyrë të arsyeshme”.

Në terren, tonet rriten dhe incidentet janë kërcënuese, pasi një flotë turke e përbërë prej anijeve ushtarake, si dhe anije kërkimore po kryejnë kërkime për gaz në zonën detare mes Qipros dhe ishullit të Rodosit, për të cilën Greqia pretendon se i përket EEZ të saj.
Franca, e konsideruar si nje “mik i vërtetë i Greqisë”, përkundër edhe “shqetësimit të USA”, ka përforcuar praninë e anijeve ushtarake, në kuader të stërvitjeve të përbashkëta në rajon !
Gjithësesi, Presidenti Erdogan, ka deklaruar se mbetet i hapur për dialog duke theksuar se aijet turke nuk kanë cënuar asnjë ligj ndërkombëtar dhe kërkimet do të vazhdojnë deri më 23 gusht.

Ndërsa, prej javësh me rritjen e tensioneve Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje udheheqesve te dy vendeve për të shmangur konflikte dhe zhvillojne dialogun.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, BE dhe SHBA janë shprehur vetëm për vetpërmbajtje dhe dialog, por duket se BE, do të jetë violina e pare per ta ndaluar përshkallëzimin e konfliktit mes Greqisë dhe Turqisë, edhe pse për momentin duket se nuk do të vendosë masa ndëshkuese.
Gjithësesi, lufta është opsioni i fundit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, pasi historia na ka mësuar se nga përballjet e armatosura nuk ka fitimtarë, të gjithë dalin të humbur.

Thënë ketë, besoj fortë se meknizmat diplomatike do të privalojne dhe një strategji afatgjate mes vendeve që ndajnë interesa të përbashketa, në bashkëpunim dhe nën monitiorimin e BE, NATO, SHBA, do të adresojnnë burimet e mosmarrëveshjeve dhe duke i transformuar ato në oportunitete, në dobi të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të qytetarëve dhe vendeve të rajonit!

III. Vlerësime strategjike mbi marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi:
Ri-theksoj se zhvillimet gjeopolitike dhe pesha e 4 marrëveshjeve të sipërcituara, po ndiqet me shqetësim shtesë në të gjitha vendet e Mesdheut, si dhe SHBA, NATO, Rusia dhe jo vetëm.

Po me negociatat Shqiptaro – Greke çfarë po ndodh ? Si mundet të lexohet deklarata e zotit Kotzias, se “Greqia ka dobësuar fuqinë e saj të negocimit në të ardhmen me Shqipërinë” ?!

Lexuar kështu:“heshtja e qeverisë në ikje, lexohet, si kapitullim pa kushte ndaj interesave gjeopolitike të RSH”, pasi institucionet zyrtare kanë përgjegjësi kushtetuese të informojnë shqiptarët për impaktet e këtyre 4 marrëveshjeve ndaj interesave detare të RSH, si dhe mbi gjëndjen dhe rezultatet e grupit negociator, problematikat dhe pritshmëritë e negociatave me Greqinë, përfshi trekëndëshin detar mes Greqisë – RSH – Italisë ?!

E thënë me thjesht, përtej përqasjes prapagandistike në 7 vjet, qeveria në ikje dhe Institucuionet përgjegjëse, kanë dështuar për ti dhëne zgjidhje delitimimit të ujrave detare me Greqinë.
Të mos keqkuptohemi, nuk po rekomandoj: “as t’i biem Grekut, as shpallim lufte mesdheut”! Në të kundërt, besoj fort se dialogu konstriktiv, i bazuar në konventat ndërkombetare dhe paqja e qëndrueshme mbetet jo vetëm opsioni i vetëm por sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët.

Kështu, në planin afatshkurtër, në cilësinë e ish-këshilltarit, do t’i rekomandoja Presidentit të Republikës që, mbështetur në nenin 92/h të Kushtetutës, t`i kërkojë Ministrit të Jashtëm (Ai dhe Kryeministër): “informacion shterues mbi vlerësimet e RSH mbi këtë situatë dhe 4 marrëveshjet e sipercituara, si dhe gjëndjen e ekipit zyrtar, problematikat dhe produktin e negiociatave”.

Në planin afatmesëm, mbetem shpresëplotë, se në programin e qeverisë 2021-2025, jo vetëm që kjo çështje do të vendoset si sfidë politike, por do ti jepet zgjidhje përfundimtare delimitimit të ujrave detare me Greqinë, në mënyrë që asetet në këtë hapësirë të përdoren në dobi të mirëqënies të qytetarëve dhe shoqërisë së dy vendeve tona.

  • Gjeneral ® Piro AHMETAJ,
    Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
    Ish-Këshilltar Ushtarak i President të Republikës,
Share: