Home KRYESORE BINDJA DEMOKRATIKE DËRGON NË KUSHTETUESE KODIN E EDI RAMËS

BINDJA DEMOKRATIKE DËRGON NË KUSHTETUESE KODIN E EDI RAMËS

BINDJA DEMOKRATIKE e konsideron votimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në parlament një akt burracak dhe të papranueshëm të mazhorancës, në ndeshje të qartë më kushtetutën dhe kundër interesit publik, i cili e ka dëmtuar edhe më shumë klimën politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.

Sipas nesh, ato janë në shkelje flagrante të ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, ndryshe nga sa pretendojnë të tjerë, sipas të cilëve përmes tyre është cënuar marrëveshja e 5 qershorit. Ky qëndrim rrjedh, jo thjesht se kemi qenë gjithmonë kundër kësaj të fundit, por sepse kushtetuta vjen në të gjitha rastet përpara çdo ligji apo marrëveshjeje politike, kushdo qofshin nënshkruesit apo dorëzënësit e tyre.

Ne e konsiderojmë Kodin Zgjedhor, të miratuar në mënyrë të njëanshme, si tradhti të aspiratës së mbi 80 përqind të shqiptarëve, të shprehur qartë pro listave të hapura, më shumë se sa pabesi ndaj disa forcave të caktuara politike, ku, po të doni, mund të fusni edhe BINDJEN DEMOKRATIKE.

Me anë të dredhisë së herësit në llogaritjen e mandateve brenda subjekteve zgjedhore, Partia Socialiste ka shkelur qartë konceptin kushtetues të barazisë së votës dhe të preferencës së zgjedhësit, të sanksionuara qartë në ndryshimet e 30 korrikut.

Por pavarësisht se ndryshimet në Kodin Zgjedhor tashmë janë bërë fakt, ne kemi vendosur të mos e konsiderojmë atë si një çështje të mbyllur, por të vijojmë betejën politike dhe juridike, derisa qytetarët shqiptarë të arrijmë të votojnë realisht, jo vetëm për partitë, por edhe për deputetët që zgjedhin.

Në funksion të këtij qëllimi, do t’i drejtohemi mënjëherë Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë, sapo ndryshimet e miratuara të hënën të hyjnë në fuqi.
Për ne nuk ka shumë rëndësi fakti që aktualisht shqyrtimi i saj është i pamundur, pasi jemi të bindur se, kurdo që ajo të nisë funksionimin, nuk ka vendim tjetër për të marrë, përvec se ta rrëzojë Kodin e Edi Ramës.

Për këtë kemi shfrytëzuar mundësinë që na jep kushtetuta, me atributin e një partie politike për një çështje që na intereson drejtpërdrejt, sepse ka të bëjë me zgjedhjet. Ne mendojmë se të gjitha subjektet, që kanë mundësi ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për këtë rast, përveç kryeministrit, do të ishin plotësisht të legjitimuara të bënin të njëjtën gjë, aq e rëndë dhe flagrante është shkelja.

Me anë të kësaj kërkese ne synojmë, në rastin më të mirë, që të shpëtojmë zgjedhjet e 25 prillit nga synimi djallëzor i Ramës, i cili i ka vënë praktikisht drynin listave të deputetëve, ndërkohë që pretendon se teorikisht i ka hapur ato. Ky është një skenar që varet nga koha kur Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale dhe ne shpresojmë që ky afat të mos tejkalohet.
Në rastin më të keq, që Gjykata Kushtetuese të zvarritet qëllimisht nga ata që po e mbajnë peng prej kohësh krijimin e saj, kurdo që ajo të mblidhet, do të vendosë në dobi të vullnetit të qytetarëve shqiptarë për lista të hapura.

Kauza e ndryshimit të sistemit politik dhe çlirimi nga kryetarokracia, si një regjim i korruptuar dhe antidemokratik, ka qenë dhe do të mbetet objektivi kryesor i BINDJES DEMOKRATIKE, që nga dita e themelimit të saj dhe ai do të mbetet i tillë edhe përtej zgjedhjeve të 25 prillit.

Share: