Home KRYESORE RRETH NJË TË TASHMEJE INDIVIDUALISTE DHE NJË TË ARDHMEJE ORGANICISTE

RRETH NJË TË TASHMEJE INDIVIDUALISTE DHE NJË TË ARDHMEJE ORGANICISTE

Nga Ridvan Peshkopia*

Së fundmi, një politikane e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, fajësoi qeverin e Kosovës si “xhelati i vërtetë” për situatën e Kovidit në Kosovë. Mendova të reagoj ndaj kësaj akuze as për të rënduar akuzuesen dhe as për të mbrojtur të akuzuarin, por thjesht për ta nënvizuar këtë sjellje si një fenomen sistemik, si arsyeja e vërtetë mbas masave të çoroditura të shoqërive të Qytetërimit Perëndimor dhe periferive të tij kundër pandemisë. Në një shkrim timin botuar më 6 Prill në magazinën onlajn SBunker, unë kam identifikuar se njera nga arsyet e politikave të çoroditura anti-Kovid lidhet me “sëmundjen themelore të demokracisë, pikërisht me dështimin e saj për të tejkaluar racionalitetin afatshkurtër (më mirë një vezë sot) në favor të atij afatgjatë (sesa një pulë mot).” Akuzat e lartpërmendura më nxisin që ta përpunoj edhe më tej këtë argument.

Rendet politike sot në botë janë të ndërtuara mbi dy qasje ontologjike-epistemologjike: e para, liberaldemokracia, shpall se njeriu është përbrendshmërisht i keq, racional dhe se ai priorizon lirinë e tij. Por kushtet shoqërore kur të gjithë janë të këqinj, racionalë dhe priorizojnë lirinë individuale çojnë në përplasje mes racionaliteteve dhe kufinjve të lirisë së këtyre individëve. Kjo epistemologji çon pashmangshmërisht në një situatë të Dilemës së të Burgosurit me n lojtarë (ku n është numri i antarëve të shoqërisë në fjalë). Pa dashur të lodh lexuesin me detajet e lojës teorike në fjalë, doja vetëm të theksoja përfundimet e saj teorike: nëse çdo antar i shoqërisë ndjek i lirë interest e veta racionale, shoqëria, si shumatorja e këtyre individëve, del me humbje. Një kontraktualist si Xhon Loku [John Locke] pati propozuar teorikisht në shekullin e shtatëmbëdhjetë ndërtimin e institucioneve demokratike të cilat do të zhvendonin racionale nga mosbashkëpunimi mes njerëzve tek bashkëpunimi mes tyre, ndërsa Shkolla e Miçiganit pati treguar edhe empirikisht se rrëzimi i pandehmës së izolimit (çka nënkupton ndërfutjen mes të burgosurve të institucioneve që lehtësojnë shkëmbimin e informacionit) ndihmon në mbërritjen në bashkëpunim. Kësisoj, sipas filosofisë Lokiane, kapërcimi i Dilemës së Veprimit të Përbashkët [Collective Action Dilemma] mund të bëhej vetëm nëse njerëzit do kishin nxitjen afatshkurtër që t’i shmangeshin dënimit individual atypëraty për mosbashkëpunim se sa përfitimit afatgjatë që do kishin ata duke jetuar në një shoqëri më të begatë. Por gjithmonë ekziston rreziku që institucionet-Frankenstein të kthehen kundër individëve të cilët i ndërtuan ato, kështu që këta individë përpiqen t’i kontrollojnë këto institucione duke i hedhur ato kundër njeri tjetrit me atë çka njihet sot si sistemi i kontrollit dhe drejtpeshimit [check and balance]. Një sistem i tillë politik, liberaldemokracia, lulëzon mbi konfliktin e përhershëm mes nxitjes funksionale të institucioneve për më shumë pushtet dhe nxitjes libertariane të individit për ta kontrolluar pushtetin e institucioneve vetëm brendapërbrenda nevojave imediate të këtyre individëve.

Kësaj qasje atomiciste ndaj shoqërisë (ku individët perceptohen si atome të shkëputur prej njeri-tjetrit) i kundërvihet një qasje tjetër, strukturalizmi. Ky i fundit frymëzon regjime politike si socializmi, komunizmi, nazizmi, fashizmi, versione të shumta sistemesh politike nacionaliste, si edhe ideologji të tilla si feminizmi, anarkizmi, dhe environmentalizmi. Sipas kësaj qasje njeriun e bën shoqëria. Maksi thonte se çdo njeri ka ndërgjegjen politike të klasës të cilës i takon; Hitleri thonte se çdo individ ka ndërgjejen politike të racës të cilës i takon dhe feministet thonë se çdo individ ka ndërgjegjen shoqërore të gjinisë të cilës i takon (ngjashmëria epistemologjike mes izmave antiliberalë është mbresëlënëse). Ndryshe nga liberalët, të cilët e shohin konfliktin shoqëror si konflikti mes individit dhe strukturave shoqërore që ai vetë ndërton, konflikti shoqëror për strukturalistët është mes grupeve shoqërore antagoniste si klasa, raca apo gjini (dhe tani së fundmi, mes modernizimit dhe planetit, siç shpallin mjedisorët). Në mënyrë të nënkuptuar apo të drejtpërdrejtë, për strukturalistët ky konflikt është motori i zhvillimit të shoqërisë. Në një keqinterpretim vulgar të Darwin-it, këta darvinistë socialë sollën në mënyrë folklorike ligjet e natyrës në shpegimin e zhvillimeve shoqërore, duke i dhënë krahë epistemologjisë pozitiviste, një qasje tashmë e harruar në periferi të filosofisë bashkëkohore të shkencës.

Mbas dështimeve tragjike të eksperimenteve të mëdha sociale të shekullit të njëzetë, dukej se liberaldemokracia e kishte fituar luftën ideologjike dhe po marrshonte, siç shprehej në mënyrë elokuente por naïve një ideolog i flaktë liberal, Fransis Fukijama [Francis Fukyiama] drejt një mbyllje teleologjike të historisë së shoqërisë njerëzore. Ajo çka nuk kishte llogaritur Fukijama ishte ajo që vetë ideologjia liberale nënkupton: se trajektorja e zhvillimeve shoqërore nuk është lineare dhe se nuk ka asnjë garanci se njeriu do arrijë t’i mbajë nën kontroll institucionet-Frankenstein që ai ndërton. Rritja e shtetit social në Perëndim solli rritjen e shtetit, fuqizimin e institucioneve dhe tkurrjen e kontrollit të individit ndaj tyre. Shteti tani zotëron burime të mëdha dhe mbart premtimin iluziv se sa më të mëdha t’i ketë ai këto burime, aq më mirë do mundet ai të kontrollojë rezultatet e procesit social. Për këtë qëllim, shteti është i detyruar të kufizojë liritë e individit në formën e rritjes së taksave apo shtimit të rregulloreve e ligjeve. Kufizimi i lirive, i shoqëruar me premtimin për më shumë shërbime e bën qytetarin ta shohë shtetin jo vetëm me adhurim e frikë, por edhe me besimin dhe madje edhe detyrimin se ai duhet të bëjë diçka për gjithçka, madje edhe për Kovidin.

Por pavarësisht enthuziazmit të Fukijamës, për shumicën e njerëzve që i shihnin realisht zhvillimet shoqërore, përjetësia liberaldemokrate e historisë së njerëzimit dukej larg. Ajo çka me sa duket kanë mësuar tashmë ideologët është se shteti ideologjik është si një bicikletë me dy rrota e cila, po nuk eci përpara, rrëzohet. Kësisoj, progresivizmi, një qasje periferike ndaj zhvillimeve politike deri tre dekada më parë, gradualisht iu qep liberalizmit për të ofruar pikërisht lëvizjen e domosdoshme të liberalizmit përpara. Dhe meqënëse, siç u shpreha më lart, shteti kishte filluar të kufizonte disa liri themelore të qytetarëve (liri negative) nëpërmjet taksave dhe rregulloreve, ai filloi të përqëndrohet në dy drejtime të reja, liritë negative dhe liritë grupore, si e vetmja mundësi që bicikleta ideologjike e lirive të rrinte më këmbë. Me rritjen e lirive pozitive u rrit roli i shtetit në zhvillimin shoqëror, ndërsa me liritë grupore u rrit numri i kategorive shoqërore që konsideroheshin të shtypura, shoqëruar me nevojën që ato të çliroheshin në kuadër të kategorive të reja të lirive. Kësisoj, ato çka dikur konsideroheshin si sëmundje sociale apo krime (madje ishin të kodifikuara në kode penale si të tilla), aborti dhe homoseksualizmi, tani filluan të trajtohen si çështje e të drejtave të njeriut. Mundësia që, nëse përhapen gjerësisht, këto fenomene të kufizojnë vetë mbijetesën biologjike të shoqërisë është hedhur poshtë si absurde pa ndonjë diskutim akademik apo politik; liria e individit dhe jo mbijetesa e shoqërisë është prioriteti i liberaldemokracisë.

Mirëpo ja ku vjen Kovidi dhe i gjen shoqëritë liberaldemokrate të papërgatitura për t’u përballur me një situate që thuhet se kërcënon ekzistencën e njerëzimit. Një regjim ideologjik strukturalist si Kina e ka më të lehtë përballjen me të sepse, nëse shoqëria bën individin, ajo e kontrollon atë për mirë apo për keq dhe kësisoj ka edhe të drejtën ta mbyllë atë brenda shtëpisë së vet duke ia salduar derën. Por një regjim liberaldemokrat e ka më të vështirë: kur qeveritë liberaldemokrate ua kanë mbushur mendjen njerëzve se shkulja e foshnjave nga barku i nënave është një e drejtë e njeriut, si do t’i bindin ato njerëzit se ata nuk kanë të drejtë të përballen me virusin siç duan ata vetë? Regjimet politike liberaldemokrate u kanë thënë njerëzve se prioriteti më i lartë është liria individuale, kështuqë ata nuk po përshtaten dot mirë me situatën që e hedh poshtë pandehmën fillestare apo dogmën ideologjike se prioriteti kryesor i njeriut është liria. Tani kërkohet që shteti të vendoset në shërbim të kësaj mbijetese por shteti që kemi ndërtuar ne është efikas në funksion të legalizimit të abortit, martesave të homoseksualëve apo heqjes së dënimit me vdekje edhe pa konsensus popullor (andaj njerëzit vazhdojnë e votojnë për këtë shtet edhe mbasi ky merr vendime kundër prioriteteve dhe preferencave popullore), por shteti ynë nuk është dizenjuar që të sigurojë mbijetesën e shoqërisë. Madje në këtë rast është shteti më i keq i mundshëm dhe ja sepse.

Ndërtimi i institucioneve liberaldemokrate nuk e përjashton racionalen njerëzore; përkundrazi, e njeh dhe e adhuron atë. Po ashtu, racionalja politike mbetet marrja dhe mbajtja e pushtetit. Ky është një aspekt i admirueshëm i liberaldemokracisë sepse e bën politikanin shumë të lexueshëm dhe punën e tij shumë të matshme. Liberaldemokracia ndërton marrëdhënie transaksionare mes njerëzve dhe mes politikanit e popullit: më jep, të jap. Por mbrojtja nga Kovidi, nëse këtë e konsiderojmë një rrezik ekzistencial, e kapërcen këtë racionale dhe na çon në terrenin e luftës për mbijetesë. E megjithatë qytetarët dhe politikanët vazhdojnë të sillen sikur janë në terrenin liberaldemokrat të priorizimit të lirisë individuale dhe individit të lirë që gëzon liritë e tij të pamohueshme. Kësisoj, mosbindja e njerëzve ndaj masave mbrojtëse dhe përpjekja e politikanëve për të përfituar nga kjo situatë duke sulmuar njeri-tjetrin e kanë burimin pikërisht në këtë logjikë, këtë kulturë politike dhe sjellje shoqërore që mbisundon në shoqëritë liberaldemokrate dhe të cilën e kemi përqafuar edhe ne shqiptarët gjatë tre dekadave të fundit me zellin që na karakterizon. Liberaldemokracia nuk është një sistem politik që logjikisht çon në unifikimin e shoqërisë kundër një rreziku të jashtëm si virusi. Kësisoj, teksa deklarata e politikanes në fjalë është moralisht e shëmtuar, ajo është krejtësisht brenda logjikës së funksionimit të një demokracie liberale. Po të mos e kishte bërë ajo, do ta bënte dikush tjetër. Mirëpo, kur funksionimi logjik sistemik u shkon kundër disa normave bazë të gjithëpranuara dhe universale shoqërore siç bën për shembull përpjekja për të fituar pikë politike në një situatë të vështirë për vendin, ky është një tregues i qartë se sistemi politik që e normalizon një sjellje të tillë është në krizë.

Teksa zgjidhja e problemit të hapjes së shkollave apo furnizimit të spitaleve me oksigjen i takon politikëbërësve apo adminsitratorëve të spitaleve, studiuesit mund të ofrojnë propozime afatgjata dhe po ashtu në nivel sistemik. Një propozim i tillë do të ishte heqja dorë nga aporaja njeriu bën shoqërinë apo shoqëria bën njeriun dhe dalja në një pamje organiciste të marrëdhënies njeri-shoqëri. Kjo pamje e sheh shoqërinë si një organizëm të përcaktuar për së jashtmi. Kjo pamje nuk është e re; një filosof si Joseph-Marie, konti de Maistre e pati propozuar këtë në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, menjëherë pas Revolucionit Frëng. Por de Maistre konsiderohej si reaksionar dhe për më tepër, ai dhe pasuesit e tij shihnin Zotin si përcaktor të jashtëm të kësaj marrëdhënie organike mes individid dhe shoqërisë. Kjo sillte problemin e madh se zëvendësonte pandehmat metafizike të liberalizmit dhe strukturalizmit me një tjetër pandehmë metafikize: opus Dei. Problemi tjetër ishte se Zoti doli jashtë mode në filosofi dhe ende mbetet i tillë. Dhe problemi i tretë është se njeriu bashkëkohor kërkon përgjigje shkencore dhe jo filosofike.

Propozimi im është që ky përcaktor i jashtëm i marrëdhënies organiciste mes individit dhe shoqërisë është biologjia: ne jemi programuar të jetojmë në koloni. Jeta në planet ka filluar në formën e kolonive të specieve si streha të geneve për të mbijetuar dhe, ndonëse format e jetës kanë ndryshuar, gjenetika ka vërejtur ndryshime fare të vogla gjenetike nga një specie më e ulët në një specie më të lartë. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit ne kemi ndërtuar në mënyrë të vetëvetijshme struktura shoqërore që i përngjajnë një jete koloniale (konté, fise, familje të mëdha), deri kur moderniteti me gjithë izmat e vet i thërmoi ato në një process brutal të transformimit social. Kjo nuk do të thotë se ne tani duhet të kthehemi mbrapa medoemos në këto forma të organizimit shoqëror, porse një pamje organiziste për shoqërinë do na mundësonte të priorizonim mbijetesën në kulturën tonë politike dhe të ndërtonim institucione dhe politika të orientuara kah mbijetesa. Kjo do të kërkonte kufizimin e lirive individuale deri aty sa këto të mos kërcënonin mbijetesën (frenimin e luftës politike, për shembull) por lejimin e atyre lirive që do të mundësonin njerëzit të ishin prodhimtarë për shoqërinë dhe të siguronin këtë mbijetesë (në rastin tonë, të drejtën për të punuar). Po ashtu, duke qenë se pragmatizmi dhe jo dogmatizmi ideologjik karakterizojnë funksionimin e këtij organizmi shoqëror, kufiri i lirisë individuale me përgjegjësinë organike do të jetë kurdoherë i negociueshëm pragmatikisht dhe kontekstualisht në mënyrë që të lejojë hapësirën e nevojëshme që individi ta kryejë me sa më efikasitet rolin e tij organik në trupin e shoqërisë.

  1. https://telegrafi.com/kosova-renditet-e-para-ne-bote-vdekjet-nga-covid-19-ne-1-milion-banore-kusari-lila-fajeson-ldk-per-keq-menaxhim/
  2. https://sbunker.net/op-ed/90468/kriza-pandemike-dhe-kriza-politike/

PËR AUTORIN/EN

Ridvan Peshkopia është lektor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, Kosovë. Ai e ka marë doktoraturën e tij në Shkenca Politike nga Universiteti i Kentakit [University of Kentucky] dhe ka qenë për një vit akademik studiues postdoktoral në Universitetin Xhorxh Uashington [The George Washington University]. Fushat e tij të kërkimit mbulojnë modelimin matematikor dhe statistikor për shkenca politike, sjellje politike, teori politike, studime migracioni, studime të paqes dhe studime filmike. Ai ndan kohën mes Gjakovës dhe Tiranës.

Share: