Home KRYESORE Një histori me Ramazan! Nga Dom Gjergj Meta

Një histori me Ramazan! Nga Dom Gjergj Meta

Në një tregim timin të para disa viteve me titull “A more avdes?” ju kam folur për Ali Domin një burrë nga Pjeza e Shijakut, burrë i mirë e mysliman i devotshëm.

Pjeza është një fshat që ka mysliman dhe ortodoks. Madje prifti i parë ortodoks i paskomunizmit në Durrës ka qenë atë Spiro Tole, nga ky fshat, një klerik i mirë që të gjithë e kujtojmë me nostalgji.

Kjo histori është vazhdim i asaj të parës.

Xha Aliu, ndërsa po më tregonte për fshatin e tij, u ndal te një burrë i fshatit me emrin Pal Pushi. Familja Pushi jeton akoma sot e kësaj dite në pjezë.

“Xha Pali mor dom Gjergj – filloi xha Aliu – ishte i plak i mirë e i urtë. I dit’ para se me fillu Ramazoni mblidhte çunat e fisit t’vet ene i thojte:

Vreni ko re çuna ene m’ngjoni me kujdes! Nesër fillo ramazoni. Se bo Zoti vaki ju shof tu pi duhon e raki ditën para myslimonve, a e shifni ket shkop? Për t’modhin Zot deri sa t’thyhet për kok t’juj, nuk nalem. A e murt vesh?”

Edhe ashtu bënin djemtë. Respektonin bashkfshatarët e tyre në agjërim.

Nuk e di si tingëllon për shumë njerëz kjo histori, por për një si unë, që është lindur e rritur në këtë ambjent (Durrësi me rrethinat e e veta), është një histori normale dhe e bukur.

Agjërim të frytshëm të gjithë atyre që e praktikojnë.

D. Gjergji

P.S. Ka edhe nje histori tjetër që e ruaj me shumë xhelozi e do ta tregoj në çastin e duhur…:)

Photo: Ali Domi

Share: