Home KRYESORE Artur Spanjolli: Kërkimi i lumturisë

Artur Spanjolli: Kërkimi i lumturisë

Esenciali i shpëton syve?! Cili është kuptimi i kësaj shprehje? Çfarë është kjo thelbësore, e cila i shpëton 5 shqisave tona? A duhet t’a besojmë atë që nuk e shohim? A është e mundur të krijohet një filozofi për dhe mbi atë që nuk e shohim? Mbi asgjënë atëherë? Dihet, është e rrezikshme të besosh në diçka të tillë! Do të rrezikonim të ndërtojmë dhe të besojmë në kështjella të padukshme rëre. Dikush gjithsesi, do të mendojë në mënyrë naive dhe sipërfaqësore…

Është e rëndësishme që unë të jetoj me shpresën e së Përtejmes. Është e rëndësishme që të më ngushëllojë dhe të më bëjë të jetoj mirë falë këtij ideali sublim. Në fund. Zbulohet Velloja e së Përtejmes, kujt i bëhet vonë. Po vdiqa unë, vdes edhe e gjithë bota. A vlen e padukshmja atëherë vetëm për ata që kanë shumë imagjinatë? Shumë ndjeshmëri? Apo, ndoshta vlen vetëm për ata që kanë shumë Besim në të?. Të cilët, për një arsye x, për një arsye që e tejkalon racionalen, e tejkalon arsyen e fortë, jo vetëm që besojnë në të, por edhe i ndihmon të sqarojnë idetë mbi natyrën e thellë dhe të brendshme të së Vërtetës? Dua të them: nëse ata besojnë, e bëjnë atë së pari, vetëm me hirin e Dritës Hyjnore që ja lejon. Ia qartëson, I fut në rrugën e Besimit. Por vetëm disa të denjë? Zgjedhur? Të përzgjedhur? Mirë për ata! Por çështja nuk është aq e thjeshte. Çdo qenie njerëzore mundet pra,

Të hyrë nëse e don atë vërtet. Pse atëherë të tjerët, njerëzit racionalë duhet të besojnë në të? Ata mund të jetojnë mirë edhe pa të. A ka arsye të mjaftueshme, të dukshme, të besueshme për ta ndjekur, për t’a përqafuar atë si ideal? Ky faktor x. kaq i pakapshëm, kaq i paperceptueshëm nga shqisat, kaq e paprekshëm nga 5 shqisat, e tejkalon atë atëherë. Ajo bën rrugën e saj në psikikën tone eskluzivisht falë sensit të gjashtë. Ai zgjohet brenda nesh? Është brenda nesh, pra, çelësi magjik për të hyrë në faktorin x. Për njerëzit që ecin dhe arsyetojnë me këmbët mbështetur mirë në tokë, as që duhet të ekzistojë diçka përtej! Nuk ka arsye atëherë, të qëndrueshme që njeriu duhet të bazojë arsyetimin e tijë mbi një ide të tillë. Nëse e vërteta fshihet, ose duhet kërkuar vetëm në të dukshmen, atëherë 3000 vjet njohuri, përvojë njerëzore, për çfarë kanë vlejtur? Çfarë janë atëherë Besimet, me gjithë ato sisteme komplekse vlerash morale, që njeriu trashëgoi nga e kaluara për të ecur mirë në tokë? Çfarë vlere kishin, kanë dhe do të kenë? Çfarë vlere, çfarë kuptimi, çfarë vendi ka filozofia, etika, feja, retorika, shkenca për të shpjeguar mrekullinë e jetës?

Sipas mendimit tim modest, njeriu mjafton të shohë me vëmendje përreth, dhe, ai, pa asnjë dyshim, do të fillojë të bëjë pyetje të thella dhe arsyetime të thella mbi rolin e tij në univers. Le të vëzhgojmë njeriun: për shembull. Është kaq kompleks, kaq i bukur i parë nga jashtë, por në të njëjtën kohë kaq i thjeshtë dhe i mrekullueshëm në funksjonim, sa është për t’u habitur. Ne jemi një mrekulli. Çdo gjë është një mrekulli. Një mrekulli në logjikën e materies. Kjo është gjithçka që shohim. Po përtej? Unë shoh vetëm bukurinë e jashtme të trupit të njeriut, por nuk shoh më tutje sesa lëkura, nuk shoh kompleksitetin perfekt të qenjes, përtej lëkurës. Siç nuk shoh atomet, por ato ekzistojnë, nuk shoh dallgë magnetike por ato ekzistojnë. Shumë gjëra nuk i shoh, por ato ekzistojnë.

