Home KRYESORE Skandali në “Fiks Fare”/ Djali jurist në bashki, nëna fiton tenderat e...

Skandali në “Fiks Fare”/ Djali jurist në bashki, nëna fiton tenderat e institucionit!

“Fiks Fare” hapi sezonin e 18-të me një denoncim të fortë, ku gazetarët e emisionit investigativ faktuan se nëna e juristit të Bashkisë së Himarës kishte fituar dhjetëra tenderë në këtë institucion. 

Dhjetëra dokumente mbërritën në duart e gazetarëve të Fiksit, ku pas hulumtimeve rezultoi se juristi i Bashkisë së Himarës, Elton Rondo, ka punuar në këtë institucion 7 vite. Dhe, gjatë kësaj kohe, nëna e tij, Fotina Rondo, e cila ka në pronësi disa firma ndërtimi, ka fituar plot 13 tenderë nga kjo bashki! 

Në qendër të investigimit ishte vendimmarrja ndër vite e Bashkisë së Himarës, e drejtuar nga z. Jorgo Goro.
“Nga viti 2012, deri në vitin 2019, në këtë bashki ka punuar si jurist, por edhe në pozicione të tjera, z.Elton Rondo. Detyra e tij ka qenë e ndryshme, ku herë pas herë ka përgatitur edhe dokumentet e tenderëve që zhvilloheshin në këtë institucion” thuhet në informacionin që mbërriti. Ndërkohë, sipas Regjistrit të Gjendjes Civile, nëna e juristit quhet Fotina Rondo. Kjo e fundit, sipas dokumenteve zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ka në pronësi me 100 % të aksioneve firmën Cogren Shpk. 

Më parë, kjo firmë quhej Elekri shpk, ndërkohë që ndryshimi i emrit është bërë në vitin 2018. Por, sërish, edhe pas ndryshimit të emrit, aksionere me 100 % të aksioneve është znj, Fotina Rondo. 

Dhe, gjatë kohës që firma ndryshoi emrin, ka fituar me dhjetëra tenderë në Bashkinë e Himarës. Pra, nga njëra anë rezulton se djali përgatiste dokumentet dhe nga ana tjetër nëna e tij i fitonte ata. 

Le ti analizojmë me radhë! Nga dokumentet zyrtare rezulton se, nga viti 2013 deri në vitin 2020, firmat Elekri dhe Cogreen, kanë fituar plot 13 tendera nga kjo bashki. Në vitin 2013, ka fituar ndërtimin e ujësjellësit Livadh-Kalaja, me vlerë 4.1 milionë lekë të rinj. Në vitin 2018, ka fituar 10 tendera, ku më i madhe ka qenë shërbimi i pastrimit të himarës, me plot 166.211.468 lekë. Më pas, ka fituar rikonstruksionin e kopështit në Borsh, mirëmbajtjen e shkollave, sistemimin e lerave për blegtorinë. Madje, edhe ndriçimin në Himarë. 

Ndërkohë, pasi z.Elton Rondo është larguar nga bashkia e Himarës, nëna e tij ka marrë edhe dy kontrata të majme. Ka fituar tenderin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së kanaleve vaditëse me vlerë 8 milionë dhe do të ndërtojë ujësjellësin e fshatit Tërbaç. Sipas këtij dokumentit, për ujësjellësin e Tërbaçit, Cogren nuk ka dhënë ofertën më të ulët. Por, sërish ka dalë fituese! Në total, zonja Fotina Rondo ka përfituar nga Bashkia e Himarës, ku për vite me radhë ka punuar djali i saj, plot 278.653.309 lekë të rinj! 

Fiks Fare shkoi pranë Bashkisë së Himarës për të pyetur titullarët e saj në lidhje me këto procedura. Fillimisht, asnjë punonjës i bashkisë nuk pranoi të jepte shpjegime, ndërsa disa syresh vrojtonin nga larg grupin e Fiks Fare. Pas dhjetëra pyetjesh se për çfarë ishin të interesuar, punonjësit shkuan disa herë në zyrën e kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro, duke i bërë me dije edhe arsyen se përse kërkonim informacion. 

Kryetari pranoi të takojë grupin e Fiks Fare, por pa praninë e kamerës. Ai i tha gazetarëve se të gjithë informacionin e kërkuar do të kthente një përgjigje zyrtare. Z.Goro pranoi se Elton Rondo ka qenë jurist i bashkisë së Himarës, madje kishte informacion edhe për firmën e nënës së tij. Por, këmbënguli se në momentin që futej në “lojë” firma Elekri apo Cogren, juristi nuk merrte pjesë në komisionin e vlerësimit të ofertave. Por, zoti Goro nuk na ktheu përgjigje për pyetjen se; a i ka përpiluar dokumentet e tenderave z.Elton Rondo? 

Ndërkohë, vetëm pas disa javësh, sipas kësaj përgjigje, Bashkia e Himarës na informon vetëm se z. Elton Rondo ka punuar nga vitit 2012 deri në vitin 2019 pranë Bashkisë. Kryetari na ka listuar disa tendera të fituar, ndërsa na ka dhënë përgjigje se ky punonjës nuk ka qenë drejtor i financës! Por, si jurist, firma e nënës së tij ka fituar rreth 10 tendera, me vlera tepër të larta. 

Fiks Fare tentoi të kontaktonte me firmën Cogren, nëpërmjet dy numrave të celularit të deklaruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Por, të dy numrat ishin jashtë përdorimit. Gjithashtu, Fiksi i dërgoi edhe një kërkesë zyrtare kësaj firme. Por, deri në momentin e transmetimit të këtij investigimi, në redaksi nuk ka mbërritur asnjë përgjigje! 

Për tenderët e Bashkisë Himarë, ka përpiluar një raport të hollësishëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, i publikuar në fund të vitit 2019. Në këtë raport që shikoni, KLSH ka konstatuar se tenderët me vlera të larta në Bashkinë e Himarës janë zhvilluar me një firmë në garë. Madje, sipas KLSH, këto firma nuk kanë plotësuar kriteret për kualifikim. Por, megjithatë, këto firma, jo vetëm nuk janë s’kualifikuar, por kanë marrë çdo qindarkë të akorduar nga Bashkia e Himarës. Dhe, një nga firmat që ka përfituar, është e nënës së ish-juristit të Bashkisë! FOTO GALERI1/6

Share: