Home KRYESORE Cikël me poezi nga Gladiola Jorbus

Cikël me poezi nga Gladiola Jorbus

Pulitje sysh

Retë elegante vërshonin

mbi pandeminë e hipokrizisë.

Shpirtrat – të dehur pas epshesh tokësore

Mbyteshin në përqafime

                    të boshatisura dashurish.

Tronditëse…!

Sy të perënduar, 

në ngërçe klithmash shurdhuese.

Dhe retë të mbarsura 

me lutje të ngërthyera

botën gllabëronin, 

në një pulitje sysh.


Epoka e dinozaurëve

Më mbaruan fjalët…

Tek ti u përmbytën 

çastet dehëse të lumturisë.

Po iki…

Perënditë verbohen 

nga vozitja hënore mbi ujëra të akullema.

I ngjaj muzgut të përgjumur,

trishtimit kapriçoz,

puthjes së lamtumirës.

Edhe dueli zemër – mendje u shua…

nga pasqyrimi gjigantesk i zhgënjimit.

Dashuria u zbeh, u zhbë…

si një krijesë prehistorike.

Për të mund të lexojmë 

e ta hasim veç në libra,

njëlloj si epokën e dinozaurëve.


Komodina e vjetër

Në komodinën e vjetër

fshihen zbrazëtitë, puthjet e ndaluara,

trillet, premtimet e tua. 

Gumëzhitja vjen nga mendja ime,

si mbrëmjet e mjegulluara

ku qiellin e shquan, në dritëhijet

e neonëve të shëtitores.

Melankolia – statuja kokëfortë

që nuk dridhet para askujt.

Stolis skajet e ndjenjës,

kujtimet e pezullta,

lumturinë në miniaturë,

stuhinë e fjalëve të pashprehura.

Dhe narracioni vetmitar i syve,

psalt për ëndrrën, që na vodhi jetën.


Trëndafili i dymbëdhjetë erërave 

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave !

Krahët hap drejt qiellit,

pas angështisë së mostingëllimit.

Aroma jote,

bëhet hyjnore dhe e përjetshme.

Erërat e tua enden pa busull.

Nga njëshi te dymbëdhjeta,

secila syresh mbart një emër –

e acartë, e tërbuar, e ngrohtë, flladitëse, 

e lehtë, e butë, e lagësht, e fortë,

e lindjes, e jugut, e veriut, e perëndimit…

Dhe trëndafili i tyre – 

një tjetër krijim i përkryer i Zotit,

si trupi i hijshëm i gruas,

vishet me drithërima mëkati.

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave!

Eremit i vetmuar i gjithësisë!

Llamburin mbi shpresat e përlotura

në yjësinë e mallit.

Petalet e tua ngjajnë si tafta e mëndafshtë, 

me faqe të shndritshme.

Të çmuara – si qumështi i derdhur nga gjiri i Herës

mbi dritësinë spirale të Via Lacteas.


Krijesë e brishtë

Koha ndalet në sytë e saj.

Një grua e trishtuar – është historia

e mijëra grave zemërngrira.

Buzëqeshjet mbyten në lumenj lotësh.

Flokët e mëndafshtë struken në diell.

Dëshirat femërore shtegtojnë larg…

Përtej kufijve të asaj bote,

që e mbiquajti gruan,

krijesë të brishtë.


Romanca e hënës

Ëndrrat derdhen mbi romancën e hënës.

Metafora e dashurisë

shndrin mbrëmjen e përflakur.

Një copëz universi

gacullon në kalendarin e nostalgjisë.

Bardhësia e sferës qiellore

micëron errësirën, me pyetjen profane: – Përse deti po mban zi?!

Share: