Home KRYESORE KRIZA PANDEMIKE DHE KRIZA E QYTETËRIMIT PERËNDIMOR

KRIZA PANDEMIKE DHE KRIZA E QYTETËRIMIT PERËNDIMOR

Nga Ridvan Peshkopia

Pandemia botërore (e cila në thelb është një epidemi në Qytetërimin Perëndimor) zbuloi hapur atë që tashmë kishte kohë që po diskutohej në periferi të këtij qytetërimi. Thelbi i saj është se idetë perëndimore të lirisë dhe individualizmit janë broçkulla, se demokracia liberale është një sistem ideologjik i cili, ashtu si çdo sistem tjetër ideologjik, është ndërtuar mbi një kuptim të gabuar të natyrës njerëzore, përkatësisht se individi është ontologjikisht i lirë dhe racional dhe se ai kontraktualisht lidhet me njerëz të tjerë duke dorëzuar disa liri te një arbitër i përbashkët, shteti, me qëllim që të zgjidhë Dilemën e Veprimit të Përbashkët. Shteti që ai ndërton kësisoj mbetet vetëm një mjet në duart e tij. Individi sillet ndaj shteti sikur do të sillej ndaj lopatës së vet: as nuk e adhuron atë por as nuk e shkatërron. Individi thjesht e përdor shtetin për të mbërritur qëllimet e veta. Individi e kontrollon shtetin, e ndryshon dhe përmirëson atë në mënyrë që ai t’i shërbejë sa më mirë këtij individi.

Kjo utopi kontraktualiste nuk ndryshon shumë nga utopia komuniste sipas të cilës, në komunizëm gjithkush do punojë sipas mundësisë dhe do marrë sipas nevojës. Ideja që individi e kontrollon shtetin po diskteditohet me shpejtësi çdo ditë. Në kohën tonë, në të gjitha demokracitë liberale dhe ato që po tranzitojnë drejt tyre, po rritet gjithmonë e më shumë distanca mes qytetarit dhe shtetit. Besimi i qytetarëve në vendet e Qytetërimit Perëndimor ndaj sistemit të tyre politik dhe institucioneve është në rënie të vazhdueshme, ashtu sikundër pjesëmarrja në votime. Njerëzit nuk dalin në votime sepse nuk besojnë se vota e tyre do të sillte ndonjë ndryshim të statuskuosë ku ka hyrë sistemi i tyre politik. Individët nuk ndihen të përfaqësuar as politikisht dhe as kulturalisht. Me rritjen e kompleksitetit institucional të demokracive liberale, ndikimi i individit në politikë dhe politika zvoglohet pambarimisht dhe gjithçka mbetet janë kushtetuta të tejkaluara dhe të deformuara nga interpretimet aktiviste të sistemeve gjyqësore thellësisht të politizuara. Qytetari e gjen veten ose të mbërthyer në rrjetën e politikave elitiste të cilat nuk i interesojnë, ose të braktisur në periferi të shoqërive të sunduara nga metroseksualët e qëndrave të qyteteve. Diferenca mes qytetarëve dhe elitave politike liberale vetëm sa ka filluar të shfaqet politikisht në formën e Breksitit apo zgjedhjes së Trampit si president i Shteteve të Bashkuara por kjo është vetëm maja e ajsbergut e problemeve që gjenden ende nën ujë.

Po a është e bazuar pandehma themelore Lokiane e demokracisë liberale, supozimi iluminist se individi është ontologjikisht i lirë dhe racional? Teksa këtë pandehmë nuk mundemi ta testojmë empirikisht (prandaj quhet pandehmë), logjikisht ideja ka shumë gropa. Problemi kryesor është biologjia: Individi nuk është kodifikuar gjenetikisht për të qenë i lirë. Psikologu kanadez Xhordan Piterson [Jordan Peterson] shkon 250 milion vjet mbrapa në kohë te karavidhet e detit për të treguar se jetesa organike strukturore është pasqyrim i një programimi gjenetik që njeriu e ka trashëguar nga parardhësit e tij më të ulët në një process të gjatë evolutiv. Një përkufizim aristotelian për njeriun e quan atë “kafshë shoqërore.” Si i tillë njeriu nuk jeton dot jashtë shoqërisë; ajo vendos tek individi kufizime të shumta deri në nivelin formatues. Me sa duket, individi nuk e ndërton shoqërinë, siç do donin të besonin liberalët individualistë por ndoshta vetë njeriu ndërtohet nga shoqëria, siç pandehin strukturalistët e majtë duke ndjekur traditën e Xhambatista Vikos [Giambattista Vico] dhe Johan Gotfrid Hërderit [Johann Gottfried Herder] e të kulminuar me Hegelin [Georg Wilhelm Friedrich Hegel] (dhe ku sipas një neo-hegeliani si Karl Marksi, njeriu ka ndërgjegjen politike të klasës së cilës i takon – lexo “rrethanat shoqërore bëjnë individin”). Eksperimentuesit kanë gjetur se një grup individësh të lënë të lirë formojnë herët a vonë struktura hierarkike. Ky është konfirmim empirik i atij që quhet Ligji i Hekurt i Oligarkisë i formuluar në 1911 nga sociologu gjerman Robert Mishels [Robert Michels].

Në librin e tij Arratisje nga Liria, Erik Fromi [Eric Fromm] hap një dritare shumë interesante. Sipas tij, nazizmi ishte një fenomen gjerman i cili triumfoi në kontekstin e këtij vendi, kryesisht si rrjedhojë e konstitucionit autoritarist të kulturës shoqërore gjermane. Struktura e familjes gjermane kishte në krye të saj babain autoritar, i cili merrte vendime për gjithë familjen. Ai caktonte se me cilin do martohesin vajzat dhe cilat studime e shtigje kariere do ndiqnin djemtë. Sipas të njejtit model, Kaizeri ishte babai autoritar i kombit gjerman dhe ai merrte vendime për të gjithë gjermanët. Detyra e kombit ishte t’i bindej Kaizerit dhe të kishte besim në vendimet e tij të drejta. Por Lufta u humb, Vilhelmi II abdikoi dhe liritë e sapofituara politike të Republikës së Weimarit i prezantuan gjermanët me përgjegjësinë që vjen me to, përgjegjësinë për të zgjedhur. Përvoja tregoi se gjermanët nuk ditën mirë ta mbajnë peshën e kësaj përgjegjësie dhe vitet 1920a u shoqëruan me mungesë stabiliteti politik dhe Depresionin e Madh të vitit 1929. Aty nga fillimi i dekadës pasardhëse, shumë gjermanë ishin lodhur tashmë nga barra e përgjegjësisë së lirisë dhe vendosën t’ia dorëzojnë atë atij që me më shumë zjarr e zell betohej se do ta ushtronte detyrën e zgjedhjeve dhe zgjidhjeve aq të vështira për një kolektiv që nuk dinte t’i kryente ato: Adolf Hitlerit. Pjesa tjetër është histori.

Por Erik Fromi ishte një psikolog marksist i cili besonte te humanizmi marksist dhe propozimin e tij teorik ai e kufizoi në kontekstin e Gjermanisë së kohës së tij. Sipas traditës intelektuale dhe akademike marksiste dhe neomarksiste të Fromit dhe Adornos [Teodore Adorno], liria mund të humbej vetëm djathtas, aty ku flinte edhe autoritarizmi i krahut të djathtë. Këta gjysëm-shkenctarë e gjysëm-ideologë të majtë nuk mund të kuptonin dhe as të pranonin se liria mund të humbet djathtas e majtas e madje edhe në qendër. Këto kufizime që vendoste mbi ta pseudoshkenca marksiste i penguan ata të mbërrinin në përfundime më të përgjithësuara në hapësirë gjeopolitike dhe kohë historike; kontributet e tyre do të kishin qenë shumë më të mëdha dhe më të respektuara nëse ata do ta zhvishnin analizën e tyre nga konteksti gjerman dhe do përfshinin në të vetë individin, pa marrë parasysh trajtat e tij etnike, fenotipike apo socioekonmike. Sepse bjerrja e lirisë së individid dhe arratisja e tij nga liria janë fenomene universale që kanë së paku pesë dekada që po e shoqërojnë Qytetërimin Perëndimor dhe periferitë e tij. Ky qytetërim ka tashmë pothuajse pesë dekada që i vendos qytetarët e vet përballë zgjedhjesh të vështira siç janë heqja e dënimit me vdekje, legalizimi i abortit, liria seksuale, normalizimi i homoseksualitetit, martesat brenda gjinisë dhe normalizimi i transeksualizmit. Të gjitha zgjedhjet për këto çështje në Perëndim janë kryer kryesisht pa pjesmarrjen e qytetarit dhe madje kundër vullnetit të tij. Ato janë marë me vendime politike apo juridiko-politike nga elita liberale (në të dy anët e qendrës politike) dhe pa qytetarët, të cilët kanë mbetur pa opsione zgjedhjeje përballë elitave të unifikuara në liberalizëm.

Rishkrimi i kurrikulave të historisë në vendet e Qytetërimit Perëndimor nën prizmin neomarksist të paraqitjes së këtij qytetërimi si kolonizator, shkelës, pushtues, patriarkal, mizor dhe shfrytëzues ka bërë që miliona të rinj të rriten në një qytetërim tek i cili jo vetën që nuk kanë besim por për të cilin besojnë se është i keq dhe duhet përmbysur. Kjo mungesë besimi në një qytetërim shprehet në formën e mungesës së angazhimit për ta prokrijuar atë, çka ka rezultuar në nivele negative të rritjes së popullsisë në shumë nga vendet e këtij qytetërimi. Në kulturën politike neomarksiste të perëndimit të sotëm, virtyti nuk është tek europiani i bardhë por te njerëzit me ngjyrë nga kontinente të tjera. Kësisoj, bashkë me zëvendësimin e popullsisë europiane, po ndodh edhe zëvendësimi i vlerave. Tashmë në Perëndim, vlerat universale të lirisë së individit po zëvendësohen me virtytin tribal të së qenit i shtypur për shkaqe që nuk varen nga individi (përkatësia në një racë apo klasë socioekonomike të perceptuar si e paprivilegjuar). Tradita marksiste sugjeron se virtyti është tek i shtypuri. Kësisoj, sipas këtij botëkuptimi, lejimi i dyndjes së kontinentit nga popullsi joeuropiane është në fakt veçse një shpagim që europianët e pavirtytshëm u bëjnë popujve të tjerë (supozohet se janë të virtytshëm) për padrejtësitë historike që u paskan shkaktuar atyre ndër shekuj. Një ndjenjë faji shoqëron edhe qëndrimin ndaj vlerave europiane dhe, nga qarqet më ekstreme (kryesisht në jetën universitare), arritje apo karakteristika të tilla perëndimore si matematika, matja e kohës, ajri i kondicionuar, korrektësia në orar, 40 orë punë në javë, martesat heteroseksuale, etj sot konsiderohen si raciste, seksiste, patriarkaliste dhe shtypëse.

Historia e fundit na ka treguar se në Qytetërimin Perëndimor, ato diskurse që përpara 20 vitesh konsideroheshin si llomotitje lunatike të akademikëve të shkarë nga trutë e kokës sot janë dogma të ngulitura kundër të cilave nuk mund të thuash gjysëm fjale pa u etiketuar si racist, seksist, patriarkalist borgjez apo cisgjinor. Sot, edhe vlera thelbësore e Qytetërimit Perëndimor, besimi illuminist se individi është i lirë dhe racional po birret çdo ditë në presionin tribalist të shoqërive gjithmonë e më të polarizuara ekonomikisht dhe heterogjenizuara etnikisht. Në kushtet e këtij polarizimi, heterogjenizimi dhe tribalizimi, forca e individit tashmë nuk është më tek individualiteti i vet por tek tribuja në të cilin natyra apo rrethanat socioekonomike e kanë vendosur. Sot individi në Perëndim dhe periferitë e tij nuk është më i lirë, kështu që konceptin e një lirie që ai nuk e ka e hedh shumë shpejt tej, si gjarpri lëkurën e tij të vjetër.

Rrëmbimi, shkelja dhe dhunimi me lehtësinë më të madhe nga qeveritë anembanë vendeve të Qytetërimit Perëndimor dhe periferive të tij i lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë periudhës së pandemisë sjell në pikëpyetje ekzistencën aktuale të këtyre vlerave. Këto janë pikërisht ato vlera me të cilat politikanë të demokracive liberale u kanë rokanisur kokën udhëheqësve të vendeve të tjera prej tashmë disa dekadash. Në emër të këtyre vlerave, vendet e Europës Perëndimore dhe ShBA-të kanë kërkuar ndryshime regjimesh, shpalluar luftra, bombarduar kundërshtarët dhe kushtëzuar tregtinë me vende të tjera. Këto vlera u arritën me gjakun e qindra milionë qytetarëve nga barrikadat e rrugëve të Parisit e deri në llogoret e Luftës së Parë Botërore, nga Inkuizicioni e deri te Holokausti. Por këto vlera u braktisën rrugëve kur bartësit e tyre, qytetarët e zgërlaqur të Qytetërimit Perëndimor të sotëm, u futën nëpër bira si minj dhe lanë qeveritë t’ua dhunojnë ato sipas qejfit nën pretekstin e mbrojtjes nga “armiku i padukshëm”, virusi sezonal i gripit i ambalazhuar dhe etiketuar pakëz më ndryshe.

Me nëpërkëmbjen e këtyre vlerave me të cilat mburrej si arritja e tij më e madhe dhe unike, Qytetërimi Perëndimor dëshmoi edhe një herë se liria individuale nuk është pjesë e konstitucionit ontologjik të njeriut; njeriu nuk është përbrendësisht i lirë dhe pandaj nuk di ta përdorë lirinë dhe madje as nuk i duhet ajo, prandaj edhe nuk e mbron atë. Liria individuale nuk është një gjendje natyrore, siç shpallnin kontraktualistët; ajo është një ide dhe për realizimin e saj, njerëzit janë të gatshëm të vdesin, ashtu si edhe për ide të tjera. Por po ta zhveshësh njeriun nga kjo ide, ai nuk lëviz as gishtin për lirinë. Nëse liria do të ishte gjendja jonë natyrore (siç është plakja, për shembull), ne do ta arrinim atë organikisht, pa luftë (siç arrihet plakja) dhe marrja e saj prej nesh, për cilëndo arsye, do të ishte e pamundur (siç është e pamundur shmangia e plakjes).

Mbëritja në këtë përfundim nuk është as e lehtë dhe as e zhveshur nga domethënia. Me shpërbërjen e pandehmës themelore filosofike të Qytetërimit Perëndimor, individit të lirë dhe racional, u shpërbë edhe thelbi i këtij qytetërimi, u palos shtylla e tij kurrizore, humbi esenca dhe arsyeja e ekzistencës së tij. Rënia e Qytetërimit Perëndimor filloi kur vendet e tij legalizuan abortin (aktin makabër të shkuljes së fëmijëve nga barku i nënave në emër të të drejtave të grave për të zgjedhur, si një e drejtë e njeriut) dhe kulminoi me rendjen tutje prej këtyre vlerave me teshtitjen e parë të shkaktuar nga një grip sezonal. Qytetërimi Perëndimor është tashmë një kufomë e pakallur që po qelb dhe infekton pjesën tjetër të globit teksa dekompozimi i tij po ekspozon pjesën tjetër të njerëzimit me disa sëmundje sociale të papara apo padëgjuara ndonjëherë më parë.

Share: