Drejtoresha e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, ka folur nga spitali, ku ndodhet e shtruar për Covid-19, për këto ditë të vështira të përballjes me virusin e rrezikshëm.
Gjatë një bashkëbisedimi online me gazetarët, Bino ka deklaruar se koronavirusi nuk është grip, por është më serioz dhe merr forma të rënda.
“Unë jam akoma në Spital, po kurohem, isha rëndë, por jam në gjendje më të mirë! Por sot jam për të folur për vaksinimin ndaj gripit. Covidi nuk është grip, por COVID është edhe me serioz merr forma të rënda! Unë erdha në kohën e duhur në spital! Mund të them që është gripi është i rrezikshëm dhe për të duhet të vish në kohën e duhur për kurim. Gripi është sëmundje serioze, por që parandalohet nëpërmjet vaksinës. E rëndësishme është që vaksina nuk dëmton dhe nuk shkakton grip”, është shprehur Bino.
Sipas saj, popullata duhet të vaksinohet për gripin stinor për të shmangur atë që ajo e quan “co-infeksionet”.
“Është i rëndësishëm për ato grupmoshat që mund të bëjnë infeksione më të rënda ta kryejnë vaksinimin ndaj gripit. COVID s’ka ende vaksinë, por gripi po! Vaksinimi ndaj gripit kryhet në çdo kohë. Këtë vit synimi ynë është që procesi i vaksinimit të popullatës të përfundojë deri në fund të nëntorit”, ka thënë Bino.
Doktoresha Silvana Bino foli edhe për mundësinë e vaksinimit të personave që janë të infektuar nga COVID-19. Sipas saj, personat që janë prekur nga koronavirusi mund të vaksinohen për mos t’u prekur edhe nga gripi, por kjo duhet të ndodhë 14 ditë pasi ata të jenë shëruar. “Kur je me COVID s’mund të vaksinohesh! Por 14 ditë pasi ta kesh kaluar koronavirusin, mund të kryhet vaksinimi”, ka përfunduar ajo.
(BalkanWeb)