Home KRYESORE ATA QË PO GUXOJNË TË PËRFLASIN AMERIKËN NGA TIRANA…

ATA QË PO GUXOJNË TË PËRFLASIN AMERIKËN NGA TIRANA…

Nga Astrit Patozi

Është për të vënë kujën, kur lexon apo dëgjon delirantë dhe sharlatanë nga anët tona, që përflasin këto ditë me kaq shumë pasion zgjedhjet amerikane.

Në shumicën e rasteve nuk e kanë nga budallallëku apo nga injoranca. Sepse më të zellshmit prej tyre janë hajdutët recidivë të votave, të cilët kërkojnë të gjejnë shokët e tyre edhe aty ku s’janë. Ngaqë duan të na mbushin mendjen se kështu është kudo në botë, ndaj edhe nuk kemi pse ua marrim për të madhe vesin e tyre çdo dy vjet, sa herë që votohet në Shqipëri.

Natyrisht, nuk kam rrjedhur ende që të hyj në debat me ta për vlerat e çertifikuara amerikane dhe perëndimore, sepse do të ishte mundim i kotë. Fakti që guxojnë të heqin paralele mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, i mbyll vetë të gjitha diskutimet.

Por meqë jemi tek kjo temë, ia vlen të shikosh vetëm një moment, se si po numurohet në qendrat e Xhorxhias dhe të Pensilvanisë, ku po vendoset në një farë mënyre, jo vetëm e ardhmja e Amerikës, por e gjithë botës mbarë.

Secili numurues, në punë të vet, që ndan kapicën e votave, pa i hedhur sytë fare nga kolegu përbri, ndërkohë që vendoset me një diferencë tmerrësisht të ngushtë për njeriun më të pushtetshëm të globit.

Përfytyro tavolinat tona të numurimit me 4 apo më shumë çakenj, që ruajnë dhe vjedhin njëri-tjetrin, por më shumë ata, që nuk kanë fare përfaqësues aty, për të zgjedhur këshilltarin e bashkisë së Këlcyrës apo për deputetin e Libofshës.

Ndaj edhe ata që po qësëndisin këto ditë zgjedhjet amerikane janë kryesisht nga kategoria e atyre, që i duan patjetër militantë politikë komisionerët dhe numuruesit e proceseve tona të shëmtuara dhe të manipuluara elektorale.

Share: