Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reaguar përsëri për akuzat e bëra nga kryeministrit Edi Rama në lidhje me hetimet e kryera ndaj UÇK-së.
Gjatë një interviste në “News24”, Basha ka sqaruar rolin e tij gjatë luftës së Kosovës dhe detyrën e tij në UNMIK të Tribunalit të Hagës.
Kryedemokrati thekson se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ndonjë procesi hetimi ndaj UÇK dhe luftëtarëve të saj. Kreu i PD tha se detyra si hetues që ka pasur ka qenë në skuadrën qe hetonte serbët, por jo shqiptarët.
Basha thotë se ka pasur tre detyra, 6 muaj ka qenë pjesë në hetimin e krimeve serbe për spastrim etnik në Mitrovicën e Veriut, përgjegjës për një nga pesë zonat nën përgjegjësinë e KFOR dhe përgatitja e tranzicionit të pushtetit nga autoritetet e OKB tek ato të Kosovës, siç ishte themelimi i Ministrisë së Drejtësisë.
Për të gjitha akuzat e hedhura nga qeveria në adresë të tij, Basha ka thënë se ato janë të fabrikuar nga Rama.
“E para e punës që është një shpifje e plotë gjithçka është thënë në adresën time, kurrë s’kam qenë pjesëtar i ndonjë procesi hetimi ndaj UçK. Isha pjesë e skuadrës së Tribunalit të Hagës për hetimin e Millosheviç, dhe jam krenar për këtë. Skuadrat ishin të ndara. Skuadra që hetonte krimet e serbëve s’mund të hetonte dhe shqiptarët. Nuk kam bashkëpunuar prokurorin amerikan që po thoni, se s’ka qenë as prokurori, ka qenë antropologu i misionit ndërkombëtar në Kosovë. Roli im në UNMIK ka konsistuar në 3 detyra, për 6 muaj në hetimin e krimeve të serbëve, në spastrimin etnik të Mitrovicës së Veriut. Jemi rrethuar në Gjykatë nga Rojet e Urës, paramilitarë serbë. Kam punuar për 1 vite, si person përgjegjës në një nga pesë zonat nën KFOR. Dhe e fundit, përgatitja e tranzicionit të pushtetit, nga OKB tek autoritetet e Kosovës. Themelimi i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. Gënjeshtër e fabrikuar trashë. Edi Rama në vend që të merrej me thashetheme, të shihte në Wikipedia që UNMIK nuk ka juridiksion në Shqipëri. Njëherë thonë që Basha ka qenë në Shtëpinë e Verdhë, tani thonë që ka qenë zv/kryeministri i Maqedonisë. Ky është një riciklim, e kam thënë në 2005. Pse e kam thënë. Para zgjedhjeve të 2005, dhe para zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Sot duhet ta nisnim e vazhdonim me diçka që po shqetëson aktualisht shqiptarët. Por kjo është një goditje tani kundër interesave të Kosovës. ”– tha Basha./ Opinion.al