Por, nëse jemi një mrekulli në kompleksitetin tonë dhe çudinë funksionale, siç është një pemë, një zog, një kafshë, një lule e thjeshtë. Pra, pse nuk mund, nuk duhet të besojmë se edhe universi është po kaq kompleks, i ndërlikuar, i përsosur dhe i orientuar nga Logjika Hyjnore. Nga një Krijues Drite Primordiale. I gjithë kozmosi atëherë i nënshtrohen ligjeve të kësaj drite? A nuk e gërvishtin shkencëtarët të fshehtën? Për të zbuluar të vërtetat e fshehura dhe për t’I vënë ato në funksion të njeriut? Nëse jemi një rastësi e lumtur, atëherë kjo rastësi fatlume do të kishte veç një emër: Hyjnor. Si edhe kozmosi, gjithashtu. Kur thuhet se misteri e bën jetën më intriguese, aty pra, fshihet edhe bukuria dhe kuptimi i vetë jetës. Nëse gjithçka do të ishte e shpjegueshme atëherë njeriu nuk do të kishte mundësi të bënte  asnjë pyetje të thellë për ekzistencën e tij, për rolin e tij në univers. Dhe madje, edhe ecja e tij do t’a humbte kuptimin e vërtetë. Finalen dhe qëllimin e vërtetë. Ky kërkim personal që njeriu bën për t‘u rritur shpirtërisht, është edhe aspirata më sublime që ne krijesat njerëzore duhet të bëjmë mbi natyrën e padiskutueshme hyjnore tonën. Gjithkush mund ta mendojë si të dojë, janë të lirë pra. Por për mendimin tim. Nese njeriu mendon thellë mbi jetën, natyrën, mbi ekzigjencat e saj të brendshme, atëherë del. Evidecohet qartë se të gjitha qeniet njerëzore aspirojnë dy gjëra: lumturinë dhe jetëgjatësinë. Nëse e dyta është një fitore i shkencës dhe mjekësisë, e para është dhe duhet të jetë një fitore individuale i vetë njeriut. Kërkimi i lumturisë ka shumë variante. Si materiale, ashtu edhe shpirtërore. Por sipas mendimit tim, kërkimi i vërtetë i lumturisë ka lidhje me vlerat e Virtytit. (e vërteta, e sinqerta, e ndershmja, e devotshmja, mirënjohja, mëshira, falja, altruizmi, madhështia shpirtërore dhe mikpritja, fisnikëria e shpirtit, etj….) Këto pra, janë vlerat ku duhet kërkuar Lumturia e Vërtetë. Kjo vjen falë njohurive të jetës dhe vetvetes, Dhe nëpërmjet përmirësimin tonë pak nga pak. Me pjekurinë pra, që vetë përvoja e jetës na jep. Po përse atëherë shpesh i miri vuan? Pse të ndershmit shpesh ia hedhin? Dhe pse i virtytshmi shpesh shihet me ironi dhe shpoti nga shoqëria? A është vallë jashtë mode, në një shoqëri që shpesh stimulon hajdutin, mashtruesin, amoralin? Që ka besim vetëm në materie? (Karriera, paraja, pushteti, kënaqësitë e shthurura të lekurës, etj) Njeriu nuk duhet ta humbasë kurrë integritetin e tij shpirtëror. Humbja e integritetit është baraz me humbjen e shpirtit të tij. (Dua të them se ai nuk duhet të gënjejë, mashtrojë me vetëdije) Njeriu gjithmonë duhet të përpiqet të bëjnë pyetje të thella si: Unë ekzistoj. Pra: Pyes veten për shumë gjëra?

Njohuria nuk është vetëm një rrugë e gjatë kërkimi, por edhe meditimi mbi natyrën shpirtërore të njeriut, dhe nevojën e saj më të thellë. Dashurinë. Eshtë abuzuar dhe abuzohet shumë me këtë fjalë. Për aq sa është e vërtetë që dashuria përmban gjithçka brenda. Çdo gjë është dashuri. Çdo gjë është rezultat dashurie nga një Krijues, edhe pse shpesh elementët në natyrë rrebelohen. Ne jemi, ecim, ekzistojmë. Pra, ne jemi energjitë në formë njerëzore. Jemi këtu për t’u përmirësuar derisa të arrijmë një ringjallje shpirtërore. Nëse nuk lëvizim për t’u përmirësuar, nuk kemi bërë asgjë. Ne jemi dritë. Por ne jemi dritë embrionale. Jemi si ajo llamba funksionale, e cila përsa është e fikur, mbetet ashtu. Dhe na duhet neve ta gjejmë òelsin në dhomën e errët për t’a ndezur dritën tonë! Le t’a kërkojmë atë së pari tek Virtyti. Virtyti është Abetarja e njeriut. Të jesh i lumtur është pothuajse e pamundur, edhe pse njeriu ka momente drite dhe lumturie. Por të jesh i bindur për rrugën tënde mbi virtytin, është shumë. Eshtë esencjale për dikë që dëshiron të rritet shpirtërisht. Kush nuk kërkon, as nuk dëshiron pra të shikojë më thelle, nuk duhet t’a bëjë. Nuk është ende gati. Ai ende nuk ka, nuk e ndjen këtë nevojë të brëndëshme. Kush nuk i bën pyetje të thella vetes: Kush jam unë? Ku shkoj? Pse jam këtu? Ç’bëj unë në univers? A jam produkt i rastësisë apo pjesë e një projekti gjigant hyjnor? Nëse Hyjnorja ekziston, atëherë pse Zoti ka vendosur të lozë kukafshehti me njerëzit? Pse nuk zbulon gjithçka, në mënyrë që të gjithë t’a dinë të vërtetën? Pse nuk sqaron gjithçka, por nëse e bën të qartë. E bën atë pjesërisht. E bën vetëm për pak njerëz të caktuar dhe me forma të fshehura. Të vështira për t ‘u interpretuar, shpjeguar. (Vizione, ëndrra, udhëtime shpirtërore përtej, materializime, shërime, mrekulli, teletrasportime, etj) Dhe nëse e bën, e bën vetëm për robërit e tij: shenjtorët, njerëzit e drejtë, me moral të pamohueshëm? Njerëzit, që shpesh jetojnë në kufijtë e skizofrenisë, çmendurisë dhe sëmundjes mendore? A është e vërtetë se Hyjnorja u ka dhënë profecinë vetëm  të çmendurve? Nëse njeriu fillon të bëjë pyetje të këtilla. Të thella dhe e brendshme, atëherë, e përsëris, nevoja shpirtërore për t’u rritur, ka lindur tashmë tek ai. Nëse ai nuk i bën ato, atëherë don të thotë se ai nuk është ende gati. Eshtë ende larg kërkimit të së Vërtetës. Ende, pra, i duhet të ecë shumë.

Vlera e të padukshmes, ku çdo gjë fshihet, është vlera e vetë së bukurës, në jetën në materie. Kjo është arsyja më e thellë që e bën atë intriguese, të mrekullueshme, kurioze dhe na shtyn neve, të verbërit në materie, të kërkojmë. të kërkojme të padukshmen, të paditshmen, misteriozen. Misteri është magjia dhe çudia më e madhe e vetë jetës. Nëse e ngrejmë vellon e nuses së re, atëherë të gjithë kuriozët do të largoheshin më pas. Interesi do të ulej menjëherë, tamam si një ngjarje filmi të zbuluar paraprakisht. Me ngritjen e vellos, të ftuarit e dasmës, apo kureshtarët përreth mbledhur si në festat fetare, do të iknin. Misteri i bukurisë së nuses do të fanitej në çast. Kjo është pra arsyja, pse mençuria hyjnore luan ‘kukafshehtas’ me njerëzit. Velloja, është sekreti më i thellë në Univers. Njerëzit nuk mund të dinë mbi të për dy arsye. Intelekti i tyre as nuk mund ta kapë, as ta kuptojë, as të tejkalojë Hyjnoren. Dhe arsyeja e dytë, është se njeriu do të arrijë deri tek ajo: hyjnorja, shkallë, shkallë. Duke rritur gradët e dijes. Tani për tani, njeriu është vetëm krijesa e mahnitur nga kjo bukuri e pafundë, e pashpjegueshme e ekzistencës… përballë diçkaje shumë më të madhe dhe të pamasë për intelektin e tij të kufizuar… por njeriu duhet të fillojë të lëvizë… me Virtytin dhe vlerat që dërgojnë në rritjen e tij shpirtërore…

P.S. Faleminderit mikut, artistit dhe fotografit Parlind Prelashi për shkrepjen e admirueshme.

Share: