Home Gjeo-Ekonomia A po ndërmjetëson Rama një “armëpushim” mes Greqisë dhe Turqisë?

A po ndërmjetëson Rama një “armëpushim” mes Greqisë dhe Turqisë?

Vizita në rezidencën verore të Presidentit Erdogan dhe menjëherë pas saj darka me Kryeministrin Mitzotaqis, e kanë vendosur kryeministrin Rama në qendër të një teorie konspirative sipas së cilës ai po ndërmjetëson një armëpushim mes dy vendeve në kulmin e një përplasjeje muskuloze për kufirin detar mes dy vendeve. 

Gjatë panelit të organizuar nga Revista “The Economist” në Athinë kryeministri shqiptar e ka sfiduar audiencën e greke, duke thënë hapur se Presidenti turk nuk është aspak antigrek, se Turqia është vendimtare për sigurinë e Europës dhe se dialogu mes Greqisë e Turqisë është i domosdoshëm për vetë Europën. 

Në një kuptim ai u ka thënë grekëve se djalli nuk është aq i zi sa duket dhe nuk ka ngurruar të polemizojë me ish-ministren e Jashtme, Dora Bakojanis, duke rrëzuar argumentin se pas prishjes së marrëveshjes së detit me Shqipërinë është dora e Turqisë! 

Fjalët e Ramës kanë pasur jehonë në shtypin e të dy vendeve dhe në pasditen e ditës së djeshme, po nga i njëjti forum kryeministri Mitzotakis ka befasuar me shprehjen e tij se është gati të ulet në dialog me Presidentin e Turqisë pa kushte. 

Pak më vonë shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavushoglu është shprehur se Turqia dëshiron zgjidhje dhe mbështet opsionin e çuarjes së çështjes së detit në Gjykatën Ndërkombëtare; një opsion që përkon me atë të Ramës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Shqipërisë e Greqisë. Miqësia e Kryeministrit shqiptar me Presidentin e Turqisë është fakt i njohur botërisht dhe Rama s’ka ngurruar ta pohojë as kur fuqitë e mëdha janë përplasur me Presidentin turk. 

Ai është sulmuar shpesh nga mediat greke për këtë miqësi dhe është parë gjithnjë me dyshim nga Athina zyrtare për këtë shkak, por mbase sot kur askush nuk e zbut dot luanin e egërsuar të Ankarasë, Edi Rama është personi i duhur në vendin e në kohën e duhur, për të qenë minimalisht subjekti i një teorie konspiracioni. Shenim i Gazeta Shqip

Top Channel

Share: