Home KRYESORE Çka vlen është vetëm dashuria. Nga Dom Gjergji Meta

Çka vlen është vetëm dashuria. Nga Dom Gjergji Meta

Të dashur miq,

Sonte dua t’ju them se ju kam në zemër. Ndjej empathi për secilin prej jush, sidomos për ata qe kanë frikë nga semundja e Covidit dhe jane te stresuar per shume arsye. Dhe a e dini pse? Sepse jam edhe une si ju: i brishte, me frikë dhe i stresuar. Por e di se vetem empathia me ju më bën të ndjehem i fortë dhe plot shpresë. Pra nuk jemi vetëm.

Empathia është pikërisht kjo: të ndjesh çka ndjen tjetri e bashkë me tjetrin, sidomos të bëhesh njësh me dhimbjen dhe vuajtjen e tjetrit e po ashtu të lejosh që brishtësia jote të ngushëllojë tjetrin.
E ndjej fort se brenda secilit prej nesh gjendet qoftë edhe një grimcë dashuri e mirësi, madje edhe te ata që ndoshta na urrejnë apo i urrejmë. Kurrë më shumë se këto ditë ndjej se jam pjesë e njeriut, e çdo njeriu edhe e atyre që për një arsye apo tjetër nuk më duan.

T’ju mbaj në zemrën time nuk më është e vështirë. Nëse ka një gjë në ne që Hyji e ka bërë sa Universi, është zemra jonë. Mjafton ta hapësh atë. Prandaj ndjej për borxh t’ju kem në zemër se kështu ndjehem më mirë dhe më pak vetëm.

E di se ka shumë njerëz që po vuajnë për një gjë a një tjetër. Nuk është momenti më i mirë për asnjërin prej nesh, kushdo të jetë ai. Përballë kësaj situate ndjehemi të pafuqishëm e na duket sikur po luftojmë me mullinjtë e erës.

Të flakim për pak çaste inatin dhe zemërimin e të vishemi me rrobat e butësisë dhe dashurisë për çdo njeri. E bëj shpesh këtë gjë, pasi e ndjej se ngarkohem edhe unë me inat e zemërim, me hatërmbetje dhe trishtim, por nuk ia vlen.

Çka vlen është vetëm dashuria.

Mbrëmje të bukur!

Dom Gjergji

Share: