Sapo rezultatet e zgjedhjeve presiedenciale u bënë më të qarta më 7 nëntor, menjëherë u kuptua se Shtetet e Bashkuara e bwnw tw pamundur rizgjedhjen e një presidenti i cili ka treguar vazhdimisht përbuzje ndaj normave dhe institucioneve demokratike. Donald Trump ka bashkuar interesat e tij të biznesit me ato të Shtëpisë së Bardhë, i ka quajtur mediat “armiq të popullit”, ka lënë mënjanë shkencën dhe ka politizuar departamentin e drejtësisë, ka hedhur dyshime të pabaza në procesin zgjedhor dhe aktualisht po krijon reputacionin e presidentit të parë, që nga viti 1800, që nuk po respekton një tranzicion paqësor të pushtetit.
Më shumë njerëz votuan për Trump në zgjedhjet e vitit 2020 (rreth 71 milionë amerikanë) sesa për çdo kandidat tjetër presidencial në historinë e SHBA, përveç Joe Biden-it. Qartazi, kjo tregon se u desh vendosmëri shumë e madhe dhe një pjesëmarrje historike në votime (kryesisht të njerëzve me ngjyrë) që ta rrëzonin Trump. Dhe do apo s’do Trump ta pranojë kjo gjë ndodhi. Megjithatë meritat për këtë rezultat nuk mund t’i atribuohen demokracisë “së pacenë” amerikane. Përkundrazi, këto zgjedhje zbuluan të meta të thella në mënyrën se si amerikanët i zgjedhin udhëheqësit e tyre. Disa nga ato defekte janë po aq të vjetra sa vetë kombi, ndërsa të tjerët janë krijime më moderne, të përforcuara nga republikanët me Trump-in në krye. Sidoqofshin, të vjetra apo të reja, këto të meta të sistemit paraqesin një kërcënim ekzistencial për reputacionin e Amerikës dhe për mbijetesën e asaj që njihet si demokracia më e vjetër kushtetuese në planet.
Drejtori i organizatës amerikane “Të mbrojmë demokracinë”, Ian Bassin thotë se amerikanët vendosën në krye një autokrat, i cili për pak e zgjati mandatin e tij me 4 vjet të tjera. Pyetja e rëndësishme është: Si ndodhi kjo? Me fjalë të tjera, ku dështoi sistemi? Prestigjozja britanike “The Guardian” ka analizuar 5 defektet kryesore që ekspozuan zgjedhjet e fundit presidenciale në Amerikë, në kërkim të një shprese për ti rregulluar ato.
- Kolegji zgjedhor
SHBA ende është duke marrë veten nga stresi i votimeve të fundit. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, çuditërisht vijojnë të kujtohet si një rezultat tepër i ngushtë mes dy kandidatëve kur në fakt nuk ishte fare kështu. Biden arriti të sigurojë një epërsi prej 5 milionë votash ndaj kandidatit republikan Trump, fakt ky që sipas parashikimeve të gazetarit të CNN, Harry Enten, do të marrë 52% të votave popullore, një përqindje që nuk ishte parë që nga viti 1932 me fitoren e presidentit Franklin Roosevelt.
Vota e popullit është mënyra me anë të të cilës shumë vende demokratike arrijnë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Por kjo nuk funksion për Amerikën. Në SHBA, rezultati vendoset nga kolegji elektoral, nëpërmjet një sistemi i cili bën që presidenti të mos zgjidhet nga populli, por indirekt nga 538 përfaqësues të caktuar nga shteti. Sipas llogaritjes së Sabeel Rahman, kreut të lëvizjes “Demos Action”, kolegji elektoral u jep kandidatëve presidencialë republikanë një avantazh prej 4% nga 5% ndaj rivalëve të tyre Demokratë. Ka pak shanse që ky kolegj të shfuqizohet, pasi do të kërkonte një ndryshim kushtetues i cili është krejtësisht i pamundur për tu arrirë në këto kushte që gjendet vendi.
- Shtypja e votuesve
Pjesëmarrja e madhe në zgjedhjet e vitit 2020 ishte një fakt realisht mbresëlënëse, duke pasur parasysh gjithë pengesat e vendosura. Drejtori i organizatës amerikane “Të mbrojmë demokracinë”, Bassin tha se paria republikane ishte përpjekur ta vështirësonte mundësinë për të votuar, veçanërisht për njerëzit me ngjyrë dhe pakicat.
Mes taktikave më të evidentuara mund të përmenden: heqja e qytetarëve nga listat e votuesve, minimi i shërbimit postar të SHBA-së nga Trump dhe thirrjet e çuditshme në telefon që kishin qëllim të shpërqëndronin qytetarët duke i thënë të votonin në datën 4 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve.
Një nga shembujt më të egër të shtypjes së votuesve ishte në Florida. Në vitin 2018, qytetarët e Floridas i dhanë të drejtën e votës ish-të dënuarve, duke futur në pjesëmarrjen demokratike (teknikisht) 1.4 milionë njerëz. Jo shumë kohë pas marrjes së këtij vendimi, republikanët e Floridës menjëherë filluan të minonin vullnetin e elektoratit, duke vendosur një labirint burokratik për të cilin ish-kriminelët duhej të kalonin përpara se të votonin. Gjithë kufizimet e vendosura ishin aq të ngatërruara sa detyruan pothuajse 900,000 njerëz që të mos votonin, një e gjashta e të cilëve ishin qytetarë të zinj. Luftimi i shtypjes së votuesve është thelbësore për “HR1”, ligjin për reformën e demokracisë që mbështetej nga demokratët në Kongres. Por ky ligj është bllokuar në Senat në 8 muajt e fundit nga Mitch Mçonnell, udhëheqësi i shumicës republikane. Në këtë situatë, fokusi do të zhvendoset te departamenti i drejtësisë në SH.B.A.-së, i cili ka qenë joaktiv nën administratën Trump. Sapo Biden të fillojë punën, ky departament pritet të riangazhohet, duke zbatuar qasjen e re në votim dhe duke ndjekur penalisht shkeljet e ligjit zgjedhor.
- Senati
Fakti që Mçonnell ka të ngjarë të vazhdojë të kontrollojë Senatin amerikan është në vetvete një produkt i demokracisë së metë të Amerikës. Përbërja e dhomës, me dy senatorë për secilin shtet pa marrë parasysh se sa popullsi ka shteti në fjalë, gjithashtu i ka rrënjët në të kaluarën e errët të vendit.
“Struktura e Senatit është një relike e vjetëruar, raciste, që synon të vendosë pushtetin e të bardhëve” tha Deirdre Schifeling, drejtori i fushatës së koalicionit progresiv “Demokracia për të Gjithë 2021”. Duke supozuar se republikanët do të arrijnë të mbajnë Senatin, grupimi demokrat që do të përfaqësojë 20 milionë amerikanë më shumë sesa kundërshtarët e tyre demokratë, do të jenë ende në pakicë. Edhe nëse të dy balotazhet e shtetit që po i mban peng (Georgia) fitohen nga demokratët, Senati do të qëndronte në një ndarje 50-50.
Ky shtrembërim favorizon senatorët nga shtetet me popullsi të ulët që kanë një elektorat kryesisht me popullsi të bardhë, si Montana dhe Dakota, duke shtypur kështu demokratët. Praktikisht, një rrugë pa krye për demokratët. Pse? Këta të fundit nuk janë në gjendje të çojnë përpara reformat e nevojshme për të siguruar epërsinë sepse janë të bllokuar nga senatorë republikanë, megjithatë pa ato reforma ata nuk kanë mundësi të rrëzojnë këta senatorë nga karriket e tyre. Për të adresuar këtë barrierë ishin parashikuar katër vende të reja në Senat, me anë të dhënies së një akti shtëtësie Washington-it dhe Puerto Rico-s. Por me përmbysjen e kësaj skeme, rrethi vicioz mbetet po aty.
- Gjyqtarët
SHBA-ja po përballet me një ndryshim masiv në përbërjen e gjykatave federale. Gjatë katër viteve të fundit, Trump ka vendosur më shumë se 200 gjyqtarë konservatorë në gjykatat e rrethit dhe qarkut, përveç tre gjykatësve të djathtëve që ai emëroi në gjykatën supreme të SHBA.
Lëvizje të tilla ka të ngjarë të zhvendosin ekuilibrin e gjyqësorit për vitet që vijnë. Një shembull i kësaj u ilustrua gjatë zgjedhjeve, kur guvernatori republikan, Greg Abbott, kufizoi numrin e qendrave të votimit, duke vendosur një të tillë për qark. Kështu pra, në qytetin e Hjustonit u mbyllën 11 qendra votimi duke lënë vetëm një për t’i shërbyer pothuajse 5 milionë njerëzve.
- Rishpërndarja e kufijve të zonave elektorale
Një nga aspektet më zhgënjyese për demokratët ishte mosfitimi i më tepër shteteve. Republikanët qëndruan në pushtet në Florida, Iowa, Minesota dhe Karolinën e Veriut por morën kontrollin e shteteve të tjera si New Hampshire apo Texas. Marrja e kontrollit në Teksas dhe gjetkë i jep republikanëve kontroll mbi procesin 10-vjeçar të rishpërndarjes përmes të cilit vendosen kufijtë e zonave elektorale. Edhe më herët republikanët, kanë provuar se ishin të pamëshirshëm në vendosjen e kufijve në favorin e tyre, përmes një procesi të quajtur gerrymandering, që nënkupton që ligjvënësit do të vendosin kufijtë elektoralë sipas favorizimeve politike. Gerrymandering lejon republikanët të konsolidojnë pushtetin e tyre, gjë që i vë ata në krye të raundit tjetër të rishpërndarjes.
Të gjithë përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe ligjvënësit e shteteve zgjidhen nga ndarjet politike të quajtura distrikte(rrethe). Çdo 10 vjet pas censusit të popullsisë, kufijtë e këtyre ditrikteve ndryshojnë dhe me një shumicë vendesh që mbajnë ngjyrën e kuqe (që kanë votuar republikanët), kufijtë me shumë mundësi do të lëvizin në favor të tyre./Lapsi.al