Home KRYESORE Presidenti Meta dekreton 12 rektorët e rinj të universiteteve

Presidenti Meta dekreton 12 rektorët e rinj të universiteteve

Procesi i zgjedhjes së rektorëve të rinj të universiteteve në Shqipëri është mbyllur sot zyrtarisht me dekretimin nga ana e Presidentit Ilir Meta të 12 rektorëve fitues në zgjedhjet universitare.

Në Presidencë u organizua ceremonia e posaçme, ku 12 rektorë, morën zyrtarisht detyrën. Rektorët e rinj, do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme institucionet publike të arsimit të lartë në vend.

Presidenti Meta gjatë fjalës së tij u shpreh:Zgjedhja dhe përzgjedhja juaj erdhi nëpërmjet një procesi jo të lehtë, veçanërisht prej situatës së pazakonshme të pandemisë, të papriturave dhe përpjekjeve për t’u përshtatur me masa të cilat shpesh edhe u kontestuan. Prandaj edhe sfidat përpara jush janë të vështira por jo të pamundura.  

Sfidat dhe vështirësitë me të cilat do të përballeni do të jenë të shumta, sidomos në këtë periudhë pandemie e cila kërkon edhe më shumë impenjim dhe strategji të veçantë për të garantuar cilësi dhe studime sa më efektive. Me marrjen e detyrës suaj, ju nxis të punoni pa u lodhur për t’i transformuar universitetet në qendra më aktive shkencore.

Kreu i shtetit, bëri të ditur se, “Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë për shpresë! Edukimi i mirë i rinisë është shpresa e madhe e vendit tonë.  Duhet ndalur largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë. Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe! U duhet ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain

Presidenti Meta theksoi se: “Njëkohësisht tërheq vëmendjen tuaj dhe kërkoj angazhimin dhe vendosmërinë tuaj të plotë për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe veçanërisht autonominë e universiteteve, duke i mbajtur ato sa më larg politikës dhe ndikimeve dhe qëllimeve të saj.

Liria akademike, autonomia financiare dhe organizative në përputhje me legjislacionin në fuqi janë të rëndësishme për Institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë dhe vendosmëria e përkushtimi juaj për t’i mbrojtur ato duhet të jetë parimor dhe i pa kompromis”.

Rektorët fitues në zgjedhjet e fundit universitare të cilët kanë marrë sot zyrtarisht detyrën pas dekreteve të emërimit të Presidentit janë:

Universiteti i Tiranës                                       – Artan Hoxha

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë                      – Arben Gjata

Universiteti Politeknik i Tiranës                     – Andrea Maliqari

Universiteti Bujqësor i Tiranës                       – Fatbardh Sallaku

Universiteti i Sporteve të Tiranës                   – Agron Kasa

Universiteti i Arteve                                          – Kastriot Çaushi

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës    – Kseanela Sotirofski

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan – Skënder Topi

Universiteti Fan.S. Noli, Korçë                       – Dhimitri Bello

Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër        – Suzana Golemi

Universiteti Ismail Qemali, Vlorë                   – Roland Zisi

Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër       – Bektash Mema

Zgjedhjet u mbajtën në një situatë të pazakontë për shkak të pandemisë. Ato u kundërshtuan nga ish-rektori Mynyr Koni por edhe nga Partia Demokratike, me argumentin se pandemia nuk do të lejonte zhvillimin normal të tyre.

Në fakt në zgjedhjet e universiteteve morën pjesë 718 pjesëtarë të personelit akademik, por një përqindje shumë e ulët studentësh, rreth 17%. /Opinion.al

Share: