Kosova ka publikuar një plan të ri masash shtrënguese për të përballuar pandeminë. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për mediat ka treguar se qendrave tregtare u ndalohet aktiviteti nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit, ndërkohë që kufizime do të ketë edhe për bizneset që ushtrojnë aktivitet gastronomik. Përjashtim janë shërbimet ku ushqimi merret me vete.
“Qendrat tregtare do t’iu ndalohet veprimtaria nga 21:00 deri në 5 të mëngjesit. Gastronomia do të mbyllet nga 21 deri në orën 5, përveç shërbimit të take away”, ka thënë Zemaj.
Gjithashtu Kosova do të reduktojë stafin që punon në institucionet publike dhe private.
“Është e domosdoshme që të reduktohet numri i stafit në nivel qendror, në institucionet publike dhe private. Shëndetësia dhe Siguria do të vazhdojnë të punojnë me kapacitete të plota”, ka thënë Zemaj, ndërkohë që edhe mësimi në universitete do të kryhet online.
Këto masa do të analizohen brenda 2 javësh dhe do të rishikohen./Opinion.al