Është shtyrë seanca në Gjykatën e Posaçme për kreun e OFL, Artan Shkëmbi, të cilit do t’i komunikohej masa e pezullimit. Shkëmbi u pezullua nga detyra dy ditë më parë nga Ardi Veliu, pasi ishte nën hetim nga SPAK, ndërsa akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor.
Avokati i tij, Arben Broci tha për mediat se kërkuan kohë të njihen me aktet, pasi nuk kishin informacion ne lidhje me pretendimet e SPAK, “Gjykata pranoi kërkesën tonë dhe nesër në orën 09:00 do të bëjmë mbrojtjen”, tha ai.
Ishte një informacion i konsideruar si “top sekret” i ardhur nga Gjermania që “dogji” kreun e OFL. Autoritetet gjermane kanë kërkuar informacion në lidhje me një grup të trafikut të kokainës, por që sipas tyre në lidhje me këtë kërkesë ishte vënë në dijeni vetë grupi kriminal.
Gjermanët pretendojnë se ishte Shkëmbi ai që dekonspiroi informacionin duke vënë në dijeni grupin e trafikantëve shqiptarë përmes një platforme chati të kriptuar.
Burimet thonë për abcnews.al se përveç sistemit TIMS të dhënat janë kërkuar edhe me programin “Deep see”, i cili është program që mund të kërkojnë informacione sekrete vetëm zyrtarët e lartë të policisë.
Ndërkohë, mësohet se përveç Artan Shkëmbit, SPAK ka kërkuar të dhëna edhe për dy oficerë të tjerë në Policinë e Shtetit si të dyshuar të përfshirë në nxjerrjen e sekretit hetimor.
Sipas burimeve të policisë mësohet se në pyetje janë marrë dy agjentë të cilët kanë kërkuar në TIMS të dhënat e dy personave që gjermanët kishin kërkuar informacione për pasurinë e tyre.
Edhe pse Prokuroria e Posaçme ka bindjen që këta oficerë së bashku me kreun e OFL, Artan Shkëmbin kanë nxjerrë sekretin hetimor. Ndërkohë, Shkëmbi dhe dy punonjësit e policisë kanë pohuar se kërkimin në TIMS e kanë bërë për shkak të detyrës që ata kishin, shkruan abcnews.al.
Hetimi nga SPAK ka nisur para 5 muajsh pas kërkesës se gjermanëve, pasi me ane të një pajisjeje të tyre ata kanë zbuluar se kush kishte kërkuar tek te dhënat e dy personave qe ata kishin nën hetim. Mësohet se ata janë dy shqiptarë që jetojnë në Gjermani. g.v/abcnews.al