Pas orë pasi kryeministri shqiptar dha një version të një video-konference me kancelaren gjermane Ambasada e këtij vendi në Tiranë zbardhi detaje nga biseda e Edi Ramës dhe Kancelares Angela Merkel. Sipas asaj që ka thënë zëdhënësi i Qeverisë Federale Steffen Seibert: “Ata biseduan për situatën e pandemisë, marrëdhëniet bilaterale dhe ekonomike si dhe për situatën në rajon dhe përparimin e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE”.
Por ndërsa në njoftimin e Edi Ramës theksi vihej tek kohëzgjatja njëorëshe e bisedës dhe as nuk figuronin fare përmendja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duket se zëdhënësi i qeverisë gjermane nuk i ka harruar ato: “Këshilli Evropian ka vendosur në mars 2020, të hyjë në bisedimet zyrtare të pranimit me Shqipërinë. Reformat e rëndësishme, të cilat do të përcaktojnë shpejtësinë e bisedimeve, prekin para së gjithash drejtësinë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” thuhet në deklaratën e tij.
Pas orës 16:00 të pasdites, kryeministri botoi një njoftim në Facebook ku nuk harroi slloganin “Danke Angela”. Ai shkroi:
“Me Kancelaren Merkel, biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë në dhjetor.
Edhe njëherë si gjithnjë, kënaqësi e veçantë biseda me Kancelaren gjermane, një mike e shkëlqyer që e njeh, e kupton dhe e ndjek rajonin tonë e Shqipërinë gjithashtu, me detaje e vëmendje krejt të posaçme”!
Në fjalët e mësipërme, që Lapsi.al ka shenjuar me të zezë dhe që tregojnë përshkrimin hiperbolizues të Ramës jepet një pasqyrë tejet entuziaste e bisedës. Por ajo mungon krejtësisht në njoftimin e kancelarisë, i cili u bë, me sa duket, pasi pala gjermane është treguar e pakënaqur me pasqyrimin që Rama i ka bërë takimit./Lapsi.al