Home KRYESORE Thirrja e një nënë që të thyen zemrën: Më ktheni fëmijët nga...

Thirrja e një nënë që të thyen zemrën: Më ktheni fëmijët nga Siria

“Unë jam Mide Ndregjoni (Dumani)!

Jam një nga nënat më fatkeqe të këtij vendi, pasi prej gati gjashtë vitesh jetoj në makthin e zhdukjes së dy fëmijëve të mi, Evës dhe Endrit, në burgun “Al-Hol” , në Siri.

Jam gati të shkoj në fund të botës për ti gjetur dhe të jem bashkë me ta. Nuk vazhdoj dot më të gënjej veten çdo mëngjes duke u bërë gati çantat për shkollë dhe rrobat e hekurosura.
Të hënën është 14 shtator, dita e parë e shkollës dhe unë vendosa të jem në shesh pranë Kryeministrisë me çantat e tyre të shkollës !

Ju lutem bashkohuni me mua!

Unë po ju shkruaj si nëna e tyre , si nënë e dy fëmijëve të mitur dhe dua që të jeni krah meje në këtë betejë për ti kthyer në shtëpi fëmijët e mi!

Më thoni çfarë të bëj, ku të shkoj, ku të trokas, kë të pyes, kush të më drejtojë në rrugën drejt tyre?

Jam e dërrmuar nga ky fat tragjik, por s’ka për të më dalë shpirti derisa të bashkohem me ta, në tokë apo në qiell!

Lutem ma afroni këtë ditë! Ma bëni më të lehtë dhimbjen dhe më të sigurt ëndrrën për t’u ribashkuar me dy engjëjt e mi, që po vuajnë një fat tragjik që nuk e meritojnë.

I lutem për këtë gjithkujt që mund ta bëjë si njeri, si shtetar i vendit tim, si miq të vendit tonë dhe mbi të gjitha si një detyrim njerëzor ndaj dy fëmijëve, që prej ditësh enden në terrorin e mbetjes pa prindër në një vend të huaj, jashtë kontrollit dhe shumë afër rrezikut të jetës në çdo çast. Më bëni bashkë me ta kudo që të jenë!

Ju lutemi! Eva kërkon ndihmë! Më thotë kur do të kthehemi o mami?

Çfarë bën shteti? Vetëm me shtet vijmë!

“Çfarë thuhet për ne atje në Shqipëri? A do të na marrin apo shteti s’ka reaguar fare?”.

“Ne jemi shumë mirë, ama nuk mundemi me fol përditë se nuk I kemi mundësitë me fol përditë….mos u bëni merak….mos u bëni merak “

14 shtator ora 17″ pranë Kryeministrisë!”

Share: