Nga Azem Parllaku
Libri “Kosova e lirë, ëndrra e jetës sime” i Rrahman Parllakut (Nderi i Kombit, Heroi i Popullit, Gjeneral Lejtnant) është një memorie historike për të kaluarën, është një thirrje për të tashmen, për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë territor, për të gëzuar fitoren e lirisë, por edhe për të administruar me kujdes fitoren dhe për të mos u dehur nga arritjet.
“Ne ushtarakët e dimë fort mirë se ç’do të thotë të lëshosh territor. Po lëshove një majë, dije se ke lëshuar një fushë të tërë më pas…”
Pjesa e parë për kontributin e kosovarëve në Luftën e II-të Botërore dhe për çlirimin e Jugosllavisë, e divizioneve shqiptare për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi ka një rëndësi të veçantë, sepse shkruhet nga një gjeneral, nga një luftëtar konkret, dhe godet teoritë famëkeqe të serbve se kosovarët kanë qenë në anën e pushtuesve gjermanë.
Ashtu sikurse kundërshtarët tanë nuk lodhen së shkruari kundër nesh, ashtu edhe ne nuk duhet të rreshtin së shkruari e të argumentuari me fakte e dokumente se jemi ne ata që e kemi bërë këtë vend, se jemi ne të parët dhe më pas le të vinë të dytët e të tretët.
Autori jep me emra se kush kanë qenë drejtuesit e formacioneve partizane, si u zhvillua lufta, të rënët dhe të plagosurit. Pra, është një dokument shtesë në historinë e lavdishme të shqiptarëve. Pas daljes nga burgu komunist, ndonëse i lodhur dhe i dërmuar nga vitet e gjata të errësirës, Gjeneral Parllaku nuk pushoi së punuari për Shqipërinë dhe Kosovën.
Libri i Rrahman Parllakut përmban plot dokumente që dëshmojnë për ngjarje të rëndësishme të periudhës 1944-1945, kryesisht për heroizmin e forcave të Brig. III –të e V-të në Kosovë e ish-Jugosllavi.
Rrahman Parllaku ia sjell lexuesit me një stil origjinal kujtimet, duke u ndalur në momente më të rëndësishme dhe duke i interpretuar me mjeshtëri të rrallë përjetimet e tij gjatë luftës në Kosovë si: Lufta e Junikut, qëndrimi në Mitrovicë, takimi me Miladin Popoviçin dhe oficerët rusë.
Ai, njëherazi, ruan me besnikëri frymën, idetë, porositë origjinale dhe prezantimin e rrethanave të kohës, ndër më delikatët gjatë luftës. Në kapitullin e dytë, z. Parllaku ndalet në krijimin e Divizionit të V-të si dhe sukseset e këtij divizioni drejt marshimit të përgjithshëm në Mitrovicë, Rashkë, Pazar i Ri si dhe gatishmërinë për të zhvilluar mësymjen në drejtimin Sjenice-Priepole.
Duhet cekur se autori vlerëson lart forcat e Divizionit të V-të, të cilat ai i komandonte, si përfaqësues të denjë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, qëndrimin e tyre shembullor me popullin vendas, veçanërisht në terrenin e banuar me serbë e malazez. Autori, siç është e kuptueshme, vihet në mbrojtje të të vërtetave historike, për veprimet luftarake të forcave që ai i udhëhiqte në Kosovë, si për luftimet e brigadave të III e të V për çlirimin e Rrafshit të Dukagjinit, (Prizrenit, Gjakovës e Pejës me rrethinat e tyre), si dhe u kundërvihet të pavërtetave që janë shkruar për veprimet e Divizionit të V e të VI pas kthimit në Kosovë, në mes të marsit 1945, me përfundimin e luftimeve në Sanxhak, Mal te Zi dhe Bosnjë.
Në pjesën e publicistikës na jep mënyrën origjinale të të menduarit prej një patrioti të kulluar, duke u ndalur në momentet më të rëndësishme të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë si dhe të Luginës së Preshevës. Për Gjeneral Parllakun, preokupimi kryesor është përpjekja për të shpjeguar rrethanat e shtypjes, të dhunës e të genocidit të egër ndaj vëllezërve shqiptarë që jetonin në viset e tyre në ish-Federatën Jugosllave.
Kudo ku përurohet një lapidar, ku shkruhet dhe flitet për një hero apo dëshmor të UÇK-së, ku diskutohen fatet e shqiptarëve, është Gjeneral Rrahman Parllaku.
Në këtë libër publicistik nuk duhet të presim klas të lartë të stilit publicistik, megjithëse edhe ky nuk mungon, por ky libër është protestë, është këngë lirie dhe gjaku, është memorie historike, dëshmi që duhet ta dijë dhe ta ketë çdo shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës.
Ndërsa Gjeneral Rrahman Parllaku, si një epilog testament e mbyll kopertinën e këtij libri me shënimin:
“Arrita realizimin e një prej ëndrrave të mia të kahershme, pavarësinë e Kosovës. Kisha luftuar për çlirimin e saj. Kisha marrë edhe plagë në trup, por atëherë nuk u fitua liria.
Po e shoh sot atë (Kosovën) të lirë, të pavarur, tek kapërcen vështirësitë dhe pengesat dhe ecën e sigurt drejt konsolidimit të pavarësisë, drejt zhvillimit dhe përparimit të saj. Kërkesë tjetër dhe aspiratë e shqiptarëve ka qenë dhe mbetet bashkimi ynë kombëtar. Jam i bindur se edhe kjo ëndërr e imja do të bëhet realitet.
Unë jam i moshuar dhe mund të mos ia mbërrij kësaj dite, por jam i sigurt se vijat kufitare të hedhura në harta nuk mund të mbajnë përjetësisht të ndarë popullin e një gjuhe dhe gjaku që aspiron bashkimin. Uroj që kjo të ndodhë sa më parë…”